BallinaEkonomiInflacioni i importuar pëson rënie të ndjeshme, mbi 80% e rritjes së...

Inflacioni i importuar pëson rënie të ndjeshme, mbi 80% e rritjes së çmimeve vjen nga ekonomia e brendshme!

spot_img
spot_img

Presionet e huaja inflacioniste janë ngadalësuar më tej gjatë tremujorit të dytë të vitit 2023.

Rritja vjetore e treguesit të Presioneve të Huaja Inflacioniste zbriti në 3.4%, nga 16.3% një tremujor më parë. Ky tregues llogaritet si rritja vjetore e indeksit të çmimeve të huaja dhe indeksit së kursit nominal efektiv të këmbimit.

Ngadalësimi lidhet paralelisht me rënien e çmimeve të mallrave në tregjet e huaja, por edhe me forcimin e Lekut në kursin e këmbimit valutor. Rritja e çmimeve të huaja në tremujorin e dytë të vitit ra në 16.2%, nga 25.3% në tremujorin e parë.

Paralelisht me të, mbiçmimi i kursit të këmbimit u zgjerua krahasuar me tremujorin e parë të vitit. Mbiçmimi në terma vjetorë u thellua në 12.8%, nga 9% një tremujor më parë.

Lehtësimi i presioneve të huaja inflacioniste, është materializuar në rënien e vazhduar të kontributit të inflacionit të importuar në atë total gjatë gjithë pjesës së parë të vitit 2023.

Efektet rënëse të çmimeve të lëndëve të para energjetike dhe ushqimore në tregjet e huaja si edhe ato të mbiçmimit të monedhës vendase, janë përcjellë më dukshëm përmes pjesës së tregtueshme të mallrave të shportës së Indeksit të Çmimeve të Konsumit.

Kjo ka bërë që pesha e inflacionit të importuar të zbresë në 19 % të inflacionit total gjatë tremujorit të dytë të vitit, nga 26% në tremujorin e mëparshëm.

Si rrjedhojë, kontributi i inflacionit të importuar në inflacionin e përgjithshëm ka zbritur në 0.9 pikë përqindje, nga 1.7 pikë përqindje gjatë tremujorit të parë të vitit 2023.

Kjo shifër dëshmon qartë se pjesa më e madhe e inflacionit në ekonominë shqiptare gjatë tremujorit të fundit është gjeneruar nga produktet dhe shërbimet e importuara në vend.

Inflacioni i brendshëm rezultoi rreth 4.6% në tremujorin e dytë, me një prirje rritëse përgjatë muajve të tij, por duke qëndruar nën mesataren e tremujorit të parë të vitit aktual.

Nga analizat e lidhjes të treguesve përkatës me vonesa kohore të ndryshme, Banka e Shqipërisë ka arritur në përfundimin se Treguesi i Presioneve të Huaja Inflacioniste paraprin zhvillimet në komponentin e inflacionit të importuar me rreth tre deri në pesë muaj.

Kjo nënkupton se pas tremujorit të katërt të vitit inflacioni i importuar pritet të pësojë një rënie të mëtejshme, për të faktorizuar rënien e TPHI në tremujorin e dytë të vitit.

Por, Banka e Shqipërisë konstaton se dobësimi i presioneve të huaja inflacioniste nuk ka arritur të përhapet gjerësisht tek komponentët më të qëndrueshëm të inflacionin, për shkak të presioneve të larta nga tregu i punës dhe pagat.

Si rezultat, vlerat e inflacionit total vijojnë të diktohen nga normat e larta dhe mbi objektiv të inflacionit bazë dhe të brendshëm, me një kontribut rreth 81% në formimin e inflacionit total.

Sidoqoftë, Banka e Shqipërisë parashikon që trajektorja e inflacionit parashikohet të vijojë kahun rënës, për shkak të presioneve më të moderuara nga çmimet e huaja.

Presionet e brendshme inflacioniste, gjithashtu, pritet të zbuten nën ndikimin e ciklit normalizues të politikës monetare dhe prirjes rënëse të pritjeve inflacioniste afatmesme.

Sipas projeksioneve të raportit të fundit të politikës monetare, inflacioni parashikohet të kthehet në objektiv në mesin e vitit 2024. /Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular