15 shtatori- Dita Ndërkombëtare e Demokracisë/Bujar Leskaj :Partia- shtet ka kapur, shtetin, pushtetin, ekonominë, politikën, drejtësinë..

0
216
Nga Bujar Leskaj
15 shtatori- Dita Ndërkombëtare e Demokracisë.
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, kemi detyrën dhe detyrimin të kujtojmë me respekt 8 Dhjetorin, të kujtojmë me respekt e përulje Studentët e Dhjetorit ’90, që me vetmohim, guxim, ëndrra e idealizëm luftuan për Demokracinë; duhet të përulemi me respekt përpara Dëshmorëve të saj, Arben Broci, Azem Hajdari, etj; duhet të përulemi me respekt përpara qëndrestarëve antikomunistë shqiptarë; përpara themeluesve të Partisë Demokratike, e cila bëri ndryshimin në Shqipëri, solli pluralizmin e Lirinë me mbështetjen e pakursyer në gjithë këto vite të partnerit tonë strategjik, kampionit të Demokracisë në botë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Por sot kjo ditë duket sikur e ka humbur simbolikën dhe kuptimin e saj.
Aktualisht në Shqipëri kemi një kufizim total të demokracisë dhe modeli autoritarist dominon.
Sot, pas tri dekadash “demokraci” Shqipëria është peng i korrupsionit, mafies politike dhe jo vetëm, i mentalitetit përçmues e kriminal, autoritarizmit të një sekti që i ka mbërthyer shqiptarët për gryke, peng i një sekti që është i paaftë të ofrojë ndryshime në zhbërjen e vlerave demokratike.
Partia- shtet ka kapur gjithçka, shtetin, pushtetin, ekonominë, politikën, Drejtësinë…
Ndaj Shqipëria e sotme, vazhdon të jetë vend i ikjes masive të popullit e i elitave intelektuale, i ikjes së të rinjve, i ikjes së atyre që kanë potencial ndryshimi të vërtetë, dhe njëherësh është vendi ku pushteti kthehet kundër e përballë qytetarëve dhe vlerat janë krejt të përmbysura.
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, duhet të reflektojmë përpara së gjithash tek vetja dhe të kuptojmë që brezi ynë është fajtor për këtë gjendje dhe për atë ç’ka po u lëmë trashëgim fëmijëve tanë.
Të rinjtë kanë mundësinë të na korrigjojnë, kanë mundësinë që potencialet negative që po u lëmë trashëgim t’i përmbysin, t’i ndryshojnë e t’i korrigjojnë, në mënyrë që kjo Ditë e Demokracisë të ketë vërtet kuptim.