Zgjedhjet/Berisha deklaroi se s’do bashkëpunonte, PD e Kukësit sërish thirrje: Të dalim me një kandidat të vetëm, jo përçarjes

0
187

Dega e Partisë Demokratike në Kukës ka bërë thirrje që në zgjedhjet e 24 shtatorit për kryebashkiakun e ri të kësaj bashkie të dilet me një kandidat të vetëm. Në një deklaratë, PD e Kukësit tha se demokratët kanë humbur shumë prej frymës së konfliktit dhe gjuhës së përçarjes. Ndërsa shtoi se “ka ardhur koha që të gjithë demokratët dhe opozitarët, të mos humbin më asnjë shans për shkak të vendosjes së interesit personal mbi atë të demokratëve”.

Deklarata vjen pasi ish-kryeministri Sali Berisha hodhi poshtë çdo mundësi bashkëpunimi me kreun e PD-së, Lulzim Basha për të dalë me një kandidat të vetëm.

Deklarata e plotë:

Partia Demokratike Dega Kukës rikonfirmon para të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të saj apelin për gjetjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse për të gjithë demokratët, bashkimin e tyre në një përfaqësim dinjitoz, për të garuar me një kandidaturë të gjithëpranuar.

Demokratët kanë humbur shumë prej frymës së konfliktit dhe gjuhës së përçarjes. Interesi i demokratëve dhe i të gjithë qytetarëve të Kukësit që duan ndryshim është dalja me një kandidat të vetëm të të gjithë spektrit opozitar për bashkinë Kukës.

Ka ardhur koha që të gjithë demokratët dhe opozitarët, të mos humbin më asnjë shans për shkak të vendosjes së interesit personal mbi atë të demokratëve.

Partia Demokratike është e përkushtuar pa asnjë rezervë dhe paragjykim për të mundësuar përfaqësimin dinjitoz të së djathtës shqiptare në garën për Bashkinë e Kukësit me një kandidat fitues dhe e hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që duan një kandidat të denjë për Kukësin dhe një Parti Demokratike fituese, si e vetmja shpresë për kthimin e pushtetit në duart e qytetarëve.

 

Partia Demokratike

Dega Kukës