Zoti De Oliveira, 56 vjeç, i tha një punonjësi tjetër në vendpushimin ku jeton zoti Trump se “shefi” donte videot e sigurisë të pronës në Florida të fshieshin pasi Departamenti i Drejtësisë e thirri atë për hetim. Prokurorët gjithashtu akuzuan zotin De Oliveira se ka gënjyer FBI-në gjatë një interviste, duke pretenduar se nuk ishte i përfshirë në lëvizjen e kutive të dokumenteve të klasifikuara në Mar-a-Lago. “Nuk kam parë asgjë,” u tha De Oliveira agjentëve, sipas aktakuzës. Avokati i zotit De Oliveira nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Akuzat u bënë publike disa orë pasi Trump tha se avokatët e tij u takuan me zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë që po hetojnë përpjekjet e tij për të përmbysur humbjen në zgjedhjet e vitit 2020 ndaj demokratit Joe Biden. “Kjo nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e dëshpëruar dhe e vazhdueshme nga familja Biden dhe Departamenti i Drejtësisë”, thuhet në një deklaratë të fushatës së zotit Trump.

Donald Trumpi është ish-presidenti i parë amerikan që përballet me akuza kriminale dhe tashmë është paditur dy herë këtë vit, një herë në Nju Jork mbi pagesat për një yll pornografie dhe një herë tjetër mbi dokumentat e klasifikuara. Akuzat nuk e kanë dëmtuar pozitën e zotit Trump si kandidati kryesor në garën republikane për të sfiduar Presidentin Biden në zgjedhjet e vitit 2024./VOA