Drama në familjen Manjani në Bulqizë, ku djali i tyre 26 vjeçar u vra nga Dorjan Dema duket se nuk ka fund
Sipas News24, familja nuk ka mundur që të tërheqë trupin e pajetë të Dritan Manjani i cili u vra para shtëpisë së tij nga 30-vjeçari.
Familjarët thonë se shkak është bërë mungesa e mjekut ligjor në spitalin e Bulqizës. Për shkak se në këtë spital mungon mjeku ligjor, është dashur që të vijë një mjek nga Tirana për të kryer autopsinë e trupit të viktimës.
“Prej orës 10 dhe deri tani, nuk ka pasur mjekë. Tani erdhi nga Tirana mjeku dhe do të bëhet autopsia. Ka mbi 1 vit që nuk ka mjek.”, tha një qytetar për News24.
Si ndodhi ngjarja
Krimi i rende ndodhi pas një sherri në lokal mes dy të rinjve mbrëmjen e së hënës (14 gusht). Pas konfliktit, viktima iku në shtëpinë e tij dhe po hante bukë, kur autori e thirri të dilte jashtë.
26-vjeçari ka dalë jashtë banesës, por ka rezultuar fatale për të, pasi fqinji e goditi me mjet prerës. Ai u dërgua në spital por nuk u mbijetoi dot plagëve të marra
Policia raportoi se Dritan Manjani u godit me kaçavidë, por sipas fqinjëve, autori e qëlloi me thikë.
Deshmia
Sipas një banori të zonës, i cili piu kafen e fundit me viktimën, autori ishte duke ngrënë dhe pirë me 5 persona të tjerë në të njëjtin lokal.
“Unë piva një kafe me të ndjerin, por unë u largova dhe e lash të ndjerin në lokal. Autori ishte me 4 veta të tjerë duke ngrënë meze e duke pirë birra. Se di se çfarë ndodhi më pas.
Ai nuk u bashkua me ata, por ishte tavolinë tjetër. Thonë se ka nisur konflikti në lokal, por aty kanë ndërhyrë dhe i kanë ndarë. Më pas viktima, rreth orës 9 e gjysmë e kanë thirrur te shtëpia. Ai ishte duke ngrënë bukë dhe kur ka dalë i kanë shtirë me thikë dhe jo me kaçavidë siç kanë thënë”, tha ai.