BallinaKryesoreZbardhet letra e ambasadorit nga Pekini, për “zullumet” e diplomacisë shqiptare (Dokumente...

Zbardhet letra e ambasadorit nga Pekini, për “zullumet” e diplomacisë shqiptare (Dokumente sekrete)

spot_img
spot_img

Dashnor Kaloçi
Publikohen disa dokumente arkivore me siglën “sekret”, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë të vitit 1972 dhe janë pjesë e një dosje ku ndodhet një korrespodencë e gjatë, ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, ambasadës shqiptare në Pekin dhe sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me punën dhe problemet që kishin dalë pranë përfaqësisë diplomatike shqiptare në Pekin.

Raport-informacionet e plota të shefit të Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë të Komitetit Qendror të PPSh-së, Piro Bita dhe ambasadorit shqiptar në Pekin, Xhorxhi Robo, lidhur me konfliktin ndërmjet dy punonjësve të asaj përfaqësie diplomatike, këshilltarit ekonomik Kleo Bezhani dhe sekretarit të organizatës bazë të partisë, Neço Konomi, ku midis të tjerash, thuhet: “Kleo i bëri vërejtje dhe Neços dhe i tha që t’i plotësonte. Në bisedën e bërë në zyrën e Kleos, Neçua kundërshtoi që t’i bëjë këto vërejtje dhe i thotë që këto janë burokratike dhe nuk t’i bëj. Këtu, filloj acarimi. Kleo i tha se duhet t’i bësh. Kleo pretendon se i tha, se kështu si i ke bërë këto materiale, janë rrëmujë, kurse Neço pretendon se i ka thënë: fodull dhe mendjemadh.

Dokumenti me raport-informacionin e hartuar nga ambasadori shqiptar në Pekin, Xhorxhi Robo, dërguar shefit të sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, Piro Bita, lidhur me konfliktin midis dy funksionarëve të asaj përfaqësie diplomatike, Kleo Bezhani dhe Neço Konomi.

              Shokut Piro Bita

                         Tiranë

Po ju njoftojmë për një grindje që ka ndodhur midis shokëve, Kleo Bezhani, Këshilltar Ekonomik dhe sh. Neço Konomi, sekretar i organizatës. Grindja ka ndodhur në kohën që unë isha në ekskursion, me t’u kthyer, fillova ta hetoj.

Si ka ndodhur ngjarja? Do të bëhesh mbledhja e përfaqësisë tregtare për të analizuar detyrat e tremujorit të parë. Kleo, si përgjegjës, i kërkoi të dhëna të gjithë shokëve të objekteve, midis tyre, edhe Neços. Shokët e tjera, ja dhanë ashtu si i kërkonte, kurse Neçua në përgjithësi.

Kleo i bëri vërejtje dhe Neços dhe i tha që t’i plotësonte. Në bisedën e bërë në zyrën e Kleos, Neçua kundërshtoi që t’i bëjë këto vërejtje dhe i thotë që këto janë burokratike dhe nuk t’i bëj. Këtu, filloj acarimi. Kleo i tha se duhet t’i bësh.

Kleo pretendon se i tha se, kështu si i ke bërë këto materiale, janë rrëmujë, kurse Neço pretendon se i ka thënë: fodull dhe mendjemadh. Neçua, duke mos e përmbajtur veten, në formë të ashpër dhe të nxehur, i ka thënë: fodull, maskara, dembel etj.

Kleo i tha të dalim dhe ai doli dhe shkoi në zyrën e tij ku janë dhe Gëzim Lika dhe Reiz Xhelili. Në zyrën e Kleos, është biseduar dhe për disa të dhëna pune që Neçua nuk i kishte vënë Gëzim Likës. Neçua, me t’u kthyer në zyrë, pyet Gëzimin për këto dhe Gëzimi i thotë se nuk m’i ke dhënë. Në këtë kohë, vjen edhe Kleo. Dhe kështu bëhet grindja më e madhe.

Neçua i nxehur me zë të lartë, pa e përmbajtur veten, i thotë prap fjalë të këqija, duke shtuar edhe fjalët provokator, edhe edepsëz dhe palaço. Bile, ishte rrezik dhe të rriheshin. Kleo, mban gjakftohtësinë dhe i thotë vetëm: je fodull dhe mendjemadh. Sh. Spiro Rrusha që ka zyrën poshtë, ngjitet lart, ndërhyn dhe pushon grindjen. Kjo është e gjithë ngjarja.

Unë, me t’u kthyer, fillova të hetoj. Kam biseduar me Spiron, Gëzimin, Reizin, Kleon dhe Neçon, veç e veç. Nga hetimi, dalin ato që janë thënë lart. Shokët Gëzim dhe Reiz, thonë se nuk dimë ç’është bërë në zyrën e Kleos, vetëm kam dëgjuar fjalët me tone shumë të lart, kurse, për zënien që është bërë në prezencë të tyre, thonë se është e shëmtuar.

