BallinaIntervista“Vendosja e TVSH-së, me pasoja dramatike në arsimin privat dhe në të...

“Vendosja e TVSH-së, me pasoja dramatike në arsimin privat dhe në të gjithë shoqërinë”

spot_img
spot_img
Flet Ermal Hasimja, administrator i shkollës jopublike të arsimit parauniversitar “Ernest Koliqi”, dhe Kryetar i Shoqatës së Shkollave Jopublike

Ermal Hasimja, administrator i shkollës jopublike të arsimit parauniversitar “Ernest Koliqi”, dhe Kryetar i Shoqatës së Shkollave Jopublike, thotë se rikthimi i TVSH-së do ta paralizojë sektorin që sot është pararojë e arsimit shqiptar, i cili shkollon 82.500 nxënës të shtresave të mesme.

 

Si do të ndikojë në të ardhurat e universitetit nisma e qeverisë për vendosjen e TVSH-së në arsim?

Vendosja e TVSH-së në faturat e shkollimit do të kishte pasoja dramatike për të gjithë shkollat private.

Meqë asnjë shkollë nuk do të kishte mundësi ta mbante mbi supe vetë, TVSH-ja, si taksë konsumatori do të binte plotësisht mbi shpatullat e prindërve.

Kjo do të sillte largimin e një pjese të nxënësve drejt publikut, duke goditur rëndë financat e shkollave private dhe duke u hequr mundësinë për investime në staf, infrastrukturë e teknologji inovative. Shkurt, do ta paralizojë arsimin privat që është pararojë e arsimit shqiptar, i cili shkollon 82.500 nxënës të shtresave të mesme.

Por do të rrënonte edhe arsimin publik. Nëse llogarisim largimin e vetëm 25% të nxënësve nga privati në publik, vetëm në Tiranë kjo do të shtonte 5000-6.000 nxënës shtesë në shkollat publike, të cilat edhe sot janë të mbingarkuara e nganjëherë edhe me dy turne.

Pra do të sillte rritje të numrit të nxënësve në klasa, nevojë për shtesë stafi që sot gjendet me vështirësi, investime shtesë nga shteti e mbi të gjitha, rënie masive të cilësisë në shkollat publike.

Aplikimi i TVSH-së mbi familjet që shkollojnë fëmijët në shkolla private do të sjellë largimin e një pjese të konsiderueshme të tyre nga arsimi privat. Për shkak të vështirësive të financimit, një pjesë e shkollave private thjesht do të mbyllen.

Pjesa tjetër do të detyrohet të ulë standardet e cilësisë (ulje pagash, anulim të investimeve të parashikuara, etj).

Marzhet e fitimit në arsimin privat nuk mundësojnë asnjë marrje përsipër të barrës së TVSH-së nga vetë shkollat. Rrjedhimisht, e gjithë barra do të kalojë mbi prindërit, gjë që do të shkaktojë pakënaqësi të jashtëzakonshme mbi familjet e 82.500 nxënësve të arsimit privat (INSTAT 2023).

Financat e shkollave private janë aktualisht të rënduara nga dëmet e inflacionit, rënia e vlerës së Euros (një pjesë e mirë kanë tarifa në euro) dhe presioni i madh për rritjen e pagave. Ky është momenti më i gabuar për t’i rënduar shkollat me barrë fiskale shtesë.

Ndryshe nga shumica e kompanive të tjera, buxheti i shkollave private dominohet nga pagat e stafit dhe rrjedhimisht, ka shumë pak TVSH të rimbursueshme. Aplikimi i TVSH-së godet arsimin shqiptar në tërësi.

Arsimi privat është në pararojë të arsimit shqiptar. Për ilustrim, në provimet e maturës që sapo u mbyllën, në 40 shkollat me rezultatet më të larta, 35 janë private. Shkolla më e mirë publike renditet në vendin e 28.

Aplikimi i TVSH-së do të godasë praktikisht shkollat që investojnë më tepër në cilësi, paga, investime dhe teknologji të reja, rrjedhimisht shkollat më të mira të vendit. Kjo masë godet sidomos atë pjesë të arsimit shqiptar që shërben si pararojë dhe përcakton standardet e cilësisë.

Aplikimi i TVSH-së godet mijëra mësues e të tjerë që punojnë në arsimin privat. Aplikimi i TVSH-së dhe rrjedhimisht, ulja e pagave dhe mbyllja e një pjese të shkollave private, do të sjellë drama të pashmangshme sociale e njerëzore për mijëra të punësuar në to.

Të gjithë këta njerëz do të shtojnë listat e të pakënaqurve që do të presin zgjidhje dhe para nga shteti. Aplikimi i TVSH-së nuk do të sjellë të ardhurat e pritshme për shtetin.

Llogaritjet mbi të ardhurat shtesë, që supozohet se do të përfitojë shteti nga aplikimi i TVSH-së nuk marrin parasysh faktin se një pjesë e prindërve nuk do të mund të paguajnë dot tarifat që do të rriten prej TVSH-së dhe do t’i largojnë fëmijët drejt shkollave publike. Rrjedhimisht, edhe këto të ardhura do

të jenë më të ulëta sesa shpreson ministria. Të gjithë nxënësit që do të largohen nga shkollat private për t’u ngjeshur në publik do të përbëjnë gjithashtu një barrë financiare shtesë për qeverinë.

Do të shtohet numri i shkollave publike me dy turne dhe klasa të mbingarkuara. Në fund të ditës, bilanci përfitime/humbje nga aplikimi i TVSH-së do të jetë zhgënjyes edhe për vetë financat publike. Mbyllja dhe dobësimi i shkollave private do të sjellë gjithashtu më pak të ardhura për financat e shtetit, nëpërmjet taksave e tatimeve të tjera.

Aplikimi i TVSH-së sjell probleme të rënda sociale. Në rekomandimet e saj, FMN-ja si frymëzuese dhe burim presioni ndaj qeverisë, argumenton se aplikimi i TVSH-së nuk do të paraqesë problem, sepse në shkollat private arsimohen të pasurit.

Kjo nuk është absolutisht e vërtetë. Shkollat private aktualisht arsimojnë fëmijët e shtresave të mesme: pikërisht mjekët që ju dëshironi me shumë të drejtë t’i mbani në vend, por edhe inxhinierët, arkitektët, ekonomistët, etj.

Shqipëria nuk ka dhjetëra mijë të pasur siç imagjinon FMN.

Rëndimi i buxhetit të shtresave të mesme me TVSH-në në arsim do të detyrojë një pjesë të tyre të dynden drejt shkollat publike, duke i mbingarkuar ato dhe duke rënduar problemet e shumta që ekzistojnë edhe me numrin aktual të nxënësve.

Të gjithë anketimet e realizuara deri më sot, për arsyet e emigrimit të shqiptarëve, vërtetojnë qartësisht se arsimimi i fëmijëve është një nga dy arsyet madhore të atyre që braktisin vendin.

Aplikimi i TVSH-së dhe pasojat e tij do të motivojnë edhe shumë të tjerë për të ndjekur rrugën e braktisjes së vendit. Rritja e tarifave prej aplikimit të TVSH-së do t’i bëjë shkollat private pikërisht shkolla për të pasur, jo sepse janë të tilla, por sepse do të bëhen të tilla nga tarifat e papërballueshme.

Kjo do të rrisë pabarazinë në arsimim mes shtresave sociale. Nën presionin e rritjes së tarifave, shkollat private do të detyrohen të eliminojnë bursat që jepen për nxënësit e shkëlqyer që nuk kanë mundësi të paguajnë tarifat e tyre.

Eliminimi i bursave do të bëhet për të krijuar hapësira për nxënës dhe të ardhura të reja që do të zbusnin disi efektin e TVSH-së.

Kjo do të thotë se tashmë, nxënësve të shkëlqyer nga familje të varfra do t’u hiqet mundësia për të pasur shkollim të mirë dhe për t’u ngjitur në shkallët e statusit socio-ekonomik

A do të ushtrojë kjo nismë presion në rritjen e tarifave kundrejt studentëve?

Tarifat do të rriten praktikisht në masën e TVSH-së, sepse shkollat, shpenzim kryesor kanë pagat dhe kanë shumë pak hapësirë për rimbursim TVSH-je.

