Inter-Egnatia! Ndoshta edhe në ëndërr nuk mund të imagjinohej, por klubi nga Rrogozhina do të futet në histori të dielën, teksa do të luajë për herë të parë një ndeshje miqësore me skuadrën e madhe italiane.
Kjo është zyrtarizuar prej ditësh dhe do të zhvillohet më 13 gusht ora 20:00 në stadiumin “Paolo Mazza” të Ferrarës. Asnjë klub në historinë e futbollit shqiptar nuk ka pasur rastin të luajë me zikaltrit dhe Egnatia tashmë do të shkruajë historinë me një miqësore ndërkombëtare, që mund të duket e pazakontë, por është një realitet.
Viti 2023 ka përkuar me suksese të jashtëzakonshme për klubin e Egnatias. Fillimisht u sigurua për herë të parë pjesëmarrja në Ligën e Konferencës si vend i tretë i kampionatit, ndërsa më pas u fitua Kupa e Shqipërisë. Pas eliminimit dramatik nga penalltitë në debutimin europian, me dy ndeshje të mbyllura në barazim brenda kohës së rregullt kundër Ararat (1-1 në Armeni dhe 4-4 në Elbasan), kjo miqësore ndaj Interit vjen si një luks në këtë periudhë vere. Por si u arrit deri këtu që Egnatia të luajë me nënkampionët në fuqi të Europës?
Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, presidenti i klubit rrogozhinas, Agim Demrozi, tregon detaje të akordit me italianët dhe atë që sjell për skuadrën e tij ky test luksi. Demrozi beson se do të jetë një stadium i mbushur me tifozë shqiptarë të dielën, ndërsa zbulon se përveç simpatisë që ka për zikaltrit, duke qenë se ka jetuar shumë në Itali, më tepër ka bërë tifo për Lacion.
Zoti Demrozi, si arritët të mundësonit një miqësore ndaj Interit. Kush ju ndihmoi të depërtonit në klubin e madh italian?
Shikoni, unë kam jetuar 30 vite në Itali. Të them të vërtetën, kam shumë miq në botën e sportit dhe kudo në atë vend. Përsa i përket akordit për të zhvilluar këtë miqësore, ka qenë një mik i ngushtë në Itali, që na ka bërë të mundur lidhjen me klubin e Interit. Natyrisht, biseduam gjatë dhe vendosëm për datën se kur do të luhej.
Kur morët OK-in nga klubi italian, cila ishte gjëja e parë që të shkoi në mendje?
Sigurisht që u ndjeva mirë, pasi nuk është diçka e vogël. Unë jam shumë krenar që Egnatia luan me një klub të madh si Interi. Gjithashtu ndihem krenar edhe për futbollin shqiptar, sepse mendoj se ndeshje të tilla na bëjnë mirë për ecurinë si kampionat. Është një reklamë e mirë jo vetëm për Egnatian si klub, por edhe futbollin shqiptar në tërësi.
Thatë që keni jetuar 30 vite në Itali. Skuadra që keni simpati në Serinë A është Interi apo ndonjë klub tjetër?
Unë faktikisht jam tifoz me Lacion, por kam simpati edhe për Interin. Është një skuadër model për t’u ndjekur.
Sa ndikon kjo ndeshje në imazhin e Egnatias si klub, që këtë edicion mori pjesë për herë të parë në Europë?
Pa dyshim që kjo ndeshje ndikon vetëm për mirë. Natyrisht na ndihmon për të rritur imazhin tonë në arenën ndërkombëtare. Është një miqësore që do të ndiqet shumë, sepse luajmë me një klub të madh si Interi. Në Itali ka shumë emigrantë shqiptarë, por padiskutim edhe nga Rrogozhina.
Prej ditësh kanë dalë në shitje edhe biletat, çfarë informacione keni për pjesëmarrjen që mund të ketë të dielën në stadium?
Kur luhen të tilla ndeshje, presim të jenë të shumtë, sepse ne nuk përfaqësojmë vetëm Rrogozhinën, por gjithë Shqipërinë. Në këtë rast jam i bindur që do të ketë shumë tifozë shqiptarë në stadium. Jetojnë shumë emigrantë dhe kërkesat për bileta kanë qenë të larta.
Fituat Kupën e Shqipërisë këtë sezon dhe morët pjesë për herë të parë në Europë, ndërsa tashmë do të luani edhe me Interin. Cila është ëndrra juaj në krye të klubit të Egnatias?
Ëndrra ime është që të fitojë sa më shumë trofe me Egnatian dhe klubi im të jetë gjithmonë prezent në arenën ndërkombëtare.