Si e gënjeu Ilir Beqja gazetarin për njohjen me Ilir Rrapajn

0
252

Ilir Rrapajt i dha koncensionin 100 milion euro, por kur gazetari Elton Qyno e pyeti nëse e njihte apo kishte pasur ndonjë kontakt me të, ish-Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja tha se nuk e njihte fare. Në shkrimin për BIRN, gazetari shkruajti se më pas i kishte dërguar disa fotografi Ilir Beqajt, ku ai shfaqej bashkë me Ilir Rrapajn, dhe atëherë ish ministrit i kishte ardhur memorja.

lir Rrapaj gjatë nje takimi të ministrit Ilir Beqaj me ambasadorin Italian në Tiranë dhe kreun e Qarkut të Umbrias, znj. Catiuscia Marini, më 11 dhjetor 2014 | Foto nga : Ministria e Shëndetësisë
lir Rrapaj gjatë nje takimi të ministrit Ilir Beqaj me ambasadorin Italian në Tiranë dhe kreun e Qarkut të Umbrias, znj. Catiuscia Marini, më 11 dhjetor 2014 | Foto nga : Ministria e Shëndetësisë

“I pyetur nëpërmjet telefonit për marrëdhënien e tij me Ilir Rrapajn, ministri Beqaj në fillim mohoi ta njihte. Pasi BIRN i dërgoi ministrit disa fotografi ku ai shfaqej me biznesmenin nga Peruxhia, Beqajt iu rifreskuar memoria, duke pranuar se “kishte njohje me z.Ilir Rrapaj.”

“Pas interesimit tuaj, nga hulumtimi i dokumentacionit lidhur me koncesionin me objekt ‘Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale…’, rezulton se z. Ilir Rrapaj është përfaqësues i një prej kompanive, pjesëtare të një prej konsorciumeve ose Operatorëve Ekonomikë (OE) që kanë paraqitur interes për këtë procedurë prokurimi” u shpreh Beqja për BIRN në shkrimin e vitit 2015.

SPAK ka lëshuar për tenderin e sterilizimit 8 urdhra, me masa të ndryshme sigurie, dy prej të cilave “arrest me burg” për ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapajn.

Ndërkohë për dy zyrtarë të tjerë u caktua masa “arrest shtëpie” si dhe për 4 të tjerë u caktua masa “detyrim paraqitje”.

Prej tre vitesh SPAK ka nisur një hetim në lidhje me tenderin e sterilizimit me vlerë 100 mln euro, që u fitua nga Ilir Rrapaj.

Ilir Rrapaj dhe kryeministri Edi Rama gjatë një takimi në pallatin e Brigadave në kuadrin e nismës “Thuaji Po Shqipërisë”
Ilir Rrapaj dhe kryeministri Edi Rama gjatë një takimi në pallatin e Brigadave në kuadrin e nismës “Thuaji Po Shqipërisë”

Ky i fundit ishte një biznesmen i panjohur në qarqet e biznesit në Shqipëri deri në vitin 2013. Para se socialistët të vinin në pushtet, ai ishte pronari i një agjencie ndërmjetësimi si edhe i një kompanie modeste ndërtimi me qendër në Peruxhia të Italisë.

Për më shumë se një dekadë, Ilir Rrapaj drejtoi një kompani të vogël ndërtimi me vetëm një të punësuar, të regjistruar në një zonë të qetë rezidenciale në qytetin e Peruxhias të rajonit Umbria në Itali, të cilën e themeloi së bashku me dy të afërm të tij në vitin 2000 me një kapital të vogël prej 1500 eurosh.

Megjithatë, pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e qershorit 2013, emigranti me origjinë nga fshati Rexhepaj i Vlorës u kthye në Shqipëri dhe vendosi kontakte me kreun e shëndetësisë shqiptare, Ilir Beqaj, me të cilin ka pasur takime të shpeshta ku kanë marrë pjesë edhe biznesmenë italianë, të interesuar në tregun e shërbimeve mjekësore.

Dy vjet pas rikthimit në atdhe, me anë të një kompanie të regjistruar në Kosovë, Rrapaj është shpallur fituesi kryesor i një kontrate koncesionare prej 100 milionë dollarësh në një tender të kontestuar.

Nëpërmjet kompanisë së tij Investital LLC, e cila ka një kapital prej 1000 eurosh dhe është e regjistruar në Prishtinë, Rrapaj zotëron 40 % të aksioneve të një bashkimi kompanish italiane, të cilat fituan tenderin për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale shkruajti BIRN.