BallinaAktualitetAzilkërkuesit në Gjermani/ DW: Turqia kapërcen Afganistanin! Dy arsyet pse ka ndodhur...

Azilkërkuesit në Gjermani/ DW: Turqia kapërcen Afganistanin! Dy arsyet pse ka ndodhur kjo

spot_img
spot_img

Gjithnjë e më shumë njerëz nga Turqia po vijnë në Gjermani. Ka dy arsye kryesore për këtë. Po cilat janë ato?

“Të jetosh në frikë dhe pasiguri çdo ditë dhe duke pritur çdo sekondë që policia të vijë në derë sërish, të të nxjerrë nga shtrati, të të çojë në stacion dhe të të torturojë… Nuk duruam më. Pasi vdiq babai, ne e lamë vendin dhe ikëm”. Ish-mësuesi i anglishtes B.K. flet me qetësi për gjërat që ka kaluar. Ai tregon se si ai dhe gruaja e tij u larguan nga Turqia në mëngjesin e 1 nëntorit dhe u nisën në ujërat e rrezikshme të Egjeut. Ata arritën në Gjermani shtatë javë më vonë. Që atëherë, çifti ka jetuar në një vendstrehim refugjatësh – pranë Aachenit.

Së fundmi çifti ka aplikuar për azil. Aktualisht janë në pritje të vendimit. Të dy ata u dënuan në Turqi për anëtarësim në “organizatën Gylen”. Lëvizja e predikuesit islamik me bazë në SHBA, Fethullah Gylen konsiderohet një organizatë terroriste në vend. Qeveria turke e akuzon atë se qëndron pas përpjekjes për grusht shteti të vitit 2016.

Turqia e kalon Afganistanin

Ashtu si çifti K., më shumë se 23 mijë shtetas turq aplikuan për azil në Gjermani deri në fund të korrikut të vitit 2023. Sipas Zyrës Federale për Migrim dhe Refugjatë (BAMF), kjo është një rritje prej 203 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në Indeksin e Vendit të Origjinës 2023, Turqia renditet e treta pas Afganistanit dhe Sirisë. Nëse shikojmë vetëm korrikun, Turqia renditet madje e dyta pas Sirisë, me 3.791 aplikime.

Ky nuk është një zhvillim befasues për ekspertët turq. Shumë e kishin parashikuar këtë mundësi pas rizgjedhjes së presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në këtë post.

“Të paktën gjysma e atyre që nuk votuan për Erdoganin janë të zhgënjyer,” thotë Dündar Kelloglu, një avokat dhe anëtar bordi i Këshillit të Refugjatëve të Saksonisë së Ulët. Kjo gjysmë kishte shpresuar një ndryshim të qeverisë dhe përmirësimin e situatës politike dhe ekonomike. Kelloglu vëren se një depresion i thellë po përhapet aktualisht në mesin e opozitës në vend. “Nuk ka pasur asnjë atmosferë kaq pesimiste pas grushtit të shtetit ushtarak të vitit 1980”, thotë ai në një intervistë për DW. Sipas tij, situata politike është ende shumë e tensionuar. Persekutimi i disidentëve vazhdon pa pushim.

Veçanërisht pas tentativës për grusht shteti në vitin 2016, qeveria turke ka goditur edhe më shumë kritikët. Mijëra anëtarë të opozitës janë në burg prej vitesh, e disa mijëra kanë humbur punën nën dyshimin për terrorizëm. Kushdo që aplikon për një punë, qoftë në shërbimin publik apo në pjesë të mëdha të sektorit privat, ka nevojë për kontakte të mira me partinë në pushtet ose me fondacionet fetare dhe vëllazëritë afër saj. Shumë anëtarë të opozitës janë të frustruar dhe po largohen nga vendi i tyre.

Nuk ka liri të fjalës – por inflacion dhe papunësi

Përveç kësaj, sipas Dr. Yasar Aydin, studiues i migracionit në Fondacionin për Shkencë dhe Politikë (SWP), Turqia aktualisht kërcënohet me një krizë ekonomike që do ta vështirësojë edhe më shumë gjendjen. E gjitha kjo do të thotë se perspektivat e së ardhmes, veçanërisht për njerëzit e arsimuar mirë, po bëhen më të zymta nga dita në ditë. Shumë në Turqi nuk shohin më një të ardhme të mirë për veten e tyre dhe po ikin drejt Gjermanisë.

Situata ekonomike në Turqi është përkeqësuar me shpejtësi, veçanërisht gjatë dy viteve të fundit. Kryesisht për shkak të politikës së normave të ulëta të interesit të presidentit turk Erdogan, lira po humbet vazhdimisht vlerën dhe inflacioni po rritet shumë. Së fundmi, sipas shifrave zyrtare, inflacioni ishte rreth 48 për qind, ndërsa në fund të vitit, Banka Qendrore pret madje një inflacion prej 58 për qind. Një pjesë e madhe e popullsisë janë varfëruar.

