Zgjedhjet e pjesshme për bashkinë e Kukësit, sot afati i fundit për regjistrimin e partive

0
263

E premtja e 1 shtatorit është afati i fundit për partitë politike që do të kërkojnë të regjistrohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për vendoret e pjesshme në Kukës.

Garës së përsëritur për kryebashkiakun e ri të qytetit verior do t’i bashkohet edhe Partia Demokratike e Lulzim Bashës, që në 14 maj nuk pati kandidat të saj.

Edhe në këto zgjedhje demokratët do të konkurrojnë përballë socialistëve të përçarë ku i fituari është Edi Rama përballë dyshes Sali Berisha – Ilir Meta dhe Lulzim Basha i vetëm.

Para se gara mes tyre të nis në terren, fazën përgatitore do ta bëjnë në fushën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ilirjan Celibashi do të duhet të vendose edhe një herë se kujt i takon vula dhe logoja e PD-së me kryetar të rizgjedhur Lulzim Bashën. Partia e këtij të fundit është tashmë në betejë ligjore me KQZ-në.

Ajo e përcaktoi atë si forcë të dytë të opozitës pas Partisë së Lirisë së Ilir Metës që përfaqëson interesat politike të Sali Berishës. Nëse për PS-në dhe koalicionin “Bashkë Fitojmë” kandidatët e kanë nisur fushatën, përkatësisht me Albert Halilaj dhe Emri Vata, Partia Demokratike ende nuk e ka çertifikuar kandidatin e saj

Deri në 8 shtator Lulzim Basha ka kohë të gjejë kandidatin e tij me të cilin do të kërkojë fitoren në Kukës. Në vendoret e majit për këshillat bashkiakë PD-ja e tij fitoi vetëm një mandat dhe për nga numri i grumbulluar i votave u rendit e 23-ta nga 40 subjektet politike në garë. Gara e 24 shtatorit do të jetë prova e parë e Lulzim Bashës kryetar të rikthyer të PD Mbetet për tu parë nëse ai do të betonizojë vendin si forcë e tretë politike siç 14 maji e pozicionoi apo do të kemi përmbysje në rezultat, të paktën brenda opozitës.