Demokratët në realitetin e ri politik/Nga Erl Kodra

0
324

Nga Erl Kodra
Partia Demokratike ka filluar ndryshimin që më 19 Maj 2021, ditën kur Sali Berisha u shpall person non grata nga Departamenti i Shtetit. Kjo do të thotë se që prej asaj dite, edhe sikur të mos kishte ndodhur asnjë nga zhvillimet e mëvonshme, përsëri PD nuk është më PD e para 19 Majit.

Me këtë duhet të kuptojmë se që prej asaj dite, PD ka humbur një pjesë të mirë të votuesëve të saj. Ky është fakti që askush nuk e thotë.
Në një analizë të thjeshtë, PD ka patur vokacionin më të spikatur pro-amerikan dhe pro-perëndimor në Shqipëri. Ajo lindi si parti pro-perëndomore, dhe si e tillë, shqiptarët më pro-amerikan janë demokratët shqiptar. Me demokratë unë kam parasysh votuesit e Partisë Demokratike, dhe jo domosdoshmërisht lidershipin e saj. Tek e fundit, baza që e ka mbështetur gjithmonë këtë parti kanë qenë dhe janë shqiptarët e djathtë; anti-komunistë dhe me mendësi të hapur pro-perëndimore. Ky është fakt i pamohueshëm.

Me pak fjalë, më 19 Maj 2021, shpallja non grata e Sali Berishës ishte një shock i fortë psikologjik për shumicën e votuesëve të PD. Në variantin më të mirë, demokratët prisnin që Sali Berisha të tërhiqej dhe të linte të qetë partinë të vazhdonte rrugën e saj, pa i ngarkuar asaj probleme që nuk i meritonte. Tek e fundit votuesit e Partisë Demokratike nuk kishin pse të paguajnë për kusuret e askujtë, për më tepër për një njeri që kishte provuar të gjitha pushtetet e mundshme për 32 vite me rradhë.

Fusnotë: Në një botë ideale, më 20 Maj Sali Berisha do të duhej të deklaronte tërheqjen nga politika (megjithse duhej ta kishte bërë që më 2013-tën) – të dorëzonte mandatin e deputetit dhe t’i kushtohej atyre kënaqësive që të jep mosha e tretë. Ai do merrte me vete mirënjohjen e qindra mijëra demokratëve shqiptarë, duke lartësuar me kohën figurën e tij komplekse. Por nuk qe e thënë që Berisha të bënte një gjë të tillë, sepse bota ideale nuk përkon me realitetin e rëndomtë ku jetojmë.

Në këto rrethana, sidomos pas 9 shtatorit, demokratët panë shfaqjen më të ultë që mund të bëjë një ish-Kryeministër, një ish-President dhe një ish-Kryetar i partisë së tyre – Sali Berisha i vuri kazmën Partisë Demokratike – pa pyetur për fatin dhe të ardhmen e asnjë demokrati, as të Shqipërisë. Shumë demokratë filluan të shohin tek Sali Berisha njeriun e vogël, që po ditë pas dite po konfirmonte të gjitha ato që ishin thënë dhe shkruar për të përgjatë viteve. Goditja e rëndë dhe zhgënjimi filloi të konsolidonte ndarjen mes demokratësh. Të gjendur mes Sali Berishës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një pjesë zgjodhi Sali Berishën dhe pjesa tjetër Shtetet e Bashkuara.

Vokacioni pro-amerikan në Partinë Demokratike është gjallë, dhe këtë e përfaqësojnë demokratët shqiptarë. Për ta thënë ndryshe, edhe sikur të mos kishte ndodhur asgjë në PD që prej verës së vitit 2021, edhe sikur Lulzim Basha nuk do të pezullonte Sali Berishën nga grupi parlamentar i saj, edhe sikur të mos ndodhte fare Foltorja, as Kuvendi i 11 Dhjetorit, as i 18 Dhjetorit, as 8 Janari, as 6 Marsi, as 14 Maji, as 2 Shtatori: domethënë asgjë fare – me fjalë të tjera Partia Demokratike të ishte njësoj siç ishte para zgjedhjeve të vitit 2021 – demokratët pro-amerikanë nuk do ta mbështesnin më këtë lloj partie. Demokratët (votuesit e PD) nuk janë qenie që nuk mendojnë, përkundrazi, ata i lexojnë shkëlqyer mesazhet politike, ata e dinë fare mirë se çfarë janë Shtetet e Bashkuara për Shqipërinë.

Si përfundim, në çdo rrethanë shqiptarët që votojnë dhe mbrojnë një Parti Demokratike pro-amerikane janë aty. Ata shqiptarë që i mbijetuan komunizmit kanibal me sytë dhe mendjen nga perëndimi, kurrë nuk do jenë në armiqësi me Shtetet e Bashkuara. Domethënë, këta qytetarë kërkojnë përfaqësim politik, dhe askush nuk i përfaqëson më mirë se Partia Demokratike.

Edhe sikur Lulzim Basha të bashkohet nesër me Sali Berishën, këta demokratë nuk do të kthehen më nën hijen e tij. Ata janë me Shtetet e Bashkuara. Ky është realiteti.
Shpresoj se Partia Demokratike do të dijë t’i përfaqësojë politikisht këta demokratë.