Thonë që Neçua, qe i përmbajtur dhe tha ato fjalë fyese që u thanë më sipër dhe ishte rrezik të rriheshin. Spiro, thotë që: edhe kur u ngjit në dhomë për të pushuar grindjen, Neço, qe i papërmbajtur. Unë bërë edhe ballafaqimin e Kleos me Neçon, ku ishte dhe Spirua. Në përgjithësi, janë ato që ju përshkrova më lart.

Neçua, bëri një farë autokritike, dhe i kërkoi Kleos ndjesë, por ai akoma nuk është treguar si duhet. I pyeta nëse kanë gjëra të grumbulluara dhe të vjetra, Kleo thotë se për disa rase që Neço, mund të jetë prekur, se e ka kritikuar, ka kërkuar llogari, etj. Neço, thotë se grindja është e rastit. Mendojmë që mund të mos jetë kështu, se nuk kuptohet një shpërthim kaqë i madh.

Këtë çështje nuk e kemi përfunduar akoma, do ta shtrojmë në Byro dhe në organizatën bazë. Kur të vij unë në Tiranë, do t’ju njoftoj për mbledhjen e Byrosë dhe të organizatës bazë dhe do të bisedojmë.

Kemi marrë masa që, puna në sektorin e tyre të vazhdojë normalisht dhe ashtu vazhdon, por prap, do të kemi kujdes.

Ju njoftoj se të dy janë të sëmurë. Neço qëndroi për afro dy muaj në spital dhe Kleo, dje u shtrua në spital.

Po njoftoj dhe shokët Nesti Nase dhe Kiço Ngjela, për këtë.

                       Përshëndetje

                       Xhorxhi Robo

Dokumenti me raport-informacionin e hartuar nga sektori i Marrëdhënieve me Jashtë pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me ngjarjen e ndodhur në ambasadën shqiptare në Pekin dhe problemet e vazhdueshme që ekzistonin në organizatën bazë të partisë të asaj përfaqësie diplomatike

                                                           INFORMACION

                  MBI DISA PROBLEME QË DALIN NË ORGANIZATËN E PARTISË PEKIN

Nga studimi i pesë protokolleve të mbledhjeve të Organizatës së Partisë, i informacionit përmbledhës të sekretarit të organizatës, dhe i letrës së dërguar nga shoku Xhoxhi Robo, rezulton se: në përgjithësi organizata bazë është përpjekur dhe ka punuar mirë, duke trajtuar ato probleme që e kanë shqetësuar atë dhe përfaqësinë, por ne vëmë re që dalin dhe disa çështje që meritojnë vëmendje.

1 – Siç theksohet dhe në materialet e dërguara aty këtu, ka pasur hezitime në njohjen e rolit udhëheqës të organizatës në të gjithë veprimtarinë e punës në ambasadë. Kjo është arsyetuar me atë që në ambasadë, ka një punë specifike dhe se organizata duhet të merret vetëm me çështjen e edukimit. Dhe llogaria për punën e kryer, nuk mund t’i jepet tjetër, veçse dikasterit nga ku varet çdo punonjës.

Këto mendime janë shfaqur nga disa shokë, madje me përgjegjësi në sektorin politik dhe ushtarak, si: Jovan Andoni e Avni Hakani. Organizata i ka kritikuar këto koncepte, dhe sipas tyre, kohët e fundit ka përmirësime por, mendojmë se s’duhet mjaftuar me kaq. Më mirë se deri tani organizata bazë, duhet të bëjë një punë bindëse për të krijuar koncepte të reja për rolin e saj në tërë veprimtarinë e përditshme të secilit komunist.

2 – Aty këtu, vihen re fërkime e grindje midis disa komunistëve. Në mbledhjen e muajit Dhjetor të vitit 1971, siç del dhe nga protokolli, midis disa diskutueseve ka pasur fërkime për marrjen nga secili për vete të përkthyesit për nevojat e tyre (jo pse e merr ti, dhe unë mos ta marr kur më duhet, etj.).

Shoku Xhoxhi, në letrën që na ka dërguar, njofton për një grindje që ka ndodhur kohët e fundit midis shokëve Kleo Bezhani, këshilltar ekonomik dhe Neço Konomi, sekretar i organizatës. Do të bëhej mbledhja e përfaqësisë tregtare për, të analizuar detyrat e tremujorit të pare, Kleo, si përgjegjës, i’u kërkoi të dhëna të gjithëve midis tyre dhe Neços.

Shokët e tjerë, ja dhanë siç e kërkonte, kurse Neço i dha disa gjëra të përgjithshme. Kleo, i bëri vërejtje dhe i tha që ta plotësonte. Neço, kundërshtoi duke thënë se, këto janë punë burokratike prandaj vërejtjet, nuk do t’i realizoj. Këtu filloi dhe acarimi.

