Gjatë fjalës së tij Basha u shpreh se ka ardhur koha që shqiptarëve t’i kthehet pushteti.

“Ju falënderoj për mbështetjen dhe pjesëmarrjen tuaj. Demokratët dhe PD pavarësisht të gjitha vështirësive mbeten shpresa e shqiptarëve. Falënderim për strukturat e PD që organizuar një proces shembull dhe të denjë për standardet që kemi shpallur për të nesërmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Mirënjohje për votuesit dhe falënderim i veçantë për Gjergji Hanin që me fuqinë e argumentit të tij, pastërtinë dhe përkushtimin ndaj PD e ktheu këtë proces në një debat të vërtetë idesh dhe vlerash si i takon garës. Jam i vetëdijshme për sfidat me të cilat ndodhet PD. Lumenjtë e mosbesimit rrjedhin akoma, ca të vërteta dhe ca të sponsorizuar nga ata që e duan Shqipërinë, pa liri, pa barazi para ligjit.

Mbi të gjitha e sotmja nuk shënon votën për një individ, por shënon nisjen e punës dhe puna fillon për të ndërtuar mes dy brigjeve të lumenjtë të mosbesimit, urën mes bregut të sotëm të dëshpërimit të shqiptarëve, depresionit psikologjik, ekonomik, mllefit e dëshirës për ndryshim dhe bregut e shpresës dhe besimit që do të sjellë ndryshimin e qeverisjes pavarësisht bindjeve politike. Nuk ka për të qenë e lehtë, por demokratët treguan se jemi gati t’i përvishemi një tjetër beteje. Shqipëria pret që demokratët të kthehen në krye të detyrës për të mbrojtur interesin publik”, tha Basha.