Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare aktori i njohur i skenës dhe ekranit shqiptar, Lutfi Hoxha.
Lajmin e ka bërë të ditur me anë të një njoftimi në Facebook, Teatri i Durrësit, i cili thote se ishte xhevahiri i fundit i plejadës së artë të teatrit “Aleksandër Moisiu”.
Lutfi Hoxha ka luajtur në shumë filma, por më i njohur është në filminin “Shoku ynë Tili”.
“Qofsh i dritës engjëll i mirë e i bardhë. Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga gjiri ynë artistik i xhevahirit të fundit të plejadës së artë të teatrit “Aleksandër Moisiu”. Lutfi Hoxha e jetoi këtë jetë në skenë, aty ku dha gjithçka.” – njoftoi Teatri i Durrësit këtë të diel ndarjen nga jeta të mjeshtrit të skenës Lutfi Hoxha, homazhet për të cilin do të mbahen nesër në hollin e teatrit “A. Moisiu”.
Filmat
Mbi 100 role në teatër dhe afro 17 në kinematografi përbëjnë gamën e jetës së tij artistike. Disa prej filmave në të cilat ka interpretuar janë “Rrugicat që kërkonin diell”, “Detyrë e posaçme”, “Thirrja”, ”Shoku ynë Tili”, “Pylli i lirisë”, “Tinguj lufte”, “Nata e parë e lirisë”, “Ne dhe Lenini” etj. Dalja në pension nuk i solli apati profesionale, përkundrazi. Vijoi t’i përgjigjet ftesave të regjisorëve. Luajti në “Qytet pa dashuri” të Bashkim Hoxhës, “Trokitje në dyert e dhimbjes” nga Serafin Fanku, monologun e Edipit në “Edipi Mbret”, “Nuk paguajmë, nuk paguajmë” të nobelistit Dario Fo, në komendinë “Dy vëllezër e gjysmë”, si dhe në Teatrin Kombëtar “Korbi i bardhë”.