Prokurorët thonë se ai i kërkoi një punonjësi të fshinte serverat e kamerës së sigurisë në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida, në një përpjekje për të penguar një hetim federal mbi dokumentet.
Akuzat e re është për pengim të drejtësisë dhe mbajtje të qëllimshme të informacioneve, që lidhen me mbrojtjen kombëtare dhe zgjerojnë çështjen penale të hapur muajin e kaluar kundër zotit Trump dhe një ndihmësi të tij.
Njoftimi për akuzat e reja, vjen ndërsa pritet një padi tjetër e mundshme në Uashington mbi përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Akuzat e fundit tregojnë përmasat e ekspozimit ligjor ende të panjohur plotësisht me të cilin përballet ish-presidenti Trump, ndërsa ka filluar fushatën për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.
Akuzat shtesë nga prokurori i posaçëm Jack Smith përqendrohen në pamjet e kamerave të sigurisë në Mar-a-Lago, të cilat kanë qenë kritike për çështjen.
Zoti Trump dyshohet se ka kërkuar fshirjen e serverave, pasi hetuesit e FBI-së dhe Departamentit të Drejtësisë, shkuan në Mar-a-Lago në qershor 2022 për të marrë dokumentet e klasifikuara, që ai i kishte marrë me vete, në kundërshtim me ligjin, pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë.
Ai akuzohet gjithashtu për mbajtjen e paligjshme të një dokumenti, për të cilin ai akuzohet se ua ka treguar vizitorëve në një rezidencë tjetër të tij në Nju Xhersi.
Një zëdhënës i zotit Trump i hodhi poshtë akuzat e reja si “asgjë më shumë se një përpjekje e vazhdueshme e dëshpëruar” nga administrata e presidentit Biden “për të luftuar Presidentin Trump dhe ata përreth tij” dhe për të ndikuar në garën presidenciale të vitit 2024.
Prokurorët e akuzojnë zotin Trump se ka bashkëpunuar me ndihmësin e tij, Walt Nauta dhe punonjësin në rezidencën e Mar-a-Lagos, Carlos De Oliveira, për të fshehur pamjet nga hetuesit federalë, pasi ata i kërkuan ato.
Videoja nga prona luajti një rol të rëndësishëm në hetim, sepse siç thanë prokurorët, aty shihet zoti Nauta duke zhvendosur kuti me dokumente deri një ditë para vizitës së zyrtarëve të FBI-së në Mar-a-Lago.
Në akt-akuzë thuhet se kutitë u zhvendosën me kërkesën e ish-presidentit Trump.
Zoti De Oliveira, 56 vjeç, i tha një punonjësi tjetër në Mar-a-Lago se “shefi” donte që videot e sigurisë të pronës në Florida të fshiheshin pasi Departamenti i Drejtësisë e thirri atë për hetim.
Prokurorët gjithashtu akuzuan zotin De Oliveira se ka gënjyer FBI-në gjatë një interviste, duke pretenduar se nuk ishte i përfshirë në lëvizjen e kutive të dokumenteve të klasifikuara në Mar-a-Lago.
“Nuk kam parë asgjë,” u tha De Oliveira agjentëve, sipas aktakuzës.
Avokati i tij nuk pranoi të komentojë të enjten në mbrëmje.
Trump mund të përballet së shpejti me një aktpadi tjetër, në lidhje me përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 për shkak të rolit të tij në trazirat e 6 janarit 2021 në Kapitol.
Javën e kaluar, ai bëri të ditur se kishte marrë një letër nga Departamenti i Drejtësisë që e informonte se ishte objektiv i këtij hetimi. Avokatët e tij u takuan me prokurorët në zyrën e prokurorit të posaçëm Smith më herët të enjten për të diskutuar mbi këtë çështje.
Si Trump, ashtu edhe ndihmësi i tij Nauta, kanë deklaruar pafajësinë për akuzat. Gjyqi për ta është caktuar për në 20 maj 2024. Zoti De Oliveira do të dalë para gjykatës në Florida të hënën. Është e paqartë nëse shtimi i një të pandehuri të ri mund të rezultojë në një shtyrje të datës së 20 majit./VOA