BallinaOP ED“Kostot e rikthimit të TVSH-së në arsimin privat, shumë më të larta...

“Kostot e rikthimit të TVSH-së në arsimin privat, shumë më të larta se përfitimet “

spot_img
spot_img
Nga Besnik Aliaj*

Para pak ditësh, Ministria e Financave dhe Ekonomisë tha se për nevoja të arkës së shtetit, për rritjen e pagave në administratën publike (premtim elektoral i qeverisë) do të vendosë TVSH-në në arsim!

Ky është një eksperiment i testuar dhe i dështuar edhe nga qeveritë e kaluara. Ca më keq akoma, qeveria do të marrë para nga financat e arsimit, për t’ua kaluar sektorëve të tjerë, në një kohë kur pjesa e PBB-së për arsimin në vend është aktualisht e ulët!

Më tej renditen disa argumente rreth kësaj mase potenciale dhe ndikimi i saj për IAL-et shqiptare:

Së pari, një pikë e rëndësishme është që arsimi ndikon drejtpërdrejt në një shoqëri të kualifikiar, të ditur dhe me kompetencë dhe inovacion, dhe në këtë pikë, Shqipëria është në disavantazh në rajon.

Vendosja e TVSH godet pikërisht aftësinë e vendit për të qenë konkurrues në këtë fushë dhe dëmton rritjen dhe vlerën e shtuar afatgjatë që vjen nga dija dhe inovacioni.

Pra, kjo prish balancën midis së tashmes dhe së ardhmes së shoqërisë, midis shpenzimeve të tanishme dhe investimeve për të ardhmen. Mund të premtosh paga të larta tani, por humbet aftësinë që shoqëria të ketë paga të larta në të ardhmen.

Së dyti, pikë e rëndësishme në çështjen e TVSH-së është edhe efekti afatgjatë në të hyrat e shtetit.

Universitetet dhe shkollat parauniversitare janë nga sipërmarrjet më sociale në vend dhe me numër më të madh të punonjësve me paga të larta. Kjo do të thotë që ato kanë një kontribut të rëndësishëm në skemën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, por edhe në të hyrat në shtet të tatimit mbi të ardhurat personale.

Taksimi ekstra i këtij sektori mundet që fillimisht të sjellë në dukje “rritje” në të hyrat nga TVSH, por shumë shpejt do të godasë të hyrat në skemën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, ku buxheti i shtetit kompenson kur skema është deficitare.

Po ashtu do të ulë edhe të hyrat nga tatimi nga të ardhurat nga punësimi. Në total, efekti që në vitet e para, do të jetë negativ në të hyrat e shtetit përkundër synimit të qeverisë.

Së treti, largimi i studentëve shqiptarë. Në kushtet kur TVSH do të bëjë më pak të konkurrueshme tarifat e universiteteve private (sidomos ato cilësore), një pjesë e studentëve do të largohen për të studiuar jashtë.

Në qoftë se deri dje, kjo kategori mbahej e shpenzonte të studionte në Shqipëri, pas vendosjes së TVSH, nxitet të shkojë jashtë duke përshpejtuar largimin e “trurit” dhe të financave (tarifa shkollimi dhe kosto jetese, etj.). Pra humbjet thellohen!

Së katërti, universitetet në tërësi rreth 75% të buxhetit e kanë paga stafi, nga të cilat nuk mund të kreditojë TVSH, kjo do të thotë që pothuajse e gjithë TVSH do të jetë e pagueshme, ndryshe nga një kompani tregtare apo prodhuese, ku niveli i pagesës së TVSH nuk është më shumë se 4-5%, këtu do të jetë afërsisht 19-20%.

Ky është një ndëshkim i padrejtë ndaj arsimit, shtresës së mesme dhe trurit/rinisë së vendit! Kjo do të sjellë pasoja ekonomike, sociale dhe politike!

Së pesti, efekti social. Vendosja e TVSH-së do t’i rëndojë universitetet në tërësi (jo vetëm ato private) dhe do të detyrojë që një pjesë të mbyllen, një pjesë të bëjnë shkurtime në kosto stafi, apo reduktime shpenzimesh dhe investimesh.

Kjo do të thotë që shkurtimet e stafit do të nxjerrin të papunë shumë pedagogë, administratë dhe profesionistë, duke nxitur një valë emigracioni të profesionistëve dhe të rinjve, në kundërshtim me gjithë synimet e qeverisë.