Prindërit që shkollojnë fëmijët në shkollat private paguajnë taksa si të tjerët, madje duke qenë shtresë e mesme, paguajnë shumë më tepër se të tjerët. Por ata nuk përfitojnë nga taksat që paguajnë, sepse shteti subvencionon vetëm prindërit që shkollojnë fëmijët në shkollat publike.

Shtimi i TVSH-së e dyfishon padrejtësinë ndaj prindërve të nxënësve tanë. Direktiva e BE-së dhe praktikat e mira botërore, Direktiva 2006/112/EC, kapitulli 2, artikulli 132, pika i, e rifreskuar më 2 qershor 2022, përcakton se shtetet anëtare nuk do të aplikojnë TVSH-në për arsimin privat.

Nëse Shqipëria synon të integrohet në BE, ajo mund të injorojë direktivat e saj.

Vendet me nivelin më të lartë arsimor nuk aplikojnë TVSH mbi arsimin privat. Në SHBA, jo vetëm që nuk aplikohet taksa e shitjes (TVSH nuk ekziston), por nuk tatohet as fitimi i shkollave private për të nxitur investimet në këtë sektor.

Si po ndikojnë zhvillimet demografike në vend (rënia e lindjeve dhe emigrimi i të rinjve) në numrin e studentëve në universitetet private?

Ulja e popullsisë nga emigracioni dhe plakja e saj kanë pasur ndikim të rëndë në arsimin privat.

Për ilustrim, në 2013, Shqipëria kishte rreth 45.000 maturantë, sot ka 29.000. Kjo është ekuilibruar disi me rritjen e kërkesës për arsimin privat, por në plan afatgjatë, do të godasë keq arsimin privat.

Sipas jush, cila do të ishte politika më e përshtatshme fiskale që duhet të ndjekë qeveria për arsimin privat në vendin tonë?

Shteti duhet të respektojë direktivën e BE-së 2006/112, që kërkon mosaplikim TVSH-je për arsimin. Duhet të ndjekë praktikat europiane e perëndimore që e mbështesin arsimin privat, për shembull, duke mbuluar një pjesë të shpenzimeve, ose investimeve.

Në Francë, shteti mbulon gjysmën e investimeve themeluese për arsimin privat elementar, paguan pagat e stafit, etj. Në SHBA, jo vetëm që nuk ka taksë shitjeje (SHBA nuk e kanë TVSH), por nuk tatojnë as fitimet e shkollave private për të nxitur riinvestimin.

Duhet kuptuar sa më shpejt se arsimi privat është aleat i shtetit, sepse mban një peshë të madhe shkollimi dhe është pararojë inovacioni e cilësie, që nuk zëvendësohet fort nga publiku.

Arsimi privat shkollon fëmijët e shtresës së mesme. Tek “Ernest Koliqi”, të paktën 40% e prindërve janë mjekë, të tjerët inxhinierë, ekonomistë, juristë.

Pra këtyre njerëzve që sot tundohen më së shumti nga largimi pikërisht se duan mbi të gjitha arsimim më të mirë për fëmijët, shteti do t’ua rriste praktikisht faturën e shkollimit me 20%. Duket si një ftesë për t’i larguar nga Shqipëria.

Në vende si Franca, madje, shteti financon masivisht shkollat private, duke mbuluar pagat e stafit.

Aplikimi i TVSH-së në Shqipëri do të sillte situatën më të pazakontë kur ky sektor tërësisht i veçantë do të tatohet njësoj si një fabrikë këpucësh dhe nuk do të mbështetet në asnjë mënyrë.

Arsimi është prioritet madhor i vendit. Argumenti tjetër i FMN-së është thjeshtimi i sistemit fiskal, nëpërmjet heqjes së përjashtimeve të TVSH-së. Por a mund të përdoret kjo logjikë për një prioritet madhor si arsimi? Cili vend në botë nuk ka përjashtime për sektorët prioritarë?
A e ka Shqipëria luksin për ta trajtuar arsimin si një aktivitet të rëndomtë? Shqipëria mund të funksionojë shumë mirë edhe pa prodhim makinash, ananasi apo çipash elektronikë, por nuk mund të funksionojë pa një sistem arsimor të trajtuar, si prioritet madhor kombëtar. Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular