Shqipëria merr sot Presidencën e Këshillit të Sigurimit! Rama do zhvillojë vizitë në SHBA nga 14 deri 21 shtator

0
173

Shqipëria merr për të dytën herë Presidencën e Këshillit të Sigurimit, që nga 1 shtatori.

Për mbajtjen për herë të dytë të presidencës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në vizitën e parashikuar nga 14 deri 21 shtator, kreu i qeverisë do të jetë i shoqëruar edhe nga ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila prezantoi edhe dy ngjarjet që do të shënjojnë presidencën.

Pas Edi Ramës dhe Olta Xhaçkës, në Amerikë do të shkojë edhe presidenti Bajram Begaj, ku në 21 shtator do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të Asamblesë Parlamentare të Kombeve të Bashkuara. Në një dalje për mediat, ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, u shpreh se marrja e Presidencës vjen në një moment të vështirë, kur bota përballet me një sërë krizash serioze. Sipas saj, Presidenca e Këshillit të Sigurimit na jep mundësinë të përcaktojmë se cilat situata krizash marrin vëmendjen e posaçme të KS.

“Kjo Presidencë shqiptare e Këshillit të Sigurimit vjen në një moment vërtetë të vështirë, kur bota përballet me një sërë krizash e konfliktesh shumë serioze, që nga Ukraina e deri tek kriza e pasigurisë së ushqimit si pasojë e luftës në Ukrainë dhe politikave që ndjek Rusia, që nga Jemeni, Sudani e Lindja e Mesme në tërësi, e deri tek kriza e pasiguria që mbizotëron sot në Sahel. Janë dy momente të rëndësishme të kësaj Presidence. Së pari, është një nismë tejet e rëndësishme dhe inovative, për të cilën punojmë prej thuajse dy vjetësh, dhe që e kemi përfshirë në agjendën e Këshillit për muajin shtator. Bëhet fjalë për një përpjekje ambicioze dhe shumë sfiduese për të garantuar shpërndarjen e shpejtë dhe efektive të ndihmave humanitare kudo në botë në kohë krizash, qoftë në situata lufte, qoftë në situata katastrofash natyrore”, deklaroi ajo.

Ndër të tjera ministrja theksoi edhe rëndësinë që ka kjo Presidencë.

“Vendi ynë, ekipi ynë, ka bashkëpunuar me një grup mjaft serioz organizatash e korporatash të mëdha amerikane, për të ndërtuar një platformë bashkëpunimi që në njërën anë do të mundësojë që bizneset e mëdha dhe korporatat të ofrojnë kontributin e tyre qoftë financiar, qoftë në mallra apo shërbime në situata krizash humanitare, duke krijuar sinergji apo duke plotësuar mekanizmat ekzistues të ndihmës humanitare, e në anën tjetër do të përmirësojë e do të bëjë më të shpejtë e efikase mënyrën sesi shpërndahen këto ndihma e kontribute, në mënyrë që ato të shkojnë në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, atje ku ka realisht nevojë. Bëhet fjalë për të mbledhur së bashku, në një platformë inovative bashkëpunimi korporata e biznese të mëdha, të cilat duan të japin kontributin e tyre humanitar, por kanë vështirësi për ta bërë këtë përmes mekanizmave e instrumenteve ekzistuese të sistemit të OKB e që për këtë arsye kanë zgjedhur të punojnë bashkë me ne për të ndërtuar një platformë të re. Ideja është pritur mjaft mirë, ka gjetur mjaft mbështetje nga aktorë e grupe interesi, dhe vendit tonë i takon merita që ka qenë jo vetëm një nga iniciatorët dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të kësaj iniciative, por edhe që e ka sjellë atë në vëmendje të Këshillit të Sigurimit”, deklaroi Xhacka.

Qershorin e vitit të kaluar, Shqipëria mori për herë të parë Presidencën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Programi i punës së asaj presidence u konsiderua se ndërlidhi më së miri përparësitë e vendit tonë në Këshillin e Sigurimit me zhvillimet më të rëndësishme të sigurisë ndërkombëtare, siç ishte lufta në Ukrainë, çështje më e ngutshme e momentit. Shtetet e Bashkuara e bënë Shqipërinë bashkëpenëmbajtëse të çështjes së Ukrainës në Këshillin e Sigurimit. Me këtë rol në tryezën drejtuese të OKB, erdhi dhe një përgjegjësi e madhe por gjithashtu me dinjitet të lartë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, ndërsa për Shqipërinë nënkuptoi po ashtu ngjitjen e një shkalle të re në partneritetin gjithnjë e më të ngushtë me SHBA-në.

Kryeministri Rama e pati shpjeguar atëherë se krijimi i një dysheje SHBA-Shqipëri në Këshillin e Sigurimit për të qenë bashkëpenëmbajtës u realizua për të garantuar një angazhim aktiv dhe të vazhdueshëm me nisma konkrete që të dyja vendet tanimë partnerë të ngushtë në këtë proces do të ndërmarrin, gjë që konfirmoi qartësisht pozicionin e Shqipërisë në raport me Ukrainën, por edhe gatishmërinë për punë konkrete në arenën e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke përkufizuar më qartë në sytë e të gjithëve rolin e vendit tonë, si forcë që kontribuon për të mirën. Nga janari 2022 deri në fund të 2023, Shqipëria së bashku me Brazilin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gabonin dhe Ganën janë anëtare jo të përhershme në në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Panorama