“Klloun i shëmtuar, tiran”- I dërgoi zarf me helm Donald Trump kur ishte President, kanadezja dënohet me 22 vite burg: Më vjen keq që plani im dështoi

0
263

Një grua kanadeze është dënuar me 22 vjet burg në SHBA pasi i dërgoi disa zyrtarëve zarfe me helm, përfshirë edhe Donald Trump kur ai mbante postin e Presidentit të Amerikës.

56-vjeçarja Pascale Ferrier u deklarua fajtore për akuzat për armë biologjike. Zarfi me helm që iu dërgua Trump u kap në shtator 2020 përpara se të dorëzohej në Shtëpinë e Bardhë.

Ferrier tha në gjykatë se i vinte keq që plani i saj kishte dështuar dhe se “nuk mund ta ndalonte Trumpin”.

Ajo deklaroi se e shihte veten si një aktiviste dhe jo si terroriste.

“Dua të gjej mjete paqësore për të arritur qëllimet e mia”, shtoi Ferrier.

FBI gjeti gjurmët e gishtave të saj në letrën dërguar Trump, ku i kërkonte atij të hiqte dorë nga gara presidenciale.

“Kam gjetur një emër të ri për ty: “Kllouni i shëmtuar tiran”, shkruan ajo në letër, sipas dokumenteve të akuzës së FBI-së.

Gjykata e dënoi Ferrierin me 22 vjet burg. Ajo do të deportohet nga SHBA pas vuajtjes së dënimit dhe do të përballet me mbikëqyrje të përjetshme nëse kthehet ndonjëherë.

Gjykatësja Friedrich i tha Ferrier se veprimet e saj ishin “potencialisht vdekjeprurëse” dhe “të dëmshme për shoqërinë “.

Ferrier pranoi gjithashtu dërgimin e letrave të ngjashme me helm te tetë zyrtarë të zbatimit të ligjit në Teksas.