Pas zgjedhjeve të majit, Erdogani premtoi përmirësime. Me emërimin e përfaqësuesve të ekonomisë në Ministrinë e Financave dhe Bankën Qendrore, Presidenti ka nisur një largim nga politika e tij e normave të ulëta të interesit. Që atëherë, taksat dhe normat e interesit janë rritur ndjeshëm disa herë, duke bërë që inflacioni të rritet edhe më shumë.

Zgjedhjet lokale do të mbahen në Turqi në pranverën e vitit 2024. Erdogani dëshiron që së pari të marrë nën kontroll inflacionin dhe të rifitojë nga opozita qytete si Stambolli, Ankaraja, Izmiri dhe Antalia, të cilat përbëjnë një pjesë të madhe të prodhimit ekonomik të vendit.

Trefishimi i shifrave

Por jo shumë njerëz besojnë se situata ekonomike dhe politike do të përmirësohet. Në mënyrë të veçantë, njerëz të trajnuar mirë dhe anëtarë të opozitës po largohen nga vendlindja e tyre. Me tre milionë njerëz me origjinë turke, me familje dhe të njohur, si dhe me rrjete dhe struktura të krijuara, Gjermania është bërë një destinacion tërheqës për shumë njerëz nga Turqia, të cilët gjithashtu emigrojnë në Gjermani edhe përmes rrugëve ilegale.

Në vitin 2021, kërkuan mbrojtje në Gjermani 7067 shtetas turq. Vetëm një vit më vonë, numri i kërkesave për azil ishte trefishuar, duke arritur në 23.938. Ndërsa në vitin aktual, shifra prej 23.000 u tejkalua tashmë në fund të korrikut.

Studiuesi i migracionit Yasar Aydin supozon se numri i njerëzve që kërkojnë mbrojtje do të rritet në vitet e ardhshme ose do të mbetet në këtë nivel të lartë. “Zhvillimet politike dhe vështirësitë e ardhshme ekonomike tregojnë se emigrimi nga Turqia do të vazhdojë”, parashikon ai.

Shkalla e njohjes së azilit po zvogëlohet

Ndërsa numri i turqve që kërkojnë mbrojtje është rritur ndjeshëm, shkalla e njohjes së azilit për këta persona ka rënë vazhdimisht në vitet e fundit. Këtë vit ka rënë në 15 për qind. Në vitin 2022 ishte 27,8 për qind.

Pse shkalla e mbrojtjes ka rënë kaq shumë? A beson BAMF se situata e të drejtave të njeriut dhe sundimi i ligjit janë përmirësuar në Turqi? BAMF thekson se çdo procedurë azili duhet të shikohet inidividualisht por edhe zhvillimet sociale dhe aktuale në vendet e origjinës së aplikantëve janë të përfshira në çështjen e përgjithshme. Këto vlerësime luajnë rol në vendimin nëse një person do të fitojë azilin apo jo.

Situata në Turqi nuk është përmirësuar, por BAMF ka ndryshuar sistemin e vlerësimit të gjendjes në Turqi. Sipas tij, njerëzit kanë marrë mbrojtje më herët nëse janë të përndjekur politik apo kërcënohen me burgim. Por kohët e fundit janë njohur vetëm kërkesat për mbrojtjen e njerëzve që janë dënuar me burgim nga ndonjë gjykatë. Për personat që janë në kërkim nga policia apo që janë në ndonjë proces gjyqësor po refuzohen kërkesat.

Sipas Kelloglu, kjo justifikohet me faktin se të përndjekurit mund të shpallen të pafajshëm nga autoritetet më të larta në Turqi. Sipas Kelloglu, disa gjykata në Gjermani mendojnë madje se në Turqi nuk pritet ndonjë dënim i gjatë me burg për shkak të shkeljes së rregullave në opinion. “Prandaj edhe shkalla e mbrojtjes përmes azilit është në rënie”, thotë avokati.

Mësuesi turk i anglishtes B.K., i cili ka aplikuar për azil me gruan e tij në qershor, është i sigurt së kërkesa e tij do të aprovohet. “Ne shpresojmë për një vendim pozitiv,” thotë ai. Përndryshe ai nuk di ku të shkojë. Familja e ka ndërprerë kontaktin me ta kur u dënuan, sepse kishin frikë nga represioni. “Pra, ne kemi vetëm këtë shpresë dhe asgjë tjetër nga askush”..DW

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular