“Çdo 15 ditë në Itali për lojtarët, por edhe për ushqimin e kafen”, Silvinjo u tregon italianëve ambiciet kuqezi: Tani nuk po mendoj për EURO 2024

0
331

Trajneri brazilian Silvinjo ka vetëm pak muaj në drejtimin e Shqipërisë, por i kanë mjaftuar që të udhëheqë një grup të talentuar drejt një kualifikimi mëse të arritshëm në Euro 2024. 

Ky edicion kualifikues i Shqipërisë ka tërhequr kudo vëmendjen dhe sidomos te fqinjët përtej Adriatikut, duke parë numrin e madh të lojtarëve kuqezi në futbollin italian.

“Radio Sportiva” ka intervistuar trajnerin brazilian dhe ky i fundit ka treguar kuriozitetet rreth eksperiencës kuqezi, lidhjes së tij me Italinë që e viziton shpesh, si dhe faktin që gjithçka mbetet e hapur dhe kualifikimi nuk do të jetë i thjeshtë.

“Jemi prej 8 muajsh në Shqipëri duke punuar. Më duhet të them që kam gjetur një ambient të mirë, një Federatë mjaft të mirë, por edhe lojtarë të fortë. Kam vendosur që me stafin të jetoj në Tiranë për të nisur menjëherë një punë të rëndësishme, me energji dhe organizim. Për momentin po bëjmë mirë, por mbeten ende 3 ndeshje të vështira për t’u kualifikuar në Euro 2024.

Çdo 15 ditë jemi në Itali, është e vërtetë. Kemi futbollistë të fortë në itali, pastaj… ka ushqim dhe kafe të mirë (qesh). Por është edhe Ramadani atje, të tjerë 19-vjeçarë të aftë. Për një lojtar është e bukur që të luajë në një klub të madh, të përmirëson.

Unë nuk di të këshilloj një lojtar mbi faktin nëse duhet të luajë në një vend apo në tjetrin, pasi kanë staf apo menaxherë për këtë gjë. Jam i lumtur me kombëtaren time, mendoj se situata perfekte për një lojtar është të shkojë në një klub të rëndësishëm dhe të mund të luajë.

Derbi i Milanos? Fillimi i vitit të kaluar ishte i komplikuar për zikaltrit por pastaj Inzagi dhe stafi i tij kanë bërë shumë mirë, duke arritur në finalen e Ligës së Kampioneve me Mançester Sitin, një ndeshje shumë e vuajtur dhe e lodhshme. Interi është i fortë, mbrohet mirë, riniset shpejt, është i ndërtuar mirë.

Kombëtarja italiane? Të jem i sinqertë, kam parë pak, që kur kam ardhur këtu në janar, jam përqendruar vetëm te Shqipëria. Presidenti i Federatës flet italisht, më duhet të ndjek 50-60 lojtarë të aftë shqiptarë nëpër botë. Mançini u tregua super teksa fitoi Europianin, zgjedhja e tij për t’u larguar ishte personale dhe është e vështirë ta vlerësosh si vendim.

Sa punë duhet bërë? Shumë. Më ndihmon edhe Federata Shqiptare, që merret me djemtë nën 17 dhe 18 nëpër Europë, si në Itali, Gjermani, Zvicër. Të gjithë të gatshëm për një të ardhme me ne për U19 dhe U21. Unë nuk mendoj për EURO 2024 në këto momente, kemi fituar ndeshjen e fundit në shtëpi ndaj Polonisë dhe i kam thënë presidentit që na mungojnë tre finale për të arritur  në finale.

Por grupi është i vështirë. Republika Çeke ende nuk ka pësuar humbje për shembull, ndaj mund të ndodhë gjithmonë gjithçka. Objektivi është të kualifikohemi, të mbërrijmë në nëntor në gjendje për ta bërë një gjë të tillë”, shpjegoi Silvinjo për radion italiane.

PANORAMASPORT.AL