Nga pasarelat e modës, te divorci dhe burgosja për 10 vite në Shqipëri! E bija rrëfen dramë e italianes Marie Tuçi

0
1265

NGA UVIL ZAJMI

Me familjen Tuçi, më lidh një njohje e hershme. Nisur nga ajo e babait tim, piktor dhe Sabriut, skulptor, të dy studentë në Akademinë e Arteve të bukura në Romë, 1939-’43, një miqësi që ata e ruajtën e vazhduan edhe kur u kthyen në Shqipëri. Më pas edhe ne fëmijët. E veçantë për ne ishte gruaja italiane e tij, Maria, të cilën Sabriu e njohu në Romë, atje u dashurua, martua.

Kujtoj kur Maria vinte në shtëpinë tonë, kur me babanë flisnin italisht edhe pse nuk kuptoja asnjë fjalë, kisha kënaqësi kur i dëgjoja. Madje ajo nuk ja shqiptonte saktë mbiemrin dhe nga “Z”, Zajmi, e thërriste me “X”, Xajmi. Aty kam mësuar për dashurinë së tyre në Romë, e mjaft ngjarje të asaj kohe, si edhe udhëtimin e tyre për në Shqipëri me një anije që rrezikoi të mbytej nga bombardimet gjermanëve. Shoqëria me fëmijët, thuajse me të gjithë nga Haxhiu, Hysniu, Vojsava, Violeta, Teutën, pastaj Karmelinën, dhe Anën, me të cilat ishim më të afërt në moshë.
Pastaj historia e statujës, ku, pse dhe si e realizoi artisti student Tuçi në Akademi më 1940?

Ardhja e saj me anije pas 20 vjetësh në Shqipëri, kur Maria e u kthye bashkë me skulpturën, që e mbanin, e ruanin si kujtim prindërit në Romë. Viti 1969, periudhë e vështirë, delikate e familjes Tuci, përjetimi i dramës nga fëmijët, vuajtjet e tyre, kur me akuzën për tradhti ndaj atdheut, Maria Iorio Tuci dënohet me dhjetë vjet burgim. Ndarja e detyruar e bashkëshortit me gruan italiane, dalja e saj pas një dekade nga burgu dhe largimi në vendlindje në fund të viteve ’80. Si e kujton sot vajza Ana, kur nga Rimini për gazetën “Panorama” thotë: “Më 1991, në Romë shkoi edhe babai, u takua me mamin. Ishte hera e fundit që u takuan, u panë pikërisht në qytetin ku u njohën u dashuruan, dhe ku u ndanë përjetësisht”.

HISTORIA E SKULPTURËS NË MERMER

Ndërsa po kontrolloja në arkivin e babait, bashkë me mjaft materiale, të ruajtura janë edhe disa faqe të një reviste shqiptare të vitit 1942, ku në faqen 7, 8, të saj flitet për studentët shqiptarë në Akademinë e Arteve Bukura të Romës, duke publikuar, shoqëruar me komente edhe punët e para të tyre. Midis tyre edhe busti i një gruaje, ku poshtë saj shkruhet: “Nga ky gur shtufi i gdhendur nga Sabri Tuçi, zbulohet një burrëri trime. Ai ka një prirje të shquar kah fuqia e gdhendjes. Është një shpresë e mirë”. Bëhet fjalë për portretin e një vajze italiane, që më vonë do të jetë pjesë e historisë së veprës dhe e vetë familjes Tuçi.

Bust i realizuar në vitin 1941, në një detyrë kursi nga Sabri Tuçi, student i Akademisë së Arteve të Bukura të Romës, ku si modele është Marie Iorio, “Mis Kazerta”, një bukuroshe 21-vjecare, trup të bukur, flokë kuqërremtë, sy bojëqielli, me një profil të admirueshëm artistik. Që në pak kohë do të jetë edhe dashuria e madhe e artistit shqiptar, e punuar në mermer, dedikuar pikërisht asaj. Ja la familjes së saj në Romë, tashmë të martuar çifti u nis për në Shqipëri. Për 20 vite ajo do të qëndrojë atje, deri kur në vitin 1962 Marija do të rikthehet te prindërit, për të marrë edhe skulpturën e saj. E paraqitur në bienalen e Aleksandrisë në dhjetor 1963-1964, në pavijonin e artit shqiptar, ajo u vlerësua si një ndër veprat e arritura të skulpturës.

Më pas fati i saj do të tronditet, me dramën që goditi Marien, duke qëndruar për shumë vite e pa ekspozuar, në heshtje, vetëm për faktin se personazhi, që përfaqësonte gruan, ishte dënuar, burgosur, konsideruar tradhtare e atdheut. “Ajo është një statujë e përmasave 49x45x30 e punuar në mermer të bardhë, Karare, me mjaft mjeshtëri, dashuri, me një plastikë të ngrohtë e linja tepër elegante dhe me rreptësi të tillë që të mos i shpëtojë asgjë nga karakteri i napolitanes së bukur e shumë simpatike. Ajo mbetet një ndër perlat e artit figurativ kombëtar, vepër me vlerë në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve”, shkruan në librin e tij, “Sabri Tuçi”, skulptori, artisti Idriz Balani.

Anna Tuçi: “U dashuruan në Akademi, ai student ajo modele” Nga të gjithë fëmijët, ajo i ngjan më shumë. “Kam qenë dhjetë vjeçe, kur nga gëzimet e një vajze, te një rini e kaluar pas dramës që goditi familjen tonë, me mamanë e huaj, italiane, të dënuar në burgjet e diktaturës”, thotë për gazetën Ana Tuçi, e larguar kohë më parë në Itali, në Rimini, ku jeton prej shumë vitesh.

Anna, si fillim, si njohën dy të rinjtë, që më pas do të jenë prindërit e tuaj?

Babai ishte në Akademinë e Arteve të Bukura të Romës, më disa studentë të tjerë ish-nxënës të Shkollës Teknike të Vizatimit, kur më 1939 i dërguan në degën e skulpturës në këtë akademi. Mamaja, Marie Iorio, e shpallur “Mis Kazerta”, shkonte aty për të kryer modelen, ku edhe krijuan miqësi, u njohën, u dashuruan. Ajo e prezantoi te prindërit, vëllezërit e saj. Familja e mamasë, napolitane, kishte kohë që ishte transferuar në Romë. Më 1942, u martuan, dhe lindi vëllai i madh, Haxhiu.

Nga Roma në Krujë gjermanët, nuk janë larguar është frikë për një italiane në Shqipëri?

Pasi mbaroi studimet, më 1943, para se të nisej për në Shqipëri, me idenë për të qëndruar pak kohë, për ta njohur mamin me prindërit e tij, babai pati dy propozime: Të qëndronte në Romë në Akademinë e Arteve, o të shkonte në Australi, në një akademi arti atje. Vijnë në Shqipëri, me vëllain Haxhiu, dy vjeç, dhe vendosen në Krujë, te familja e babait. Madje mami ishte shtatzënë, me motrën, Vojsava që lindi aty. Por, qëndrimi në Krujë për një farë kohe, u bë i detyruar, kushtëzuar edhe për faktin se forcat gjermane ende nuk ishte larguar dhe frika për një persekutim të saj si italiane, ishte i madh, deri edhe emrin ja ndërruan në Mereme.

Nuk ka kthim mbrapa, ka vështirësi për vajtje-ardhje drejt Italisë?

Pas vitit 1944, nga Shqipëria nuk mund të dilje lehtë jashtë saj, ishte e vështirë. Edhe për mamin si italiane, u kufizua gjithçka. Sigurisht me shpresën se vajtja në Itali, do të normalizohej, pa menduar se çfarë sistemi, diktature, izolimi do të krijohej, dhe lëvizja e saj për në Romë, do të ishte në ekstrem. E njëjta situatë edhe për gratë e tjera të huaja që ishin martuar, jetonin në Shqipëri.

Familja Tuci vendoset në Durrës, nis një tjetër jetë?

Nisur nga kushtet, jetesa, qëndrimi, në Krujë e detyruan babain që në vitin 1946 të vinte në Durrës, me mamanë dhe Haxhiun 3 vjeç. I dhanë një apartament, ai filloi angazhimet si mësues anglishteje, mori një studio ku punonte skulpturë, dhe jeta për familjen Tuçi ishte normale, modeste. Mamaja nuk punonte, pasi ajo merrej me rritjen e fëmijëve që nuk ishin pak, por shtatë, dy djem dhe pesë vajza. Për të ishte një sakrificë e madhe, la Romën, familjen.

Pak informacion për bustin e mamasë tuaj?

Historinë e asaj vepre e kam me të dëgjuar vite më vonë. Siç tregova, babai i bëri një bust, si shenjë e dashurisë për mamanin, një punim në mermer, dhe ai la në familjen e saj në Romë, me idenë që mund ta merrte kur të kthehej aty, por kjo nuk u realizua. E mbante gjyshi Mikele në shtëpi. Vetëm pas viteve 60-të, ajo do të vinte këtu, do të ishte prezente, do ta kishim pranë ne fëmijët. Sot, ajo vepër artistike, ka vlerë edhe nipërit, simbol i një dashurie të madhe të gjyshërve të tyre. Ndonëse kam qenë e vogël, por edhe unë jam dëshmitare në udhëtimin, ardhjen bustit në Shqipëri.

Ishte udhëtimi në Romë që si garanci jeni ju dhe motra?

Në vitin 1962, gjatë hapjes së një ekspozite në Tiranë, ku ishin edhe drejtues të shtetit, babai përfitoi në çast, duke u thënë njërit prej tyre, çështjen e gruas së tij, që si italiane kishte 20 vjet pa parë familjen, dhe që kërkonte të shkonte në Itali, të shihte prindërit e vjetër në moshë. Me ndërhyrje, u bë e mundur, i dhanë vizë-leje për një qëndrim 3 mujor. Si graranci që do të kthehej e detyruan të merrte me vete dy fëmijët, mua 3 vjeçe, dhe motrën katër vite më e madhe. Jemi nisur me anije nga porti i Durrësit, në Bari, pastaj në Romë me njërin nga dajat që erdhi të na merrte. Nga ai vit, deri më 1990, askush nga familja jonë nuk do të shkonte më në Itali. Prindërit e mamasë ndërruan jetë pa e parë vajzën, fëmijët e saj.

Qëndroni tre muaj ktheheni dhe me vete keni dhe skulpturën e mamasë

Para se të niseshim, babai e këshilloi mamanë të merrte skulpturën. Udhëtimi ishte me anije mallrash, dhe në kthim kishim sjellë veshje, sende shtëpiake, një televizor, midis tyre edhe bustin e mamasë. Unë kam qenë e vogël, por vite më vonë nga bisedat kujtoj se për bustin nuk thanë asgjë si në Itali dhe në Shqipëri, pasi mamaja e paraqiti në dogana si portretin e saj. E kishin ambalazhuar që të mos dëmtohej. Kur erdhëm në shtëpi, mami i tregoi babait për dëshpërimin e madh të gjyshit në Romë, kur ishte ndarë me ne, por edhe me bustin.

Anna, si komunikonit në shtëpi në mamanë?

Në shtëpi, babai me mamanë flisnin italisht, pasi mamaja shumë pak fjalë kishte mësuar, kuptonte, dhe nuk shkruante as lexonte shqip. Pak nga pak edhe ne fëmijët filluam të mësonin e të komunikonim italisht me të. Edhe kur dilte të bënte pazar, blinte diçka në dyqanet përreth e njihnin të gjitha shitëset, kishte krijuar miqësi me to, e respektonin, duke shkëmbyer edhe ndonjë fjalë shqip me to.

Janë vite, jo të lehta për familjen tuaj?

Një e huaj, italiane e vetme pa asnjë të afërt, dhe që dita ditës priste, jetonte me shpresën për të marrë lejen, vizën për të shkuar në Romë e takuar familjen, kryesisht prindërit. Nga njëra hyrje e degës së brendshme në tjetrën, te dyert e ambasadës italiane në Tiranë ku trokiste duke kërkuar mundësinë e një vize. Por e zvarrisnin, e gënjenin, ja shtynin, nuk ja jepnin. Babai punonte, për të na rritur neve. Jetonim edhe me ndonjë ndihmë që na vinte nga Italia, por edhe familja e mamit nuk ishte në gjendje të mirë ekonomike, dajat, tezet kishin familjet e tyre.

Vijmë në vitin 1969, tejet i mbrapshtë siç e përcaktoni edhe ju…

Ka qenë verë e vitit 1969, kur për familjen tonë ndryshoi gjithçka. Krejt papritur arrestohet mamaja. Mendoni çfarë situate, nuk dinim asgjë, tamam si një rrufe. Nuk dinim motivin, u krijua një situatë e rëndë, qyteti ziente nga thashethemet, kanë arrestuar Marien, gruan e skulptorit, etj. E mbajtën disa muaj në hetuesi, gjatë të cilës edhe ne na merrnin, na pyesnin, midis tyre edhe mua. Aty ajo ka vuajtur, i bënin presion që të pranonte akuzat, kur ajo nuk fliste as shqip, dhe komunikimi bëhej me anë një përkthyesi. Mamaja ishte 50 vjeçe, e huaj, deri edhe pasaportën ja morën. Pastaj procesi gjyqësor në Durrës ku kishin njoftuar të ishin edhe qytetarë nga Durrësi, siç veprohej kur donin të bënin shembull dikë. Pastaj dënimi.

Cilat ishin akuzat?

Nuk kishim asnjë informacion, vetëm kur doli në gjyq dhe nga dosja që morëm pas 90-të kemi lexuar njohur për më shumë. E dënuan me tre akuza të rënda, aq më shumë për një grua: Për agjenturë, si agjente italiane që jepte informacion të dhëna ambasadës, agjitacion e propagandë dhe kontrabandë. Se çfarë agjente mund të ishte mami, kur ajo ishte vetëm një grua shtëpiake dhe politikën, nuk e njihte fare. Tjetra ishte ajo për kontrabandë, me akuzën që tregtonte rroba, dhe bëhet fjalë për ato pak rroba të përdorura që i vinin nga Italia, të cilat ajo i shiste, si ndihmë financiare për të mbajtur familjen. Edhe këtë ja konsideruan shkelje. E quajtën fajtore, e dënuan10 vjet burg për tradhti ndaj atdheut. Ka qenë 31 tetor 1969 kur u dha vendimi i gjyqit.

Sa shumë vështirësohet jete e familjes tuaj me një mama të dënuar?

Drama që na goditi ishte e madhe. Unë 10 vjeç, motra para meje, pak më e madhe, ndërsa dy vëllezërit, motrat ishin të martuar, fejuar jetonin në shtëpitë e tyre. Mendoni një baba i vetëm me dy vajza. Në një moment, na pa në sy dhe na tha: Do jetojmë bashkë, unë do të kujdesem për ju. Nga babai, i larguar i ri nga Kruja, pak të afërm kishim. Në Durrës, ai ishte i njohur, i dashur, me humor, shumë popullor, si mësues, mjeshtër, mësues, që kishte edukuar breza artistësh. Dhe pak ditë, javë, gjithçka u shemb, një situatë që vazhdoi për shumë vite. Edhe pasi mami doli nga burgu, u kthye në shtëpi, qëndrimet nuk ndryshonin, njerëzit kishin frikë, na largoheshin, na shmangeshin, evitonin kontaktet, takimet me ne. Mua, që kisha mbaruar gjimnazin për gjashtë vite nuk më dhanë punë.

Edhe për artistin, skulptorin, babain tuaj pati pasoja të rënda?

Babait iu hoq e drejta për krijimtari, të ekspozonte veprat, i morën studion, e detyruan, duke i bërë presion që të ndahej me gjyq me mamin, në të kundërtën do të çojmë në internim bashkë me vajzat i thoshin. Siç veprohej në atë kohë, kur të thërrisnin në lagje, qendra punë, organizata partie. E bëri për të shpëtuar familjen. Në shtëpi mbetëm unë, Lili dhe babi i cili priste pensionin, dhe me të kursenim, blinim për t’ia dërguar mamasë në burg. Vështirësia ekonomike ishte e jashtëzakonshme. Edhe për babain, kanë qenë vitet më të rënda, të vështira në të gjitha drejtimet. Ngrysej në shtëpi, pak dilte. Në atë kohë, me një familjar në burg, lagjja, shkolla, shoqëria, deri edhe komshinjtë të largoheshin. Në Durrës, Lidhja e Shkrimtarëve, artistët, miqtë, shokët e braktisën.

Mamaja ishte e huaj, mundet të mos e dënonin?

Mami ishte shtetase shqiptare jo italiane, dhe në gjyq e ka marrë vesh se kishte këtë nënshtetësi. Se në të kundërtën do ta kishin përzënë nga Shqipëria, do ta kishin kthyer në Itali, siç veprohej me gratë e tjera të huaja që kishin ruajtur shtetësinë e tyre. Dhe për çfarë ishte në burg?. E caktuan në burgun e grave në Kuçovë. Në fillim punonte në punë të rëndë, në fushë, por u sëmur dhe më pas qëndronte në dhomë. Atje në burg mësoi shqip, për të folur, shkruar e lexuar, pasi ishte e domosdoshmëri për të për të komunikuar në atë mjedis të mbyllur. Siç mundet të kalonte orët, ditët javët, muajt, vitet pa folur?

Si vepronit për të parë e takuar mamanë?

Unë dhe motra shkonim në burg një herë në muaj, kurse Teuta, motra, tjetër më e madhe se ne, më shpesh. Ajo ishte e martuar në Tiranë, punonte në artistiken “Migjeni”, por e hoqën prej andej. Udhëtonim me tren, mjete të rastit. Edhe gardianet, gratë e burgosura na njihnin, si dy motra, vajzat e italianes, që troksinim në derën e burgut për të takuar mamanë. Te dera e burgut, i thoshim njërit prej rojeve, që kemi ardhur për mamin. Na merrnin dhe na çonin në dhomën e takimit, një tavolinë me dy karrige.

Edhe ushqimet ju a kontrollojnë?

I përgatisnim dhe i dërgonim ushqim, të cilin e kontrollonin, kishin frikë se mos kishim futur brenda ndonjë gjë. Në ato takime vetëm lot, çfarë mund të flisnim me të. Sa të vështira ishin edhe për ne. Kur ndaheshim, trishtimi na shoqëronte nga burgu që ishte pak në kodër, dhe që ne largoheshim me kokën mbrapa, një dëshpërim që nuk na ndahej deri në shtëpi, ku na priste babai.

Si u informuan prindërit e mamasë në Romë, për dënimin e vajzës së tyre në Shqipëri?

Gjyshi në Romë, pas një kohë e gjatë që nuk bisedonte me mamanë në telefon, shkëmbente letra, u shqetësua dhe pasi e njoftuam, shkonte në ambasadën tonë në Romë e donte informacion për vajzën e tij, ku ndodhej, dhe pse e kishin arrestuar, dënuar. Interesohej, kërkonte amnisti për të. Edhe komunikimi me tezet, dajat, nuk ishte i shpeshtë, nuk kishim telefon në shtëpi, dhe bisedat bëheshin në postë ku gjithcka përgjohej. Ata donin të dinin, interesoheshin për mamin, shëndetin e saj, motivet, akuzat pse e kishin dënuar, por kush mundet t’i informonte realisht për çfarë kishte ngjarë. Unë komunikoja me letra me gjyshen, gjyshin deri kur ai vdiq në gjumë nga dëshpërimi.

Një vuajtje e gjatë për një grua, aq më shumë të huaj, pa asnjë tolerim?

Mami doli nga burgu, më 1969, nuk i falën asnjë ditë. Kishte kaluar dhjetë vitet më të vështira të jetës së saj, tashmë ishte 60-vjec. E morëm me taksi. Ishte e hutuar, e tjetërsuar, në shtëpi gjeti një atmosferë të rëndë. U takua me babin, dhe në ato biseda kërkonte të dinte, motivin e ndarjes. I flisnim, duke e sqaruar se vetëm për të shpëtuar familjen, i detyruar babai e kishte bërë atë veprim. Tundte kokën, pa dhënë asnjë përgjigje.

Kthehet në shtëpi, por një tjetër jetë është për të dhe për ju?

Për të gjithë ishte një vuajtje, por në një mënyrë tjetër për të dhe për ne. I liruam një dhomë. Ashtu kemi jetuar. Pak lëvizim, kishim frikë të dilnim me mamin në Durrës. U mbyll në vetvete duke më rritur vajzën deri 4 vjeç, pastaj u largua.

Dëshiron të largohet nga Shqipëria, të rikthehet në vendin e saj?

Në vitin 1989 ajo u nis për në Itali, vetëm e përcollëm ne, ndërsa atje e prisnin vëllezërit e motrat, pasi prindërit I kishin vdekur. Ishte 70 vjeç. Fillimisht i hoqëm shtetësinë shqiptare, e pajisëm me pasaportë italiane. Atje e prisnin motra, dhe daja e sistemoi në një hotel “Casa di riposo” në Romë. Ndonëse ushqehej, trajtohej mirë, ajo tretej dita-ditës. E vizituan, i doli diabeti.

Në Romë, shkon edhe babai juaj, një takim ndryshe me Marien?

Më 1991, në Itali, vajti edhe babai. Kërkoi dhe u takua me mamin. Një takim në Romë, atje ku ishin njohur 50 vite më parë, në një qytet ku edhe do të ndaheshin përgjithmonë. E shoqëronte daja, me të cilin pa akademinë, shkoi atje ku kishte jetuar, mbante mend të gjitha rrugët. Edhe ata e pyesnin pse e kishte ndarë mamin, nuk e kuptonin, edhe pse ai ja shpjegonte. I sëmurë, qëndroi një muaj në spital, mjekët ja prenë shpresat, u kthye. Jeta e tij, është një tjetër histori, njeri i qeshur, i dashur, sa artist aq edhe familjar. Drama me gruan, që e përjetoi rëndë dhe gjatë, ajo e dërmoi. Ndërroi jetë në vitin 1992, kur ishte 86 vjeç me amanetin që ta varrosnim në Krujë, në vendlindje dhe ashtu vepruam. Pak më vonë i dhanë titullin “Artist i Merituar”, kur ai nuk jetonte. Në Durrës, e kanë nderuar, vlerësuar punë, kontributin e tij, me një bust të realizuar nga skulptori Idriz Balani e vendosur në sheshin “Taulantia”.

Ndërsa mami jetoi shumë vite më pas

Fati i mirë në fatin e keq, jetoja në Rimini, ato ditë shkoj në Romë, ndërkohë që Teuta e kishte marrë në shtëpinë e saj për t’i shërbyer, pasi nuk ishte mirë me shëndet. Nisem nga Rimni me dëshirën të qëndroja unë me mamin, pasi ishte rënduar. Një natë para se të ndërronte jetë, pati një moment që më foli shqip. Natën e tretë, ajo dha shpirt. Ka qenë 10 shkurt 2003, në moshën 84-vjecare. Zoti më çoi te ajo tre ditë para se të vdiste dhe ishte fati im që e pashë të gjallë. Edhe sot e kujtoj, një portret i bukur edhe në ato ditët e fundit të jetës. I kemi bërë një varr, me një fotografi, të Shën Marisë.

Nuk pati asnjë nga ju fëmijët që të ndiqte rrugën e babait?

Jo, askush nga ne. Nga familja jonë, nuk ka qëndruar asnjeri në Shqipëri, të gjithë jemi, Itali. Nuk jeton vetëm Haxhiu, vëllai i madh që është ndarë nga jeta.