BallinaSportTatimet bllokojnë aksionet e Partizanit, 95 milionë lekë detyrime të pashlyera

Tatimet bllokojnë aksionet e Partizanit, 95 milionë lekë detyrime të pashlyera

Partizanit, që nga data 9 qershor e këtij viti, i janë bllokuar të gjitha aksionet për shkak të pagesave të pashlyera të tatimeve. Ky është lajmi i zbuluar nga “Panorama Sport”, që mëson se tashmë drejtuesit e klubit të Partizanit nuk mund të kryejnë asnjë veprim në lidhje me transferime, shitje apo dhurim të aksioneve.

Ky vendim është marrë nga Drejtoria e Mbledhjes së Detyrimeve Tatimore të Papaguara, që konstaton se klubi i kuq nuk ka paguar një total prej rreth 9.5 milionë lekësh (95 milionë lekë të vjetra) detyrime, pavarësisht paralajmërimeve të bëra nga institucionet përkatëse. “Regjistrimet tona tregojnë se tatimpaguesi i sipërcituar nuk ka paguar në afatin e kërkuar ligjor, detyrimet në vlerën 9.486.415 lekë. Tatimpaguesit i është dërguar dokumenti ‘Njoftim dhe kërkesë për të paguar’, por ai nuk është paguar ende.

Këto detyrime janë subjekt i masave shtrënguese në përputhje me legjislacionin përkatës tatimor. Drejtoria e Mbledhjes së Detyrimeve Tatimore të Papaguara, Rajoni Qendror, nëpërmjet kësaj mase, synon që në Qendrën Kombëtare të Biznesit, të mos lejohet tjetërsimi mbi pasurinë dhe të drejtat e tjera pasurore, që i përkasin këtij tatimpaguesi, deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve tatimore. Kjo masë vendoset edhe në të gjitha shoqëritë, ku tatimpaguesi ka pjesëmarrje në kapital”, shkruhet ndër të tjera në vendim. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në vijim në lidhje me këtë çështje, me klubin e kuq, që në vitet e fundit nuk ka pasur çështje të tilla detyrimesh dhe është treguar një nga më korrektët e elitës së futbollit tonë.

Duhet thënë se ky vendim nuk është i natyrës që të ketë ndikim në lidhje me pagesat apo të ndikojë në lidhje me të ardhmen e klubit. Në rast pagese, aksionet e klubit të kuq i kthehen normalitetit. Me fitimet e arkëtuara nga shitjet dhe nga shpërblimet në kompeticionet europiane, kjo shifër duket lehtësisht e pagueshme nga klubi kampion. Ndërkohë që skuadra po përgatitet për sfidën ndaj Valmierës, drejtuesve u duhet të përqendrohen në zgjidhjen e këtij ngërçi.

PANORAMASPORT.AL

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular