Roma e Marash Kumbullës pritet të zbarkojë në Tiranë. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se Partizani dhe Roma janë në negociata për të luajtur një miqësore luksi. E shtuna e 12 gushtit është deri më tani dita e përcaktuar për të luajtur këtë sfidë, e cila me shumë mundësi do të luhet në Tiranë dhe shanset janë që të zhvillohet në stadiumin “Arena e Demave”, pasi “Air Albania” do të jetë duke iu nënshtruar procesit të rinovimit të fushës
Për momentin nuk është mbyllur asgjë, por negociatat janë në rrugën e duhur. Kjo sfidë vjen pas në tjetër miqësoreje të zhvilluar mes dy skuadrave të femrave disa javë më parë. Në atë kohë, ajo ndeshje u mundësua pas një ndërhyrjeje të ambasadës italiane. E mesa duket, kjo e 12 gushtit do të jetë një ndeshje në vazhdën e këtij bashkëpunimi. Kjo sfidë mes Partizanit dhe Romës së Zhoze Murinjos, me datën e vendosur aktualisht, qëllon vetëm 2 ditë pas sfidës me Valmierën, e vlefshme për turin e tretë të Ligës së Konferencës, teksa pesë ditë më pas të kuqtë do të duhet të luajnë edhe sfidën e kthimit me letonezët. Kjo ndeshje ndaj Partizanit, për Romën do të ishte një nxehje finale para startit të Serisë A.
Më 20 gusht, skuadra e Murinjos do të sfidojë Salernitanën në “Olimpico”. Para të kuqve, më 6 gusht skuadra kryeqytetase do të luajë një tjetër test miqësor ndaj francezëve të Tuluzës. Sa i përket Partizanit, ndeshjet ndaj skuadrave të niveleve të tilla janë gjithnjë një eksperiencë e madhe, që ndihmon për ta çuar skuadrën në një tjetër nivel. Pavarësisht faktit se sfida me Valmierën është pranë, me siguri Zekiç nuk do t’i kursejë titullarët, duke aktivizuar një pjesë të madhe të tyre. Kujtojmë që me 13 gusht Egnatia do të sfidojë Interin në Ferrara.
PANORAMASPORT.AL