Nga Erl Kodra
Që prej verës së vitit 2021 e deri më sot – pas sanksionimit të Sali Berishës nga Departamenti i Shtetit – ata që kanë dy gram nuhatje politike e kishin të qartë se Partia Demokratike do të futej në një spirale shkatërrimtare lufte të brendshme politike. Me fjalë të tjera, megjithse nuk ishte aspak e vështirë për të kuptuar se çfarë do të ndodhte, çuditërisht, askush nuk e shikonte ujkun që po hante të gjallë demokratët, por vazhdonin t’i bënin jehonë një procesi që po rrënonte Partinë Demokratike. Ka diçka që nuk shkon me shoqërinë tonë, për vet mënyrën se si vazhdon t’i fshihet së vërtetës, duke u kapur pas gënjeshtrave kaq flagrante. Përndryshe, është i pashpjegueshëm entuziazmi me të cilin filluan t’i shkonin pas Foltores, duke glorifikuar një figurë komplekse dhe plotë dritë-hije si Sali Berisha – i sapo sanksionuar nga shteti më i fuqishëm i planetit – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjithë çfarë ka ndodhur që prej vitit 2021 e deri më sot me Partinë Demokratike mund të përkufizohet si marrëzi kolektive e një pjese domethënëse të ish – zyrtarëve të kësaj partie, që për fat të keq morën në qafë jo vetëm të ardhmen e tyre politike, por edhe të ardhmen e partisë; për pasojë të ardhmen e Shqipërisë. Pasojat e akteve të tyre do t’i vuajmë të gjithë për një kohë të gjatë, ndoshta edhe për disa mandate qeverisëse. Kauzat e rreme të gjoja dinjitetit ose broçkullat e sovranitetit janë kaq të trasha, sa nuk mund të përkufizohen ndryshe veçse si marrëzi kolektive. Shkaqet e kësaj murtaje morali janë të thella dhe komplekse, dhe sigurisht, janë produkt i një shoqërie në degradim; i vesit individual dhe kriminalizimit të shoqërisë.
Në këtë tekst do të analizohen disa nga shkaqet që e sollën Partinë Demokratike në këtë pikë, ku përveç faktorit Berisha, rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe faktorë të tjerë, ku më kryesorët janë lidhjet malinjë mes medias, biznesit, politikës dhe krimit të organizuar – të shtrira në gjithë spektrin e shoqërisë shqiptare. Përshembull, media (kupto televizionet kryesore në vend plus shumica e opinion-bërësve) kanë mbështetur hapur Sali Berishën, megjithse e dinin fare mirë se minimalisht po gënjenin paturpësisht demokratët, dhe se po punonin hapur kundër interesave të vendit. Por duket se mediat dhe gazetarët tanë nuk kanë lidhje me moralin, përndryshe, nuk do ta servirnin Sali Berishën si të ardhmen e Partisë Demokratike dhe të opozitarizmit në Shqipëri. Arsyet pse e bëjnë këtë nuk është e vështirë për t’u kuptuar; mjafton të shikohet se kush janë pronarët e televizioneve, si dhe kush i paguan përpunuesit e opinionit publik. Domethënë, mediat që i zotërojnë oligarkët mbështesin politikën, në mënyrë që politika t’i mbajë këto biznese me para publike. Në ato mjedise punon edhe krimi i organizuar dhe korrupsioni, që ka mbërthyer çdo qelizë të shoqërisë, aq sa janë zhdukur kufinjtë ndarës mes tyre.
Qytetarët shqiptarë – këta humbës të mëdhenjë të viteve jetë të çmuar – për shkak të amalgamës së interesave mafioze të pushtetit të Edi Ramës, të pushtetit të Sali Berishës dhe të pushtetit të Ilir Metës; përfishirë edhe pushtetin e mediave oligarkike, pushtetin e ish-zyrëtarëve, pushtetin e mafias së ndërtimit, pushtetin e të korruptuarëve, kanë mbetur me sytë nga SPAK dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që më në fund po jep disa rezultate modeste, megjithse akoma larg pritshmërive të asaj që u është premtuar.
Qartësisht, kjo është një luftë mes së mirës dhe së keqes, dhe si të gjitha luftrat e tilla, kostoja është shumë e lartë. Së pari, më shumë po paguajnë më të dobëtit, po paguan biznesi i zakonshëm, po paguan ekonomia e gjithësejcilit, po paguajnë më të varfërit. Së dyti, është një shoqëri e tërë që po paguan për interesat e një elite të korruptuar politike, ekonomike dhe mediatike që qëndron rreth Edi Ramës, Sali Berishës dhe Ilir Metës.
Ju mund të mos e besoni këtë, dhe nuk është aspak e çuditshme, përderisa askush nuk ua thotë shkoqur të vërtetën, se sa paguhen “gazetarët” më të thekur që t’ju mashtrojnë ditën dhe natën. Nuk ka asgjë më të rëndësishme dhe të frikshme njëkohësisht se sa kontrolli i informacionit. Dhe informacioni kalon përmes kontrollit të tyre. Pothuaj 90 %.
Nesër Partia Demokratike mban Kuvendin Kombëtar. Për herë të parë në historinë e Shqipërisë pluraliste, PD zhvillon një kuvend politik jashtë diktatit të Sali Berishës. Për herë të parë, do të shohim se ka jetë edhe pa Sali Berishën (siç kishte jetë edhe pasi vdiq Enver Hoxha). Vetëm për këtë fakt, kjo është ngjarja më e madhe politike që prej vitit 1991 e deri më sot. Mbetet për t’u parë se sa e zonja do të jetë kjo parti për t’i bindur shqiptarët se vërtetë do të punojë fort në interesin më të mirë të tyre, dhe se luftën kundër kësaj elite të korruptuar dhe të kriminalizuar e ka seriozisht.
Shanset që Shqipëria të mposhtë këtë elitë të korruptuar janë reale, por kjo varet shumë nga vet qytetarët shqiptarë, nëse do të bien pre e demagogjisë dhe e propagandës, apo do të përpiqen të dallojnë të vërtetën e mbytur nën genjeshtra. Është detyrë e Partisë Demokratike – tashmë të çliruar nga Sali Berisha – që të thotë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Pastaj është detyrë edhe e shoqërisë që të refuzojë gënjeshtrat. Rrugë tjetër përveç të vërtetës nuk ka. E vërteta është çlirim.