Është urgjente hapja e një diskutimi publik me grupet sociale të prekura! Kjo bëhet më imediate për fëmijët/prindërit dhe studentët, pasi në të gjithë botën, TVSH shkarkohet mbi konsumatorin. Kjo është jetike edhe për institucionet e arsimit, pa të cilat nuk ka zhvillim në vend!

Sepse ka një thënie të famshme që kur mbyll një shkollë, përvoja ka treguar që duhen hapur shumë burgje! Shqipëria sot ka nevojë për të kundërtën: dije, komunikim, paqe sociale dhe zhvillim.

Fatura e lartë financiare e rritjes së programuar të pagave e ka vënë qeverinë përballë nevojës për të siguruar të ardhura shtesë në buxhet.

Sipas planit të shpallur, rritja e pagës mesatare në 900 euro për nëpunësit publikë ka një faturë prej rreth 40 miliardë lekësh, ose gati 360 milionë euro në vit. Tani, qeveria po mendohet se ku do t’i gjejë këto para.

Problemi kryesor me rritjen e shpenzimeve për paga është se ato janë të qëndrueshme, pra jo shpenzime si shpërblimet, të cilat ndodhin vetëm një herë, por pagesa çdo muaj e të përvitshme. Si të tilla, kërkojnë balancim në krahun e të ardhurave, po me masa që garantojnë flukse të qëndrueshme hyrëse.

Për këtë arsye, në institucionet e qeverisë ka filluar të diskutohet një ide (aspak korrekte) e sugjeruar para 4 vjetësh nga ekspertë burokratë të huaj që s’kanë haber/përgjegjësi për sfidat reale të jetës në vend, të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave.

Ky është rikthimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) edhe në arsim dhe shëndetësi, duke cenuar jo vetëm sektorin privat, por edhe atë publik e në tërësi.

Aktualisht, Shqipëria ka një regjim, i cili e përjashton shëndetësinë dhe arsimin nga TVSH si sektorë me ndikim social të lartë.

Ligji aktual për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar përcakton se janë të përjashtuara nga kjo taksë furnizimi i shërbimeve për arsimin e fëmijëve ose të rinjve, nga organet arsimore publike ose private. E njëjta situatë përcaktohet në nenin 51 të ligjit të TVSH-së edhe për shërbimet shëndetësore.

Sipas një llogaritje të Ministrisë së Financave, vetëm nga përjashtimi i këtyre dy sektorëve nga TVSH, buxheti i shtetit mund të gjenerojë (si kosto shtesë për familjet shqiptare) të ardhura në masën 1.4% e Prodhimit Kombëtar Bruto.

E shprehur në vlerë, kjo do të thotë se rivendosja e taksës në arsim dhe shëndetësi do t’i sillte “fitim” financiar qeverisë rreth 250 milionë euro të ardhura shtesë në vit (e gjitha në fakt në kurriz të familjeve që kanë fëmijë në shkollë ose universitet). Të gjithë do të prekemi!

Por ndonëse do të siguronte financimin e pjesës më të madhe të faturës për rritjen e pagave, vendosja e TVSH-së në arsim dhe shëndetësi do të rriste automatikisht me 20% çmimet që qytetarët (familjet e tyre) dhe institucionet arsimore do të paguajnë për këto shërbime.

Në një vend ku shërbimi publik nuk garanton mbulim universal, këto masa do shkaktojnë pasoja të dhimbshme sociale për studentët, familjet e tyre dhe stafet e shkollave dhe universiteteve!

Ky është tashmë një diskutim i hapur, pasi ende nuk ka një vendim final, i cili sigurisht do të jetë një vendim final politik, ku qytetarët/institucionet e prekura kanë të drejtën të thonë mendimin e tyre!

Por e sigurt është se më 1 janar 2024, vitin e ardhshëm, qeverisë do t’i duhet të rrisë diku taksat. Shpresojmë të mos jetë Arsimi, i cili është shërbim jetik për fëmijët tanë, familjet e tyre, institucionet arsimore dhe të gjithë zhvillimin e vendit.

Studentët, familjarët dhe stafi duhet të sensibilizohen tani sa nuk është vonë dhe të mbajnë qëndrim publik, pasi ideja që ka më shumë mundësi të materializohet është pikërisht kjo e taksimit të shëndetësisë dhe arsimit.

Ndërsa masa të tjera shtesë duket se lidhen me rritjen e taksave të pronës.

Rektor në Universitetin “POLIS”

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular