Nga MERXHAN JAKUPI
Arabia Saudite, një ndër shtetet më konservatore islame dhe e Botës arabe, dekadën e fundit është duke dalë hovshëm në skenën globale, duke u bërë lidership në rajon. Ky shtet i Gadishullit Arabik, me një sipërfaqe prej 2 milionë e 150 mijë kilometra katrorësh, me një popullsi që ka 1,000 miliardë dollarë bruto-prodhim, është një ndër shtetet më të pasura në atë rajon dhe në Lindjen e Mesme.
Ndryshimet në skenën politike, me ardhjen e princit, pinjoll i dinastisë së familjes mbretërore, këto lëvizje janë duke u bërë më radikale, në kuadër të një shoqërie konservatore tradicionale islamike.
Princi Muhamed bin Sallman erdhi si “Kalë i Trojës” dhe mori fronin, duke vendosur një pushtet absolut, por edhe me reforma radikale. Ndodhën shumë spastrime, burgosje, madje edhe nga elita e dinastisë, si dhe njerëz më të afërt të tij, si ministra, politikanë, biznesmenë dhe klerikë fetarë. Arsyeja, sipas Princit, është se ata janë të akuzuar për korrupsion, nepotizëm, klientelizëm dhe inkriminim. Deri tash ka qenë e pa mundur të kishte ndonjë ndryshim brenda rrethit të ngushtë të dinastisë mbretërore.
Ardhja e princit të dinastisë solli ndryshime në të gjitha fushat, po ashtu dhe në politikën e jashtme. Ndryshimet në këtë mbretëri të shtetit më konservator, në perëndim u pritën me optimizëm, ndonëse nga pak në heshtje. Narrativi dhe paradigma e diskursit të politikës së jashtme ishte ftohja e marrëdhënieve me aleatin më të ngushtë e tradicional SHBA-në.
Qeverisja e princit filloi me një arkitekturë dhe estabilishment të ri, duke u kthyer nga shtetet e Lindjes, si Kina, Rusia, Afrika e Jugut, India etj. Në të ardhmen, Rijadi do të bëhet anëtare e Traktatit të BREX-it, ku janë këto shtete autoritare, totalitare dhe despotike. Sipas një diplomati anonim, princi i ri, që në fëmijëri ka pasur një urrejtje ndaj Amerikës. Ftohja e marrëdhënieve me SHBA-në mund të përsërit epilogun dhe skenarin e ish-presidentit egjiptian Abdel Naser, që u bë aleat dhe vasal i Bashkimit Sovjetik, ndërsa në botën arabe mbeti i poshtëruar, i tradhtuar dhe i frustruar.
REFORMAT RADIKALE NË SHOQËRI
Ndërkaq, princi arab Muhamed bin Sallman, ka premtuar se deri në vitin 2030 Arabia Saudite do të jetë një shtet modern dhe lidership i Botës arabe, me një ekonomi gjigante. Përveç mega-projekteve, liberalizimin e tregut dhe ekonomisë, do të tërheq edhe investitorë të huaj. Tashmë ka bërë liberalizimin e shoqërisë tradicionale, puritane dhe nomade. Ka mundësuar daljen nga tradita mesjetare dhe futjen në një shoqëri moderne në fushën e artit, sportit, muzikës dhe përmirësimin e të drejtave të femrës.
Reformat i ka zgjeruar dhe në religjion, ai ka qenë kritik dhe i ashpër ndaj ulemave, teologëve dogmatikë dhe konservatorë. Ka ndaluar përgjysmë zërin e thirrjes së ezanit me altoparlantë nëpër xhami. Ka bërë pastrime në gardën islame, ndaljen e disa programeve televizive dhe të predikimeve të imamëve e të teologëve, përveç në muajin e Ramazanit. Ai e ka cilësuar vehabizmin si një strofull të dekadencës, intolerancës dhe stagnimit të shoqërisë arabe dhe si devijim në doktrinën e vlerave islame.
Vehabizmi, si mehsep i fundit, u përhap në periudhën pas viti 1838 nga lideri shpirtëror, Muhamed Abdyl Vehap, si një ndër shiat dhe sektet nomade dhe arkaike. Fatkeqësisht, pas viteve të 90-ta, ky sekt nëpërmjet organizatave islamike të Lindjes së Mesme u përhap edhe në Ballkan dhe trojet shqiptare. Ndryshimet dhe reformat për Princin do të jenë të vështira në një shoqëri konservatore tradicionale dhe dogmatike. Muhamed bin Sallman ka pasur kritika të ashpra nga opozita dhe rryma konservatore ekstremiste. Ai akuzohet dhe etiketohet nga opozita, ulematë, klerikët dhe imamët tradicionalë e dogmatikë, për sekularizëm, tradhti dhe heretizëm.
Princi pa marrë parasysh se ka pushtet absolut, reformat e bëra nga shumë qytetarë janë pritur me shpresë, sidomos nga rinia që duan ndryshime. Po ashtu, në Botën arabe, Muhamed bin Sallman ka një imazh dhe reputacion të një lideri pragmatik e modernist.
Disa analistë dhe ekspertë të Lindjes së Mesme konsiderojnë se nëse do të vazhdojë ky princ edhe më tej me reforma dhe spastrime, do të jetë në rrezik të madh për ta mbajtur pushtetin.
VENDI KU LINDI ISLAMI
Pas vdekjes së profetit Muhamed, të gjithë myslimanët përgjatë historisë kanë pasur obligim që të shkonin në haxh apo pelegrinazh për të kryer ritualet e përcaktuara me fenë islame. Për çdo vit, miliona myslimanë shkojnë në qytetin e shenjtë, Meka, qoftë në kohën e haxhit apo jashtë kësaj kohe, në Umre, në vizitë vendeve të shenjta. Sipas gazetës The Ekonomik, ndër vendet më të shtrenjta në botë është qyteti i shenjtë Meka. Një dyqan ose objekt afër Qabes kushton dhjetëra milionë dollarë ose një metër katror vend afarist kushton një milion dollar. Këto vende janë të sigurta për biznese. Derisa të ekzistojë bota, këto dyqane, hotele apo objekte afariste do të jenë të sigurta për biznes. Sipas kësaj gazete, çdo individ që vjen për të kryer pelegrinazh, harxhon nga 1,000 deri në 10,000 dollarë. Klasa më e lartë pasanike gjatë pelegrinazhit harxhon 50,000 deri në 100,000 dollarë.