Rriten rastet me osteoporozë, shkatërron heshtur kockat deri në frakturë

0
300

Osteoporoza, e njohur si sëmundja që shkatërron në mënyrë të heshtur kockat, po shënon rritje të numrit të pacientëve në vitet e fundit. Edhe pse në Shqipëri nuk ka të dhëna të sakta, mjekët specialistë pohojnë se çdo ditë përballen me qytetarë që bëjnë fraktura si pasojë e osteoporozës.

“Osteoporoza është një sëmundje metabolike kockore e cila karakterizohet nga ulja e masës kockore, çrregullime dhe risk për frakturë. OBSH llogarit që 200 milionë pacientë në gjithë botën vuajnë nga osteoporoza dhe nëse llogarisim riskun për frakturë, është parë që pas moshës 50 vjeç, 1 në 3 femra dhe 1 në 5 meshkuj të bëjnë një frakturë”, thotë Ervin Rapushi, mjek reumatolog në QSUT.

Kjo sëmundje është më e shprehur pas moshës 50 vjeç por mes pacientëve ka edhe të rinj dhe rastet po vijnë në rritje.

“Kjo rritje i dedikohet 3 parametrave kryesorë; e para jemi duke u plakur, e dyta urbanizimi dhe rritja e cilësisë së diagnostikimit. Aktualisht kemi aparat ‘deksa’ në të gjithë poliklinikat dhe bëjmë të mundur diagnostikim të hershëm”, tregon mjeku.

Shpesh pacientët nuk arrijnë të identifikojnë në faza të hershme sëmundjen.

“E vetmja gjë që vjen duke u evidentuar është ndryshimi i statikës trupore, fillon kurrizi dhe ajo që e bën evidente është fraktura”, shpjegon mjeku.

Mjekët pohojnë se janë disa kategori të rriskuara për të bërë osteoporozë, ndaj edhe apelojnë që të bëhet kontroll periodik i matjes së densitetit kockor. Osteoporoza është një sëmundje që mund të parandalohet, por edhe trajtohet kur kapet në kohë.