Nga Merxhan Jakupi
Historiani me renome, autori i librave më të shitur në botë, Joval Noah Harri, në librin “Një histori e shkurtër e njerëzimit”, shkruan se që kur këmba e njeriut shkeli në këtë planet e deri në ditët e sotme, ka mbetur i pakënaqur dhe jo i lumtur. Po ashtu, dy gjenitë dhe klasikët, Nitsche dhe Dostojevski, ishin zhytur thellë tek shpirti i njeriut, duke eksploruar, në fund kishin zbuluar se njeriu mbetet i pa kënaqur dhe jo i lumtur nga jeta e tij.
Ka disa qenie njerëzore që vrapojnë pas lumturisë: ata e kapin, e rrëmbejnë, por prapë ajo u ikë. Sipas Niçes ”Lumturia është e shkurtër dhe kalimtare”. Sociologu dhe psikoanalisti zviceran, dishepulli i Freudit, Carl Jung, thotë se përgjatë 10 mijë vjetësh nuk dihet nëse njerëzimi kishte qenë i lumtur. Njerëzit e mesjetës kishin më shumë festa, deri 100 ditë në vit. Jung ka piketuar se ndoshta në mesjetë njeriu ishte më i lumtur sesa njeriu postmodern dhe postsekular.
Njerëzimi mbetet i pakënaqur si në perendim ashtu dhe në lindje
Gjatë të gjitha epokave, njerëzimi ka përjetuar vuajtje, dhimbje, varfëri, sëmundje, luftëra dhe periudha me katastrofa natyrore. Vetëm gjatë shekullit 20, në Luftën e Parë Botërore dhe në Luftën e Dytë Botërore, njerëzimi pësoi një katarzis dhe apokalips nga fashizmi e komunizmi. Në periudha të paqes, njerëzimi ka jetuar në njëfarë begatie, me më pak vuajtje dhe uri.
Historia çifute shkruan se njerëzimi ishte i përballur me luftëra, pandemi, uri dhe vuajte të mëdha. Në epokën e revolucionit teknologjik-informatik, njeriu ka arritur të eksplorojë me anije kozmike universin. Njeriu postmodern ndeshet me fatkeqësi të tjera që ia merr jetën, si aksidentet e trafikut, konsumim i tepërt i ushqimeve, duke marrë sëmundje vaskulare dhe kancer.
Bota perëndimore dhe demokratike, në dy shekujt e fundit jeton në mirëqenie, begati, standard të lartë, por fatkeqësisht, përsëri, nuk është e kënaqur. Në shoqëritë Perëndimore ka më shumë vetëvrasje sesa në ato Lindore e të varfër.
Sipas një sondazhi në Perëndim, njerëzit më shumë kanë probleme dhe dilema se ku të shkojnë për pushime, si ta heqin peshën dhe ku të gjejnë makina të mira, ndërsa në Lindje, shoqëritë vuajnë nga uria dhe pandemia.
Mendimtari, psikologu kanadez, Jordan Peterson, në veprat e tij shkruan se shumë vështirë është të takosh e të gjesh njerëz të lumtur, fytyra të buzëqeshura, pa marrë parasysh nëse janë të pasur ose të varfër. Peterson rrëfen për një ekspeditë në Haiti, ku shumica e udhëtarëve ishin milionerë, por nuk kishte parë njerëz të lumtur dhe të buzëqeshur. Këtë gjë e kam vërejtur edhe personalisht në Zvicër, ku kam punuar gjatë kohë, por nuk kam parë njerëz gjithaq të lumtur nga jeta e tyre.
“Dialog mes Adamit dhe perëndisë”
Sipas mistikëve dhe predikimeve fetare, të cilët thonë se Zoti që nga koha kur e dëboi njeriun e parë nga Parajsa, Adamin, për të dënuar të jetojë në këtë botë, në fakt kishin filluar vuajtjet e njeriut. Kjo ndodhi nga shkaku se Adami nuk i dëgjoi urdhrat e Zotit dhe ra pre e djallit, kur pranoi të mashtrohet prej tij.
Adami i tha Perëndisë që ta kthente në parajsë, sepse në botë do të vuante me gjithë Evën dhe pasardhësit e tij. Zoti i tha Adamit se nuk është ky dëbim për mëkatin e bërë, por është vullneti dhe fuqia impersonale e Tij, që u dëbonte në këtë planet, për të jetuar me gjithë pasardhësit e tij.
Perëndia i ka thënë se ju nuk e dini se si keni ardhur, pse keni ardhur dhe ku do të shkoni pas vdekjes. Sigurisht që nuk do të dinit ju dhe pasardhësit tuaj se kjo botë është vuajtje, sprovë, peripeci dhe dhimbje, se do të shkelni nëpër gjemba dhe do të luftoni me shpatë. O Adam, thuaj pasardhësve tu se kur të lindin mos të mendojnë se kanë ardhur dhe se do të jetojnë të lumtur në këtë botë. Adami dhe Eva i thanë Zotit se u kishte bërë padrejtësi dhe të mos i linte në atë botë të trishtë dhe të egër, që të vuanin pasardhësit e tij, andaj e lutnin Lartmadhërinë e Tij që t’i kthente në parajsë.
Zoti i tha Adamit se nuk jeni ju të vetmit që do të përballeni me jetën e egër, vuajtjet, dhimbjet, urinë, por do të jenë edhe krijesa të tjera që do të vuajnë më shumë se ju. Mendon se kur dëgjon këngën e bilbilave dhe dallëndysheve që ato tregojnë lumturi, ndoshta ato vajtojnë.
Shkrimtari dhe klasiku i madh rus, Lav Tolstoj, në shkrimet e tij ka një fabul: Një mbret duke parë popullin e tij që vdiste nga një pandemi, i kishte tubuar këshilltarët për t’i pyetur nëse edhe ai si mbret që ishte, mund të sëmurej dhe të vdiste si të tjerët. Këshilltarët e kishin thënë që dhe ai mund të vdiste. Mbreti i katandisur dhe i tmerruar ishte mbyllur. Në fund kishte sjellë një dijetar stoik dhe atij i kishte shtruar një pyetje: nëse ka njerëz të lumtur në këtë botë dhe kush janë ata. Dijetari i urtë i kishte thënë mbretit se ka njerëz të lumtur. Mbreti i inkurajuar e pyeti stoikun se kush janë ata. Ky i kishte thënë se janë të lumtur njerëzit që ende s’kanë lindur…