Biznesi ka lulëzuar në konsulencën e emigracionit, që kur BE-ja premtoi të godiste programet e marrjes së shtetësisë duke investuar.
Programet e Europës për marrjen e shtetësisë duke investuar, janë ende aktive, pavarësisht thirrjeve nga i gjithë spektri politik, për t’i dhënë fund.
Në Greqi dhe Portugali, numri i vizave të dhëna muajt e fundit, ka qenë në rritje dhe kërkesa në Itali dhe Spanjë, ka arritur nivele rekord.
Të ashtuquajturat viza të arta, u lejojnë të huajve të pasur, të fitojnë rezidencën e vendit të BE-së ku investojnë – dhe si rrjedhojë, një rrugë drejt shtetësisë – duke investuar në pasuri të paluajtshme lokale, ose asete financiare. Edhe pse këto programe kanë disa kërkesa, që duhen plotësuar, disa prej tyrë kërkojnë të shpenzoni jo më shumë se një javë në vit, ne atë vend.
Më shumë se 132,000 njerëz morën nënshtetësinë, përmes këtyre programeve, midis 2011 dhe 2019, dhe goditjet politike janë intensifikuar, pasi ato janë shoqëruar me rritjen e çmimeve të pronave dhe rregullore të dobëta. Anëtarët e Parlamentit Europian dhe Komisionit Europian, u kanë kërkuar vendeve të BE-së, që t’i mbyllin ato, dhe Irlanda dhe Britania e Madhe, e kanë bërë tashmë këtë. Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës, ka vënë në shqyrtim vizat e arta, siç e tha deputeti belg Saskia Bricmont, një mënyrë e mundshme për “oligarkët, kriminelët dhe politikanët e korruptuar”, që të “blejnë rrugën e tyre në Europë dhe të pastrojnë paratë, imazhin dhe identitetin e tyre. ”
Thirrjet për të hequr vizat e arta, po fitojnë vëmendje. Kryeministri i Portugalisë, njoftoi fundin e programit të vendit të tij, në një konferencë shtypi në shkurt, duke deklaruar se “asgjë nuk e justifikon këtë regjim special”. Greqia dyfishoi pragun e saj të investimeve, nga 250,000 euro në 500,000 euro, në pjesë të caktuara të vendit. Mali i Zi u zotua t’i japë fund programit të tij, dhe Spanja po peshon nëse do të rrisë investimin minimal nga 500,000 € në 1 milion € – ose do ta heqë plotësisht atë
Megjithatë, për gjithë këtë, ka pak prova se vizat e arta janë më të vështira për t’u marrë.
“Ne nuk kemi vërejtur ndonjë ndryshim të rëndësishëm, në vështirësinë e marrjes së një vize,” tha Patricia Casaburi, drejtore menaxhuese në konsulencën e emigracionit Global Citizen Solutions.
Dhe më shumë njerëz se kurrë, po përpiqen të hyjnë sa munden.
Të prezantuara pas krizës financiare të vitit 2008, për të tërhequr kapitalin e huaj, vizat e arta u bënë veçanërisht të njohura gjatë pandemisë, pasi amerikanët, që kërkonin një mundësi tjetër, u dyndën në Europë.
Ndërsa politikanët në të gjithë Europën kanë folur për vendime të mëdha, legjislacioni që ata kanë miratuar, për të kufizuar vizat e arta, nuk ka qenë aq i ashpër. Portugalia hoqi opsionin e rezidencës përmes investimit në pasuri të paluajtshme në korrik, por la të paprekur mundësinë për të huajt, për të marrë rezidencën, nëse investojnë të paktën 500,000 € në kompani vendase, ose fonde që nuk lidhen me pasuri të paluajtshme. Holanda është ende duke pranuar aplikime për viza të arta, pavarësisht se ka njoftuar planet për të përfunduar programin e saj. Në të njëjtën situatë ndodhet edhe Mali i Zi.
Qiproja ndryshoi kornizën e vizave këtë maj – më parë, anëtarët e familjes së një investitori, mund të merrnin gjithashtu viza të arta – por kryesisht e la programin të pandryshuar. Bullgaria vuri në fuqi skemën e vizave të arta këtë vit, pasi e mbylli atë në 2021. Malta ka refuzuar të reformojë programin e saj, pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga Komisioni i BE-së, për ta bërë këtë. Dhe rritja e pragjeve të investimeve, siç bëri Greqia kohët e fundit, nuk konsiderohet një pengesë kryesore.
“Për njerëzit me pasuri rreth 5 deri në 7 milionë dollarë, një investim prej 500,000 dollarësh për të marrë rezidencën në BE, është i mirë,” tha Nuri Katz, themeluesi i konsulencës së emigracionit me bazë në Kanada, Apex Capital Partners.
