BallinaKryesoreBerisha “fitoi” kullën, opozita të vërtetën, Basha përgjegjësinë e alternativës

Berisha “fitoi” kullën, opozita të vërtetën, Basha përgjegjësinë e alternativës

Nga Gentian Kaba
Unë hyj në radhët e atyre që besojnë te një Parti Demokratike e reformuar, që përballet me korrupsionin dhe lufton për fundin e pandëshkueshmërisë në nivelet e larta, si e vetmja rrugë për t’i dhënë fund tranzicionit dhe për të çelur një kapitull të ri në politikëbërjen shqiptare.
Unë besoj se opozita dhe Partia Demokratike e kanë jetike një marrëdhënie të shkëlqyer me partnerët perëndimorë dhe në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Unë besoj se, nuk ka patur mesazh më të qartë për Partinë Demokratike sesa ai që erdhi nga Uashingtoni përmes ambasadores Kim, kur deklaroi se SHBA-ës mezi presin të festojnë fitoren e PD-së, sigurisht nëse ajo do të mbetej në trasenë e hapur më 9 shtator 2021.
Për dy vjet ajo trase u shndërrua në një vijë demarkacioni mes të shkuarës dhe të ardhmes, mes humbjes dhe fitores, mes reformimit të Partisë Demokratike, si proces që do të përhapet në të gjitha partitë e tjera, dhe status quo-së.
Pozicionimi në krahun e duhur të kësaj rruge ishte tejet i vështirë, jo për së jashtmi, por për së brendshmi, pasi kërkonte pranimin e hipokrizisë me të cilën kemi bashkëjetuar për shumë gjatë, sipas të cilës të këqinjtë, të korruptuarit, abuzuesit ishin gjithmonë të tjerët, ndërsa ne, ishim të keqkuptuarit e mëdhenj, që po trysnoheshim nga një regjim që nuk pranonte zgjedhje të lira, sepse ndryshe populli do vërshonte drejtë ofertës tonë politike sikur të ishin hapur portat e Drinit. Deviza ishte ajo e ndryshimit, por në sytë e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve ajo tingëllonte si riciklim i një pushtetit të vjetër, që nuk kishte forcë të ndryshonte për të sfiduar korrupsionin e qeverisë Rama.
Edhe pse me vonesë, edhe pse me kërkesë të qartë dhe ultimative nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendimi i Bashës për pezullimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD-së, çeli mundësi të reja për këtë forcë politike, e cila mund të hapte velat e të lundronte e qetë drejt një rinovimi që do të çonte tek formimi i një shumice qeverisëse.
Por, ata që kuptuan se rënia e gurit të parë të dominosë (Berishës), i hapte rrugën një efekti zinxhirr të gjithë ekosistemit politik, ekonomik dhe mediatik, u pozicionuan për të penguar me të gjitha mjetet këtë ndryshim. Edhe një trup i sëmurë, siç është ai i politikës shqiptare, ka mekanizmat e vet mbrojtës, antikorpet e tij, për të pamundësuar çdo devijm të mundshëm të pushtetit të cilin e trashëgojnë tradicionalisht nga njëri, tek tjetri.
Kështu nisi revolucioni i Berishës, një sulm frontal ndaj Bashës dhe gjithë atyre që i bënin oponencë rikthimit të tij, pasi në gramatikën e politikës ishte e qartë se një Berisha III, ishte produkt inxhinjerimi mediatik dhe klientelist, pa lidhje me realitetin dhe dinamikën e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Dhe, koha provoi, se kundër ligjësive të politikës nuk mund të ngrihesh, madje tregoi, se mbështetësi dhe sponsorizuesi më i madh i faktorizimit të Berishës ishte Edi Rama, i cili vetëm me një kundërshtar si ai mund të shijojë i qetë frytet e pamerituara të një pushteti të kalbur.
Kjo sot është më e qartë se kurrë, sidomos pasi akuzatori i madh Berisha ndodhet në bankën e të akuzuarve.
Mund ta quajmë karma, apo korrja e asaj që është mbjellur.
Pasi për dy vite, nuk ka kursyer askënd që ka guxuar të mendojë ndryshe nga ai, pasi ka sajuar akuza nga më të tmerrshmet për të gjithë ata, që në PD kërkonin që ai ta trajtonte privatisht shpalljen e tij non grata nga Shtetet e Bashkuara, Berisha ndodhet sot përballë vetes, i goditur nga ato që ka përsëritur, pa u skuqur ndaj të tjerëve.
Mjafton të përdorim kutin e Berishës për ta shpallur atë fajtor, si përfituesi numër një i kullës 64 katëshe që po ngrihet në qendër të Tiranës. Për këtë do të mjaftonin heshtja dhe sikleti në përballjen e kësaj çështje, kur të tjerët i ka akuzuar për shumë më pak; pa i hyrë këtu lidhjeve mes oligarkëve që mbajnë bashkë fijet që thurrin interesat e shkuara e të reja të grupimit të Berishës, për të thënë pa i’u dridhur qerpiku që ai është në pazar me Ramën.
Një akuzë që nuk i’a ka kursyer Bashës për muaj me radhë, sapo interesat personale të Berishës u prekën. Dhe, si për ironi të fatit, Berisha që akuzonte Bashën për ngritjen e një kulle tek zyrat e PD-së, që ish-kryeministri mban të zaptuara në shkelje të ligjit por me bekimin e Maliqit, ka dalë në sytë e të gjithëve ashtu siç është, shpresa e vetme e Ramës dhe e klientelës së përbashkët për të vijuar biznesin, si zakonisht.
Pra, pas dështimit të revolucionit që do të shkërmoqte Ramën për 6 muaj, pas izolimit ndërkombëtar, pas sabotimit të zgjedhjeve për kampin opozitar më 14 maj, sot, në sytë e demokratëve, edhe atyre që mund të jenë prekur nga retorika e foltores, Berisha është partneri që Rama ka zgjedhur për të mbajtur opozitën ashtu siç i pëlqen kryeministrit.
E kundërta mund të thuhet për Bashën.
I rikthyer pas dorëheqjes që bëri për t’i dhënë një shans bashkimit, apo edhe një riorganizmi më të mirë të PD-së nga ata që i kërkuan largimin vitin e shkuara, Basha tregoi se nuk kishte asnjë interes personal apo frikë, siç pretendohej nga Berisha, për vendimet që kishte marrë në dobi të forcës politike që sot drejton përsëri.
E ndryshe nga Berisha, që ditën bërtet si Akili përpara mureve të Trojës, ndërsa natën kurdis interesat me njerëzit e Ramës, Basha është sulmuar realisht nga kreu i Partisë Socialiste.
Rastet janë të shumta, nga shpifja më banale me “kasetën” e Krushës, deri tek intriga më e rafinuar me korruptimin nga ana e Ramës e agjentit të FBI-së, për të sajuar dosjen ruse, e cila po i kushton shumë kryeministrit në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Dhe, në barazi faktorësh, pyetjes se cila është opozita që kërkon Rama përballë, përgjigjja është më e thjeshta: Ajo me të cilën e bashkojnë njerëzit që vajisin punët respektive të dy kampeve.
Për këtë arsye, nëse Berisha dhe njerëzit që ai ndan me Ramën, ata që e kanë mbështetur ekonomikisht në revolucionin e tij të shtrenjtë, fituan një kullë, opozita fitoi të vërtetën, ndërsa Basha fitoi përgjegjësinë për të ndërtuar një alternativë që sfidon armiqtë besnik të tranzicionit.
Nga kjo javë akuzat e Berishës ndaj Ramës do të intensifikohen, do të bëhet edhe më agresiv, madje do të thërrasë protesta për ta rrëzuar regjimin me të gjitha mjetet, por, tashmë të gjithë e kanë të qartë se është vetëm një shfaqje, që nuk matet me rezultatet që shpall KQZ-ja, por QKB-ja.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular