Nis sot viti i ri shkollor 2023-2024 në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar. Për herë të parë në shkollë do të shkojnë rreth 29 mijë nxënës, ndërsa në klasat e 10-ta rreth 27 mijë nxënës.
Gjatë këtij viti shkollor kanë përfituar tekste falas të gjithë nxënësit e arsimit bazë nga klasa e parë deri në klasën e 9-të, por edhe 16 kategori në nevojë, të veçanta, në arsimin e mesëm. Ata janë që nga statusi i jetimit, me vështirësi ekonomike në familje, nxënësit me aftësi të kufizuara, komuniteti rom dhe egjiptian, etj.
Risia këtë vit është se të gjithë nxënësit nga klasa e parë në të tretë, tekstet do të jenë falas me vetëm një përdorim, që do të thotë se nxënësit nuk e kanë detyrimin që në fund të vitit shkollor t’i dorëzojnë tekstet.
Për shkak të moshës së vogël dhe vështirësisë që kanë për t’u kujdesur mirë për librin, por se shumë tekste janë me shënime dhe kjo bëhet e vështirë që nxënësit e brezit tjetër t’i përdorin. Gjithashtu gjatë këtij viti shkollor përmes paketës “Siguria në shkolla” do të garantohet më shumë siguri e mbrojtje, për të parandaluar çdo lloj rreziku që mund t’i shfaqet nxënësve.