Ndër vendet, që kanë hequr programet e tyre, ofrohen opsione të tjera. Ndërsa nuk ka një ekuivalent të vizave të arta, alternativat si vizat nomade dixhitale, të dizajnuara për punonjësit në distancë, që kërkojnë të jetojnë jashtë vendit, janë gjithnjë e më të njohura. Themeluesit e interesuar për të krijuar një biznes në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Irlandë ose Gjermani, mund të aplikojnë gjithashtu për viza të veçanta të investitorëve, të cilat japin qëndrim të përkohshëm dhe një rrugë për një qëndrim të përhershëm. Në të dyja rastet, kërkesat janë më të rrepta se ato të vizave të arta: Vizat nomade dixhitale, kërkojnë që marrësit të kalojnë pjesën më të madhe të vitit në vend, dhe vizat e investitorëve, kërkojnë paraqitjen e planeve të qarta të biznesit dhe raportet vjetore, si dhe kryerjen e një investimi paraprak.
Pasiguria për të ardhmen, e programeve të vizave të arta, ka qenë një ndihmë për konsulentët e emigracionit. Firma me bazë në Londër, Get Golden Visa, regjistroi një rritje prej 127% në kërkesat për vizat e arta portugeze dhe greke, në gjysmën e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Consultancy Henley Partners, tha se interesi ishte në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, me kërkesat deri në 125% për programet në Itali. Global Citizen Solutions, vuri në dukje një rritje prej 20%, të pyetjeve për vizën e artë të Portugalisë, në krahasim me vitin e kaluar.
Numri i vizave të arta, të dhëna në Portugali vetëm në maj, arriti në 180, sipas statistikave të qeverisë. Në Greqi, ky numër arriti në 412, 87% më shumë se një vit më parë
Spanja dha 2,462 viza të arta në total vitin e kaluar, 60% më shumë nga viti 2021. Italia gjithashtu dha 79 viza të arta vitin e kaluar, kryesisht për rusët, amerikanët dhe britanikët. Kjo është gati dyfishi i shumës së një viti më parë, dhe shifra më e madhe, që kur vendi filloi programin e tij në 2018.
“Sa herë, që qeveritë kërcënojnë të mbyllin këto programe, ka një rritje të kërkesës së njerëzve, që përpiqen të bëhen pjesë e tyre, para se të mbyllen,” tha Katz. “Është e shkëlqyeshme për biznesin.”
Mundësia për të dështuar
Arsyeja kryesore, pse konsulentët e emigracionit nuk janë të shqetësuar, për zhdukjen e këtyre programeve, është thjesht për shkak të parave që janë në lojë. Gjatë dekadës së fundit, vendet e dhënies së vizave të arta në të gjithë Europën, kanë marrë rreth 25 miliardë euro në total investime të huaja direkte, nëpërmjet këtyre programeve. Portugalia, ka qenë një nga përfituesit e mëdhenj ndër vite, duke sjellë 6.8 miliardë euro.
“Ne ende i këshillojmë klientët tanë, që të marrin viza të arta,” tha Peter Franke, një avokat emigracioni në Spanjë. “Këto programe janë shumë të mëdhenj për të dështuar.”
Kjo dinamikë është veçanërisht e theksuar, në ekonomitë e Europës Jugore, të cilat priren të jenë më të varura nga kapitali i huaj. Vende të tilla, kanë më pak gjasa të mbyllin plotësisht derën e vizave të arta, tha Will Harvey, një profesor në Universitetin e Bristolit në MB, i cili studion reputacionin dhe emigrimin e kualifikuar.
Vendet, që kanë të bëjnë me borxh të lartë dhe rritje të ulët, ndërsa përpiqen të përmbushin objektivat ambicioze klimatike, kanë më shumë gjasa të kenë nevojë për kapital të huaj, thonë ekonomistët. Kjo do të thotë, se nëse programet e vizave të arta reformohen ose eliminohen, stimuj të tjerë tatimorë mund t’i zëvendësojnë ato. Në Spanjë, një ligj i miratuar këtë janar, lejon jorezidentët – duke përfshirë ata me viza nomade dixhitale – të paguajnë një taksë të sheshtë prej 24% mbi të ardhurat, deri në 600,000 € për gjashtë vjet, krahasuar me një normë tatimore prej 47% për banorët e grupit më të lartë të të ardhurave.
Megjithatë, nëse kufizimet e reja i largojnë njerëzit nga kërkimi i qëndrimit brenda BE-së, Casaburi i Global Citizen Solutions tha se Amerika Latine dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat ofrojnë gjithashtu viza tërheqëse, janë opsione të mira. Dhe për ata, që dëshirojnë të zhvendosen menjëherë, vizat nomade dixhitale janë të disponueshme në Spanjë, Greqi, Portugali dhe Itali. /Monitor