Gjatë saj, duke mos e përmbajtur veten, Neço, i ka thënë Kleos “fodull, maskara, dembel”, etj. Grindja vazhdoi në zyrën e Neços, në prani dhe të dy punonjësve të tjerë, ku përsëri me zë të lartë, Neço i flet ashpër Kleos, duke i thënë dhe provokator.

Sipas shokëve që ishin aty, kishte rrezik që ata të konfrontoheshin fizikisht. Kleo, mban gjakftohtësinë, duke i thënë Neços, vetëm fodull dhe grindavec. Zënka, pushoi vetëm me ndërhyrjen e shokut Spiro Rusha. Shoku Xhoxhi, në prezencë të Spiros, bën ballafaqimin e Kleos me Neçon.

Në përgjithësi, dalin po ato që përmendëm më lart. Neço, bëri një farë autokritike dhe i kërkoi ndjesë Kleos, por sipas shokut Xhoxhi ai, nuk është thelluar si duhet. Kleo thotë se Neço, mund të jetë prekur pasi, e ka kritikuar disa herë dhe i ka kërkuar llogari.

Neço, thotë që grindja është e rastit. Shoku Xhoxhi, thotë se kjo grindje nuk është e rastit pasi, nuk mund të shpjegohet ky shpërthim i menjëhershëm. Sikurse njoftohemi me radiogram, është bërë mbledhja e organizatës dhe është shqyrtuar grindja.

Në mbledhje, dolën po ato gjëra që thuheshin në letër. Organizata, ngarkoi me faj të rëndë shokun Neço Konomi, si dhe e shkarkoi nga funksioni i sekretarit të byrosë së organizatës. Ne mendojmë se vendimi i organizatës, është i drejtë.

3 – Nga protokollet del dhe çështja e përvetësimit të gjuhëve të huaja. Në analizën që bën organizata bazë, realizimi i detyrave në sektorin e Tregtisë, është pozitive se ato ndalen në analizimin e të metave dhe reflektimet e detyrave në të ardhmen.

Theksohet, mundësia e pamjaftueshme e punonjësve të ambasadës sonë në Pekin, për t’ju përgjigjur në kohë kërkesave të ndryshme. Ka raste që për porositë që bëhen e kontraktohen, më vonë kërkohet anulimi i tyre.

Kjo, ju krijon vështirësi shokëve kinezë. Prandaj, ka mendime që përpara se të dërgohen planet, të shikohen me kujdes që të hiqen me kohë ato gjëra që nuk duhen.

Ka edhe vërejtje të tjera për bashkëpunimin tekniko-shkencor, për bërjen e kërkesave suplementare, për dërgimin e shumë specialistë të sëmurë, dhe të tjera defekte për organet e Tregtisë e të institucioneve të tjera, për të cilat kemi folur në informacionin e kaluar.

Në mbledhjen e organizatës, midis të tjerash, është diskutuar edhe çështja e gjuhës së huaj, sidomos asaj kineze. Por sikundër është folur me disa shokë, rezultate në këtë çështje, nuk ka. Pra del që ky problem shtrohet vetëm formalisht.

Natyrisht përveç shokëve të moshuar e të sëmurë, që nuk mund ta mësojnë dot gjuhën kineze, ka të tjerë të rinj me perspektivë që mund ta mësojnë atë nëpërmjet kurseve e përpjekjeve individuale.

Prandaj për të luftuar formalizmin mendojmë që Ministria e Jashtme, të përcaktojë për çdo punonjës që duhet të mësojë gjuhën e huaj, në një kohë të caktuar. Dhe mbi këtë bazë organizata dhe titullari, duhet të japin llogari.

4 – Nga sa njohim gjendjen e të dhënat që kemi, na rezulton se në këtë përfaqësi, ka disa shokë të moshuar që janë dhe të sëmurë. Po ashtu nga studimi i materialeve të dërguara aty këtu përciptazi, del se tek disa prej tyre që, para se të shkonin në ambasadë, kanë qenë në vende pune me përgjegjësi, vihen re tendenca fudullëku, secili përpiqet të japi orientime, të komandojë, etj.

Kjo kalimthi manifestohet në diskutimet e zhvilluara dhe në çështjet e trajtuara më sipër, në marrëdhëniet jo normale me njëri tjetrin, etj. Nisur nga këto, mendojmë që të rishikohet personeli i ambasadës dhe në radhë të pare, i atyre që punojnë në sektorin ekonomik.

Për këto probleme, si dhe disa vërejtje të tjera që kemi nga informacioni i parë, mendojmë të bëjmë një letër ku të tërheqim vëmendjen e organizatës dhe të gjithë komunistëve për të marrë masat e duhura për përmirësimin e punës në të ardhmen. Memorie.al

                         Sektori i Jashtëm

                              20.5.1972

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular