“Ruamani gjakun, do t’ju duhet për shkrimin e gjuhës shqipe…”- Përkujtohet Petro Nini Luarasi! Drejtoria e Arkivave publikon dekretin për t’i dhënë titullin “Mësues i Popullit” dhe “Urdhrin e Lirisë të Klasit II”

0
278

Më 17 gusht 1911, ndërroi jetë veprimtari i Rilindjes Kombëtare, Petro Nini Luarasi. Mësimet e para në gjuhën shqipe i mori kur ishte nxënës në shkollën e Qestoratit nga mësuesi Koto Hoxhi.

Në vitin 1887 hapi në Ersekë shkollën e parë shqipe dhe përgjatë viteve 1892- 1893, shkollat shqipe në krahinën e Kolonjës dhe të Vakëfeve. Ishte mësues dhe drejtor i Mësonjëtores Shqipe të Korçës (1893) dhe më vonë i shkollës së Negovanit (1909-1911). Mërgoi në Amerikë dhe u bë nismëtar i shoqërive patriotike “Malli i Mëmëdheut” dhe “Pellazgu”.

Ishte delegat në Kongresin e Dytë të Manastirit. Bashkëpunoi me organet “Bashkimi i Kombit” (Manastir), “Drita” (Sofje), “Kombi” (Boston), “Iliria” (Selanik). Në veprën “Mallkimi i shkronjave shqipe dhe shpërfolja e shqiptarit” (Manastir, 1911) mbrojti të drejtat e popullit shqiptar për kulturë kombëtare, duke e quajtur dijen dhe kulturën “shpirtin e mëmëdheut”. Për shkak të veprimtarisë patriotike, arsimore, shoqërore dhe propaganduese, u përndoq nga Xhonturqit dhe Patriarkana e Stambollit. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikon dekretin për t’i dhënë Petro Nini Luarasit titullin “Mësues i Popullit” dhe Urdhrin e Lirisë të Klasit II.

Duke e gjurmuar hap pas hapi veprimtarinë e Petro Nininit, mitropoli Grigori i Kosturit, i cili kishte dërguar qarkore në Eparhinë e Kolonjës dhe Vakëf që të mos e pranonin Petron si mësues në ato anë, madje duke i kërcënuar ata me çkishërim, ai edhe vetë Petron e kishte anatemuar e çkishëruar. Mirëpo, Petron nuk e zmbrapsën këto kërcime. Ai vetëm sa e zgjeroi aktivitetin e tij, duke e hapur madje një shkollë edhe në Ersekë.

Një nga detyrat e rëndësisë së veçantë të Petros me bashkëveprimtarët e tij, ishte mbrojtja e këtyre shkollave nga armiqtë dhe kisha greke, si dhe nga organet e pushtuesit otoman, por edhe furnizimin e tyre me libra shqip, si dhe mbajtja me mjete. Dhespoti i Korçës, Filiothesos Konstandinidhis, po bënte plane për zhdukjen e Petro Ninit. Diku në fund të viti 1891, Petro mori rrugë për Stamboll, Rumani e Bullgari, për të mbledhur atje ndihma për mbajtjen e shkollës nga ana materiale.

Atje takoi krerët e vatrave kombëtare, si vëllezërit Frashëri, Nikollë Naçon etj. Më pas, duke parë suksesin e kësaj nisme të mbarë, shkollat shqipe u hapën edhe në Pogradec, në Tresekë, Polenë, Luaras, Hereskë, Leskovik, Elbasan etj. Petro Nini Luarasi kishte bërë një punë të veçantë për çeljen e këtyre shkollave, madje ai mbante tërë barrën e furnizimit të këtyre shkollave me libra shqip, që i sillte nga Bukureshti, sikur edhe mjetet shkollore.

Propagandës shoviniste të grekomanëve, Petro Nini Luarasi iu përgjigj në veprën e tij “Mallkimi i shkronjave shqipe e çpërfolja e shqiptarit”, ku atdhetari pasqyron në mënyrë argumentuese dhe me dokumente konkrete, mbi abuzimet që bëheshin në emër të fesë. Duke u ndeshur me realitetin, Petro shkruante: “E vërteta bën fenë, dhe jo feja të vërtetën…, ta dashurojmë dhe ta përparojmë gjuhën dhe kombin tonë, si të vetmen rrugë dhe shpëtim që na besoi Perëndia për provë të vlerës sonë midis kombeve të tjerë. Kush është frikacak kundrejt së drejtës bëhet tradhtar i mëmëdheut dhe i vetes së tij”- (P.N.Luarasi: Mallkimi i shkronjave shqipe…).

Kjo vepër bëri që fundi i tij, të ishte tragjik. Atë e helmuan qarqet shoviniste grekomane. Kjo vdekje atëbotë i trazoi shpirtrat përparimtarë e liridashës të kohës, për këtë rast të shëmtuar e kriminal, shkroi shtypi shqiptar, por edhe ai angleze e amerikan. Me psalmet shqip në kishën e Luarasit, në bashkëpunim me papa Stefan Luarasin, Petro Nini polemizoi vendosur dhe në mënyrë argumentuese edhe me dhespotin e Korçës, Grigorin, duke e vënë atë para sprovës së madhe të realitetit: çdo popull ka të drejtën për të jetuar i lirë, të ushtrojë lirshëm gjuhën dhe kulturën e vet, të kultivojë historinë dhe vlerat e veta. Petro gëzonte përkrahjen e pakursyer të patriotëve të kohës, në lidhjet e tij me rrethet patriotike dhe përkitazi me zbatimin e platformës kombëtare, Luarasi bashkëpunoi me parinë bektashiane – moderatorë të myslimanizmit dhe me protestantët anglo-amerikanë, përfaqësuesi shqiptar i të cilëve, ishte Gjerasim Qiriazi, me të cilin themeluan shoqatën protestante “Vëllazëria e Shqipërisë” më 1982.

Për veprimtarinë e tij kombëtare perandoria osmane, e nxitur edhe nga qarqet ortodokse greke, i kishin bërë shantazhe të ndryshme. Mirëpo, kërcënimet nuk po e lëkundnin vendosmërinë e Petro Ninit, në misionin e tij kombëtar për përhapjen e gjuhës shqipe. Ata provuan që Petron, ta blejnë edhe me para, por ai nuk u shit. Si e vetmja rrugë, mbeti eliminimi i tij fizik.

Fillimisht e burgosën, duke menduar se tani e kanë në dorë dhe do ta kushtëzonin me jetë. Mirëpo Petro Nini, diku në prill të vitit 1904, u arratis nga burgu ku e kishte mbyllur qeveria turke dhe për një kohë u strehua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si emigrant politik. Në Amerikë, Petro Nini Luarasi zhvilloi një aktivitet të gjerë patriotik. Krijoi shoqëritë e para shqiptaro-amerikane: “Pellazgu” dhe “Malli i Mëmëdheut”, ndihmoi Sotir Pecin për botimin e gazetës “Kombi” dhe Fan Nolin, që të kurorëzohej prift e të hidhte themelet për krijimin e kishës autoqefale shqiptare në Amerikë. Ai themeloi librarinë e parë me libra shqip e anglisht, bashkëpunoi ngushtë me Kristo Dakon, udhëheqës i protestantëve shqiptarë atje, për të përhapur frymën kombëtare midis emigrantëve ekonomikë, të cilët, nga reaksioni shovinist grek, ishin të tërhequr e të frikësuar për ndonjë pasojë të mundshme të familjeve të tyre në atdhe.