Shqipëria do të luajë dy ndeshje shumë të rëndësishme në muajin shtator, ku fillimisht do të udhëtojë drejt Çekisë për t’u përballur në datën 7 dhe tri ditë më vonë do të presë në “Air Albania”, kombëtaren polake. Dy sfida ku luhet fati i Kombëtares për një kualifikim të mundshëm në Europianin e Gjermanisë vitin e ardhshëm. Ashtu si në transfertën çeke në “Fortuna Arena”, ku janë ezauruar 1 mijë biletat e vëna në dispozicion për tifozët, edhe me Poloninë në Tiranë do të kemi një stadium plot, teksa shihet që ka një interes të jashtëzakonshëm për këtë takim.
Nisur nga kjo dhe nga fakti se tri javë përpara ndeshjes janë shitur të gjitha biletat, gjë e pazakontë për ndeshjet e Kombëtares, “Panorama Sport” ka bërë një vëzhgim në lidhje me shifrën që ka arkëtuar FSHF-ja vetëm nga biletat.
Mund të themi se është një shifër rekord me pothuajse 900 milionë lekë. Ajo që është vënë re, ndryshe nga më parë, shitja e biletave ka nisur shumë me shpejt në kohë, një strategji e mirëmenduar e FSHF-së, por gjithashtu edhe interesi i lartë për të ndjekur nga afër Kombëtaren e Silvinjos, i cili i ka dhënë një tjetër fytyrë skuadrës, por edhe fakti se ndodhemi në vendin e dytë në grup dhe kemi shanse të mëdha për një kualifikim në Europian. Sa u përket biletave, çmimet kanë qenë disi më të larta se në ndeshjet e tjera, ku bileta më e lirë ishte 2000 lekë, për të vazhduar me 2500 lekë, 4000 lekë apo 6000 te tribuna karshi dhe pa harruar tribunën kryesore që çmimet arrinin mbi 10 000 lekë.
Afërsisht 882 milionë lekë të arkëtuar, kësaj shifre i bashkëngjiten edhe të ardhurat nga biletat e shitura për tifozët polakë, çka bën që vetëm për një ndeshje, Federata Shqiptare e Futbollit të arkëtojë rreth 900 milionë lekë vetëm nga shitja e biletave, shifër, e cila është për rekord dhe vështirë se është arritur më përpara. KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL