Nga Namir Lapardhaja
Në kushtet e një Shqipërie që ka ngecur në vend numëro përsa i përket qarkullimit të elitave, të marrë peng nga e njëjta klasë politike prej tri dekadash;
-të një korrupsioni qeveritar galopant në të gjithë arteriet
-të një grushti politikanësh që kanë rënë dakort për të mos rënë dakort dhe për të sulmuar njëri-tjetrin sipas parimit “i yti mishin ta ha, por kockën ta ruan”
-për arsye të ruajtjes nga efekti domino – ruajmë njëri-tjetrin, sepse po ra një bien të gjithë
-të një populli anemik, që e ka humbur forcën për të reaguar dhe për të ndëshkuar me votë drejtuesit e tij
-të një politike ndërkombëtare që si kryefjalë të saj ka shpallur luftën kundër korrupsionit ndaj elitave politike
-të një gjeo-politike që i intereson një rajon i qetë dhe që i frikësohet ngjalljes së fantazmave të së kaluarës
-të një Reforme në Drejtësi, që ka shansin e fundit për të vënë drejtësinë e shumëpritur në këtë vend, për shkak të mbështetjes së madhe që ka marrë, ndërkombëtare (SHBA-BE) dhe vendase (e votuar me 140 vota)
-të një vendi që shpopullohet përditë dhe më frikshëm, sepse këtu asnjë nuk ka më shpresë se mund të ndryshojë diçka…, e vetmja zgjidhje që ngelet është besimi tek funksionimi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i cili është një investim strategjik ndërkombëtar, me mbështetje euro-atlantike, dhe që në këtë rast është në përputhje të plotë me kërkesat dhe pritshmëritë e popullit shqiptar.
Pavarësisht presioneve të gjithanshme, ai është vetëm në fillimin e një misioni që mund të rezultojë historik dhe mund të transformojë të gjithë elitën politike në vend.
I sulmuar nga të gjithë krahët e politikës dhe nën avujt e një mosbesimi në popull se mund të goditen dinosaurët e politikës, SPAK-u ka dhënë shenja të vazhdueshme që është i vendosur për të bërë detyrën e tij.
Hetimet për çështjen e inceneratorëve, të cilat mund të rrëzojnë qeverinë Rama, duhet të thellohen dhe të shkojnë deri në fund, në mënyrë që besimi të rritet dhe dyshimet të veniten.
Po ashtu, dosjet e mëdha të korrupsionit qeveritar 30-vjeçar duhen hetuar, në mënyrë që njerëzit të shpresojnë se gjërat kanë nisur për mirë.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është sot përballë një sfide të madhe: ata duhet të justifikojnë vetveten dhe besimin e publikut.
Ata mund të shndërrohen në një mekanizëm shpëtues, transformues dhe zhbllokues.
Atë që nuk e bën dot vota e një populli të varfër, ta bëjë drejtësia me mbështetje ndërkombëtare.