Të shtëna me armë zjarri janë raportuar mbrëmjen e sotme (10 gusht) në Korçë, rreth orës 19:00. Policia bën me dije se tre persona janë konfliktuar me njëri-tjetrin për motive të dobëta, gjë e cila është pasuar dhe nga të shtëna arme.
Të përfshirë në këtë ngjarje kanë qenë dy vëllezër Mateo e Dhimitër Dadushi, të cilët janë konfliktuar me shtetasin me iniciale F.R.
Si pasojë njëri nga dy vëllezërit ka qëlluar me armë dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Policia bën me dije se dy vëllezërit janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim.
Njoftimi i policisë
Më datë 10.08.2023, rreth orës 19:00, shërbimet e Policisë sapo kanë marrë njoftim se në lagjen nr. 8, Korçë, po ndodhte një konflikt midis disa shtetasve, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, ku ka rezultuar se vëllezërit Dh. D. dhe M. D.,për motive të dobëta ishin konfliktuar me shtetasin F. R. Gjatë konfliktit dyshohet se njëri prej vëllezërve, ka qëlluar me armë zjarri në ajër dhe më pas janë larguar nga vendngjarja, sapo kanë konstatuar Policinë.
Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim dy vëllezërit, ka rrethuar zonën dhe vijon ndjekjen me qëllim kapjen e tyre.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes.