Më herët, në një reagim në ‘Facebook’, Partia Demokratike shkroi se ky takim vjen në një moment vendimtar për vendin dhe se PD ka zgjedhur reformimin dhe modernizimin e partisë opozitare. Mësohet se agjenda e Kuvendit Kombëtar do të jetë: Ndryshime statutore; Vendime organizative në përputhje me vendimet statutore; Miratimi i agjendës politike të Partisë Demokratike.
Këto ndryshime i ka paralajmëruar dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë takimeve të tij me demokratët. Ai tha se në Kuvend sot do të merren vendime të rëndësishme për të ardhmen, forcimin dhe modernizimin e Partisë Demokratike.
Kryetari i PD-së Lulzim Basha përveç prekjes së statutit të PD-së, në vijimësi pritet t’i hapë rrugë ndryshimit të kupolës drejtuese, përfshirë kreun e Grupit Parlamentar, që sipas statutit, zgjidhet në mesin e nënkryetarëve të partisë. Mësohet se në çelje të Kuvendit fillimisht do të mbajnë fjalime disa të rinj. Pas disa fjalimeve do të mbajë fjalën e tij për gati 1 orë kreu i PD-së, Lulzim Basha. Pas fjalës së Bashës, do të prezantohen ndryshimet statutore dhe fillimisht do të jetë Komisioni i Ndryshimeve Statutore që do sqarojë ndryshimet e bëra ndërsa në vijim do të votohet me ngritje kartoni për këto ndryshime nga delegatët. Po sot do të votohet edhe Këshilli i ri Kombëtar dhe teksa do të mbahen fjalime të hapura, njëkohësisht edhe do të votohet.
Kujtojmë se Kuvendi i fundit që PD zyrtare ka mbajtur ishte ai i 18 dhjetorit, në kulmin e luftës me grupimin e Sali Berishës ku Basha mblodhi 5004 delegatë dhe vendosi që non gratat e SHBA të qëndrojnë larg drejtimit të partisë.