BallinaKryesoreErl Kodra: Reforma në Drejtësi që po rrënon elitën e korruptuar të...

Erl Kodra: Reforma në Drejtësi që po rrënon elitën e korruptuar të dy partive kryesore politike

spot_img
spot_img

Nga Erl Kodra
Që pas zgjedhjeve të vitit 2021, kam shkruar në vazhdimësi se fundi i Edi Ramës do të vijë, jo nga fakti se do ta rrëzojë opozita, por se një projekt i pazakontë ka filluar të zbatohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mosbesuesit, që për hirë të së vërtetës janë akoma të shumtë në numër, akoma nuk duan ta pranojnë faktin se Partia Socialiste dhe Partia Demokratike po ndryshojnë, jo nga dëshira, jo prej vullnetit të tyre të mirë, por se projekti i pazakontë i SHBA-ve po jep rezultate.

Dy partitë kanë zhvilluar aktivitetin politik në të njëjtin vend, në të njëjtin shtet, dhe kanë qeverisur të njëjtin popull. Që prej vitit 1992 e deri më sot, këto dy forca politike kanë ndërtuar dhe përdorur të njëjtat infrastuktura institucionale dhe njerëzore, duke krijuar një rrjet të gati të pazbërthyeshëm lidhjesh korruptive dhe nepotike. Për një vend të vogël si Shqipëria kjo ishte një sfidë e madhe, gati e pamundur të zgjidhej përmes vetrregullimit dhe funksionimit të institucioneve ligjzbatuese; sepse të gjitha këto institucione ishin nën kontrollin e këtyre dy forcave politike. Për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara iniciuan Reformën në Drejtësi, padyshim një ndër reformat më radikale të ndërmarra në rang global në kushtet e një demokracie.

Me sa duket, duke patur në vëmendje karakteristikat e Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara zgjodhën rrugën e reformimit të brendshëm të klasës politike, pa provokuar që këtë ta realizonin përmes forcave të tjera politike. Kjo tregon se SHBA i njihnin në thelb jo vetëm dy pratitë kryesore, por edhe infrastrukturën dhe kulturën mbi të cilën ata kishin ngritur pushtetin e tyre nepotik.

Është tejet interesante se si u konceptua dhe u ndërtua Reforma në Drejtësi, duke i detyruar 140 deputetë të Parlamentit Shqiptar të votonin me të dyja duart, pavarësisht se Edi Rama, Ilir Meta dhe Sali Berisha e dinin fare mirë se vota e tyre ishte asgjë më pak se sa fillimi i fundit të pushtetit të tyre. Kështu, më 21 Korrik të vitit 2016 mori jetë Reforma në Drejtësi, që po rezulton reforma më e rëndësishme shtetformuese në historinë politike të Shqipërisë.

Shtetet e Bashkuara u përqëndruan tek dy hallka kyçe të Reformës; SPAK (bashkë me BKH) dhe Gjykata e Posaçme. Këto janë dy instrumentat kryesor që po shkatërrojnë “Eldoradon” e dy partive politike që kanë ndërtuar bashkë me krimin e organizuar. Dhe goditjet e SPAK nuk janë të thjeshta; por të mirëmenduara dhe të studiuara; në pikat kyçe të qeverisë së Kryeministrit Edi Rama. Dhe Edi Rama është i ndërgjegjshëm se ky është edhe fundi i tij politik, por në ndryshim nga opozita, ai është i dënuar të shoh rrënimin e “Eldorados” së tij politike duke qenë në pushtet. Duket sheshit se ai po bën vetëm një negociatë – të ardhmen e tij – por që mesa duket fundi i tij tashmë është vendosur.

Aktet dhe qëndrimet e fundit të Edi Ramës kanë vetëm një shpjegim; se ai po përpiqet të shpëtojë atë që mund të shpëtohet, qoftë edhe vetëm veten e tij, paçka se bashkëpunëtorët e tij në parti, qeveri dhe nëpër organizatat e krimit të organizuar (dhe biznesit) po i lëshon një e nga një. Kështu, kështjella e pamposhtur e Edi Ramës po shkërmoqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe pse është në pushtet dhe pa opozitën përballë. Ai e di më mirë se kushdo tjetër në Shqipëri se fundi është afër; ndaj po i hedh një e nga një bashkëpunëtorët si ngarkesa të tepërta, që mund ta fundosin në çdo moment.

Një parti si Partia Socialiste, një konklomerat mes krimit të organizuar, biznesit dhe politikës po shuhet para syve tanë; ndërsa Edi Ramës nuk i mbetet gjë tjetër veçse të mendojë se si të shpëtojë bythën e vet. Përpjekjet për reformimin e partisë janë vetëm një pjesë e manovrave të tij për mbijetesë; ndaj mbetet të shohim se cili do të jetë rezultati.

Nga ana tjetër, megjithse Partia Demokratike është në ditët e saj më të zeza, duket se ajo mbetet shpresa e vetme për ndryshim. Foltorja si e tillë nën drejtimin e Sali Berishës është në muajt e fundit të mbijetesës, ndërsa pjesa tjetër po hedh themelet e një opozite pa asnjë ngarkesë negative, e papërfolur për lidhje me krimin e organizuar ose me biznesin korruptiv. Sigurisht që rruga e opozitës nuk është një fushë me lule, por me sa duket, është e vetmja mundësi që edhe Partia Demokratike të çlirohet nga mëkatarët dhe mëkatet e saj, si njëra nga tre aksioneret e “Eldorados” kriminale shqiptare.

Ndryshimi radikal që po ndodhë në Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike nuk është një proces i lehtë, dhe me siguri që nuk do të ndodhte kurrë pa Reformën në Drejtësi, të diktuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shumë njerëz akoma nuk e besojnë se kjo realisht po ndodhë, por faktet e ftohta këtë tregojnë se Shqipëria ka hyrë në fazën përfundimitare të tranzicionit. Të dy partitë, tashmë vetëm mund ta ngadalësojnë procesin, por kurrësesi nuk mund ta ndalojnë atë. Shumë njerëz do të përfundojnë në burgje, disa do të dënohen më shumë, disa më pak, të tjerë edhe mund t’ia hedhin drejtësisë, por përfundimisht, ata nuk do të jenë më njerëzit që do diktojnë të ardhmen e shqiptarëve.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular