Prokuroria Speciale kundër Korrpsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet për 13 personat e përfshirë në trafikun e drogës në Krujë. Mësohet se SPAK ka dërguar dosjen e 13 personave, të cilët akuzohen për grup të strukturuar kriminal për kultivim i lëndëve narkotike, armëmbajtje pa leje si dhe shpërdorim detyre, të arrestuar në vitin 2020.
Gjykimi pritet të nisë për Bujar Sefa (Xaka), Skënder Velja, Lavdërim (alias Lulzim) Alimani, Vaid Taka, Edison Xaka, Xhemal Zogu, Asim Pulaci, Saba Shehi, Armand Dervishi, Agron Asllanaj, Shkëlqim Ismaili, Ahmet Pulaci dhe Haxhi Murati.
Këta persona ndihmoheshin dhe kishin mbështetje e policisë për aktivitetet e tyre kriminale.
Njoftimi i policisë:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ka përfunduar hetimet dhe dërguar në gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, procedimin penal me Nr.203 të vitit 2020, në ngarkim të 13 personave, e më konkretisht të pandehurve:
Bujar Sefa (Xaka), Skënder Velja, Lavdërim (alias Lulzim) Alimani, Vaid Taka, Edison Xaka, Xhemal Zogu, Asim Pulaci, Saba Shehi, Armand Dervishi, Agron Asllanaj, Shkëlqim Ismaili, Ahmet Pulaci dhe Haxhi Murati, të akuzuar respektivisht për kryerjen e elementëve të veprave penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 284/1 dhe 28/4 të Kodit Penal; “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/1 dhe 28/4 i Kodit Penal; “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a i Kodit Penal; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga neni 334 i Kodit Penal; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga neni 278/3 i Kodit Penal; “Mbajtja pa leje e municionit të armëve të gjuetisë” parashikuar nga neni 280 i Kodit Penal, si dhe ”Shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.