Pas dekratimit nga presidenti të datës së zgjedhjeve të pjesëshme në Kukës, që do të zhvillohen në 24 shtator, PD zyrtare ka kërkuar që kandidati të jetë i unifikuar, nën siglën zyrtare. Nuk dihet ende cili do të jetë reagimi i grupit të Berishës, i cili në zgjedhjet e 14 majit humbi thellë në aleancë me Ilir Metën!
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE
Partia Demokratike Dega Kukës siguron të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e saj për angazhimin e plotë dhe të vazhdueshëm në funksion të interesit më të mirë të të gjithë qytetarëve të Bashkisë Kukës. Pas një kohe të gjatë përballje me antivlerat dhe imoralitetin nëpërmjet zaptimit të institucioneve shtetërore, Kukësit dhe familjeve kuksiane duhet ti kthehet shpresa dhe dinjiteti.
Në kuadër të zgjedhjeve të datës 24 Shtator 2023 për kryetar bashkie, Partia Demokratike apelon për gjetjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse për të gjithë demokratët, bashkimin e tyre në një përfaqësim dinjitoz, për të garuar me një kandidaturë të gjithëpranuar.
Koha për të sjellë ndryshimin në Kukës ka ardhur. Ne ftojmë të gjithë anëtarët, simpatizantët dhe votuesit tanë të bashkojmë energjitë dhe vullnetet tona për ta bërë realitet këtë ndryshim të shumëpritur.
Partia Demokratike është e përkushtuar pa asnjë rezervë dhe paragjykim për të mundësuar përfaqësimin dinjitoz të së djathtës shqiptare në garën për Bashkinë e Kukësit me një kandidat fitues dhe e hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që duan një kandidat të denjë për Kukësin dhe një Parti Demokratike fituese, si e vetmja shpresë për kthimin e pushtetit në duart e qytetarëve.
Partia Demokratike
Dega Kukës