Bashkimi Evropian i bëri thirrje të martën Kosovës që të fillojë punën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pa vonesa dhe pa parakushte.
Thirrjet pasuan takimin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian në Nju Jork të cilët u informuan nga shefi i politikës së jashtme të bllokut Josep Borrell, lidhur me takimin e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me 14 shtator, në të cilin palët dështuan të arrijnë ndonjë përparim.
Në një komunikatë të publikuar sot thuhet se Bashkimi Evropian shpreh shqetësimin me mungesën e zbatimit të zotimeve të Kosovës e Serbisë në kuadër të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, duke theksuar se palët kanë marrë detyrime të cilat luajnë rol të rëndësishëm në rrugën e tyre integruese.
“BE-ja u kërkon palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim. Kjo nënkupton fillimin e zbatimit të marrëveshjes për normalizim bazuar në propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejshme, i cili gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për të zbatuar plotësisht të gjitha marrëveshjet e arritura më parë në dialog. Puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm”, thuhet në komunikatë.
Kosova dhe Serbia u pajtuan në muajin shkurt në Bruksel dhe në muajin mars në Ohër për një marrëveshje të mbështetur në një plan evropian që nuk përfshinë njohjen e ndërsjellë por kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ai kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese dhe parasheh përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nuk u pajtuan javën e kaluar rreth hapave për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit ndërsa zyrtarët evropianë thanë se ishte kryeministri Kurti ai që nuk e pranoi një propozim për “përmbushje të njëkohshme” të detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje.
Kryeministri Kurti fajësoi të hënën të dërguarin evropian për bisedimet Kosovë – Serbi Miroslav Lajçak për dështimin e bisedimeve duke e akuzuar atë për njëanshmëri e qëndrime kundër Prishtinës.
Zyrtarë evropianë thanë se nuk duan të komentojnë deklarata e kryeministrit Kurti, por ministrat e Jashtëm të bllokut ritheksuan mbështetjen e plotë ndaj ndërmjetësuesve evropianë. Departamenti Amerikan i Shtetit në një deklaratë për Zërin e Amerikës vlerësoi të hënën ato që i quajti përpjekje të palodhura të zotit Lajçak në bisedimet Kosovë-Serbi.
Bashkimi Evropian u rikujtoi të martën palëve përgjegjësinë për të respektuar parimin e mirëbesimit në dialog, duke e vlerësuar atë si “element thelbësor për çdo proces negociues të ndjeshëm politikisht”.
Në njoftim blloku shprehet i shqetësuar për mungesën e përparimit të palëve për uljen e tensioneve në komunat veriore të Kosovës që u përfshinë nga tensionet që nga muaji maj kur grupe serbësh u hodhën në protesta kundër dërgimit të kryetarëve të komunave me forca të policisë në zyrat e tyre në veri.
Në këtë kuadër, thuhet më tej në njoftim, “veprimet e Kosovës, përfshirë edhe shpronësimin e tokës në veri, urdhrat për lëshimin e ndërtesave, telekomin dhe përdorimin e njësive të posaçme të policisë për detyra të ruajtjes së rendit publik, nuk janë në përputhje me sundimin e ligjit dhe rrezikojnë që të kontribuojnë në shtimin e tensioneve”.
Në komunikate thuhet po ashtu se “sulmet e vazhdueshme të nivelit të ulët nga ana e grupeve kriminale dhe frikësimi i policëve dhe kadetëve serbë të posa rekrutuar dhe ndaj popullatës lokale, janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë”.
Diplomatët perëndimorë po bëjnë thirrje që palët të përshpejtojnë procesin e normalizimit mes shqetësimeve se Rusia mund të përdorë Beogradin për të nxitur konfliktet etnike në Ballkan, për të tërhequr vëmendjen e botës nga agresioni i saj në Ukrainë/ VOA