BallinaEkonomiZak Topuzi: 47% e sektorit të akomodimit që shet përmes platformave online...

Zak Topuzi: 47% e sektorit të akomodimit që shet përmes platformave online është informal; Tatimet: janë 3318 struktura të regjistruara

“Në rast se në BE, problemi më shqetësues mbetet mbrojtja e konsumatorit dhe harmonia mes banorëve rezidentë, tek ne është informaliteti” – shprehet Zak Topuzi, presidenti i Shoqatës së Hotelerisë dhe Turizmit lidhur me akomodimin në strukturat private.

Ashtu siç po ndodh edhe në vende të tjera, strukturat akomoduese përmes platformave online, kryesisht përmes Booking dhe Airbnb, janë prekur nga informaliteti dhe problemet e ndryshme.

Një numër i madh i pronarëve të shtëpive dhe apartamenteve nuk janë të regjistruar zyrtarisht si akomodim turistik. Kjo është një praktikë e paligjshme që shkakton probleme të shumta të sigurisë dhe cilësisë së shërbimeve të ofruara.

Topuzi thotë se 47% e tregut në Shqipëri është informal pa një numër NIPT-i aktiv për sa u përket strukturave akomoduese.

“Sipas një studimi të financuar nga PNUD në bashkëpunim me ATA, në fund të vitit 2022, 47% e sektorit të akomodimit që shet përmes platformave online është informal. Bëhet fjalë për apartamente dhe vila të regjistruara në këto platforma dhe nuk kanë një NIPT aktiv” – u shpreh z. Topuzi.

Sipas politikave tatuese në këto platforma, tatimi mbi strukturat varet nga ligjërimi fiskal i vendit në të cilin ndodhet subjekti dhe praktikat fiskale të aplikuara nga kompanitë e rezervimeve.

Në disa vende dhe qytete, aplikohet një taksë e veçantë mbi çmimin e akomodimit. Kjo taksë është e detyrueshme për të gjithë ata që qëndrojnë në një strukturë akomoduese, pavarësisht nëse ata janë turistë ose banorë lokalë.

Taksat mund të ndryshojnë nga qyteti në qytet dhe aplikohen zakonisht për të mbështetur zhvillimin e turizmit dhe infrastrukturës turistike.

Në shumicën e vendeve, aplikohet TVSH mbi shërbimet e akomodimit të ofruara nga hotelet, apartamentet dhe strukturat tjera të listuara në Booking.com dhe Airbnb.

TVSH është një tatim që shtohet në çmimin e shërbimeve dhe produkteve dhe është e detyrueshme sipas legjislacionit fiskal të vendit.

Sipas tatimeve, subjektet në Airbnb në Shqipëri paguajnë 20% TVSH.

Nëse pronarët e strukturave akomoduese janë subjekte të tatueshme, ata duhet të raportojnë të ardhurat e tyre dhe të paguajnë tatime mbi fitimin e tyre nga shërbimet e akomodimit.

Në zbatim të Ligjit nr.8438 datë 28.12.1998 “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, i ndryshuar, nenet 8 dhe 9, këto të ardhura janë të tatueshme me shkallë tatimore 15%.

Tatimet: 3318 struktura janë të regjistruara, i jemi drejtuar me shkresa zyrtare Booking.com dhe Airbnb

Në një prononcim për Monitor, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tha se në zbatim të dispozitave ligjore të ligjit 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në RSH”, i ndryshuar:

  1. Një person që ushtron veprimtari ekonomike (qoftë ky edhe sezonal) duhet të regjistrohet si tatimpagues që ushtron aktivitet ekonomik (person fizik/person juridik)
  2. Individ që lëshon me qira një ambient me kontratë, në zbatim të dispozitave të Ligjit Nr. 8438, datë 28.12.1998 “ Tatimi mbi të Ardhurat” Neni 7 “ Shtrirja e detyrimit” dhe Neni 8 “E ardhura e tatueshme” është i detyruar të paguajë tatimin mbi të ardhurat personale. Këtu përfshihen edhe rastet kur ambientet jepen me qira ditore.
  3. Për të përfituar shkallën e reduktuar të tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese, çdo subjekt, që ushtron veprimtarinë si strukturë akomoduese, është i detyruar të aplikojë pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, për t’u pajisur me certifikatën e kategorizimit.

Lidhur me pyetjen se sa struktura të tilla janë të regjistruara pranë organit tatimor, tatimet pohojnë se janë 3318 tatimpagues me status “Aktiv” që ushtrojnë aktivitet ekonomik të regjistruar deri në datë 27.07.2023.

Administrata Tatimore sqaron se nëpërmjet strukturave të saj dhe në zbatim të detyrave funksionale, ka identifikuar dhe vijon punën për monitorimin e subjekteve të tilla që ushtrojnë aktivitet ekonomik në kundërshtim me legjislacionin tatimor.

Një ndër masat konkrete që institucioni i tatimeve ka ndërmarrë është adresimi me shkresë zyrtare platformave Booking.com dhe Airbnb me qëllim formalizimin e këtij sektori.

Tregu informal më i madh sesa ai formal?!

Në Shqipëri janë zyrtarisht rreth 41 mijë dhoma me 98 mijë shtretër, sipas të dhënave të INSTAT, që i referohen vitit 2021 dhe janë publikuar në fund në 2022.

Në gjithë vendin funksionuan 1.457 struktura akomoduese (hotele, motele, kampe, bujtina, streha malore dhe struktura të tjera për qëndrime afatshkurtra) deri në fund të vitit 2021, po sipas INSTAT.

Të dhënat e tjera nga Airbnb dhe Booking tregojnë se në maj-qershor kishte gjithsej rreth 28 mijë njësi akomoduese private në apartamente dhe shtëpi, që nuk janë hotele apo resorte.

Nëse llogarisim mesatarisht 2-4 shtretër për një strukturë akomoduese (pasi janë kryesisht apartamente dhe shtëpi që kanë hapësira më të mëdha akomoduese), kapacitetet informale i arrijnë madje dhe i tejkalojnë ato formale.

Rriten edhe net-qëndrimet në hotele

Si një nga motorët më të rëndësishëm të rritjes kombëtare, turizmi gjeneron sasi të konsiderueshme të të ardhurave në buxhetin e shtetit, buxhetin sipërmarrës dhe atë familjar.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2022, ekonomia shqiptare xhiroi rreth 4,5 trilionë lekë. Hotelet dhe restorantet kontribuuan me 11.8% të xhiros totale në ekonomi, nga vetëm 2.3% në vitin 2021.

Edhe pse interesi për shtëpitë e pushimit dhe apartamentet është rritur, tregu i hotelerisë po lulëzon edhe më shumë. Sipas INSTAT numri i vizitorëve jorezidentë, të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme”, gjatë muajit maj 2023 ka shënuar rritje me 45,1% në krahasim me një vit më parë.

Hotelet janë tërheqëse për turistët, për shkak të shërbimeve të ofruara, komoditetit dhe vendndodhjes. Shqipëria ka zhvilluar tregun e akomodimeve turistike dhe ofron zgjidhje të përshtatshme për çdo buxhet dhe preferencë të vizitorëve.

Për pushuesit me buxhet, kostot e hoteleve në vendin tonë janë një faktor befasues, pasi me një çmim të ulët mund të qëndrojnë në struktura me 4-5 yje, gjë e pamundur për vendet e tjera të rajonit.

“U habita me çmimet e hoteleve me 4 dhe 5 yje! Munda të qëndroja në hotele shumë më të mira se në vendet e tjera që udhëtoj me buxhet të ulët”, – tha Krista Ploscenik.

Sipas Eurostat, shpenzimet nominale për një person në BE për hotele e restorante në vitin 2021 ishin 1067 euro, ndërkohë Shqipëria është ndër vendet më të lira në rajon edhe në Europë, me 46.2% të mesatares europiane.

Shpenzimet nominale për banor për hotele e restorante në vitin 2021 në Shqipëri ishin 185 euro.

Çmimet për akomodime ishin nga 8 deri në 80 euro. Më të lira ishin bujtinat dhe më e shtrenjta, një hotel me 5* në Berat, – shprehet Laura Vega

Sipas raportit të Kombeve të Bashkuara për turizmin në Shqipëri, ka më shumë se 150,000 shtretër në hotele të listuara në Booking.com

Nuk ka dyshim se Booking.com është një nga tregjet më të mëdha dhe më të popullarizuara të hoteleve në botë. Edhe hotelet në Shqipëri e përdorin gjerësisht këtë platformë.

Vlora ka peshën më të lartë të hoteleve të listuara në Booking.com (43%), e ndjekur nga Tirana (15%).

Vetëm Saranda ka më shumë se 500 hotele në 60 km² (804 hotele/100 km²). Pjesa më e madhe e akomodimeve janë pranë detit, 26% janë në brendësi të qyteteve dhe pjesa tjetër, në Tiranë. Monitor

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular