Nga Erl Kodra
Prej disa vitesh Kosova është në rënie të lirë, në të gjitha planet. Diçka e ngjashme – por jo me këto përmasa – do të ishte e kuptueshme, nëse do të kuptohej shpejt se qasja e politikës kosovare është një rrugë pa krye. Është çmerituese se si pa kaluar akoma 24 vjet nga lufta e viteve 1998-1999 shqiptarët e Kosovës i ka kapë amnezia kolektive; ata kanë harruar se kush janë miqtë dhe armiqtë e Kosovës.
Edhe në ëndrrën më të çmendur nuk do të ishte menduar se në vitin 2023 Kosova do të gjendej nën sanksione të Bashkimit Europian, ndërsa vet Kryeministri i saj (Albin Kurti) do të sulmonte nominalisht politikën europiane (dhe amerikane) për njëanshmëri, dhe posaçërisht Miroslav Lajçak dhe Josep Borrell, njëri i dërguar special dhe tjetri Shef i Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian. Kush do ta kishte menduar se një ditë të bukur Kryeministri i Kosovës do ta quante “Naiv” Sekretarin e Shtetit!? Sepse edhe vet Albin Kurti e di mirë se Sekretari i Shtetit më të fuqishëm i planetit kurrësesi nuk mund të jetë naiv, kështu që sipas etiketimit të Kryeministrit, i bie që ai të jetë armik i Kosovës. Ky është vërtet një realitet i çmendur.
Për fat të keq, kjo gjendje nuk erdhi në një ditë. Shenjat janë dhënë me kohë, që kur Albin Kurti, një individ me ide dhe qëndrime radikale digjte makina dhe u printe demostratave të dhunshme, duke shfrytëzuar frustimin dhe varfërinë e një populli të shtypur për gati një shekull. Dhe çuditërisht, këto akte radikale të Albin Kurtit ndodhnin në momente kyçe, pikërisht atëherë kur Kosova gjendej para dilemave për të vendosur të ardhmen e saj. Për fat të mirë, të gjitha aktet dhe qëndrimet e Albin Kurtit janë të dokumentuara më së miri; që nga qëndrimi kundër Konferencës së Rambujesë, intervista nga burgu i Serbisë për një televizion serb, qëndrimi kundër Pakos Ahtisaari, qëndrimi kundër Pavarësisë së Kosovës, qëndrimi kundër krijimit të Asosacionit të Komunave Serbe, dhe së fundi, aktet e çmendura nga pozita e Kryeministrit kundër interesave jetike të Kosovës.
Që prej ditës që Albin Kurti hyri në zyrën e Kryeministrit, ai ka punuar kundër interesave të Kosovës. Nëse si opozitar ai mund të hidhte bomba me gaz lotsjellës në Parlamentin e saj, nga pozita e Kryeministrit ai ia doli ta fuste Kosovën nën sanksione të Bashkimit Europian.
Çdo ditë të jetës së tij si Kryeministër ai ka bërë nga një akt kundër vendit të tij; nga njëra anë duke ndihmuar Serbinë pëmes “asisteve” të jashtëzakonshme, dhe nga ana tjetër, duke ngritur mure mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, Kosovës dhe Bashkimit Europian.
Albin Kurti i ngjanë atij tipit “që shet atllarë dhe ble magarë” – që shkatërron të gjitha shanset para se të ketë mundësi për dialog; dhe kur ulet në dialog, ngre pretendime idiote, periferike dhe krejtësisht të parëndësishme. Kështu, ai gjeneron kriza të kota, pa asnjë vlerë reale për dialogun ose të ardhmen e Kosovës, ose që shërben për të zgjidhur mosmarrëveshjet aktuale. “Lufta për llamarinat e targave” të automejeteve e filloi katrahurën aktuale, luftë që shërbeu si një asist i çmuar për Serbinë që të radikalozonte qëndrimet e saj; pastaj erdhën me rradhë; bllokimi i rrugëve, dorëheqjet masive të administratës në komunat e veriut, personelit policor lokal, dhe çdo shenje e Shtetit të Kosovës.
Kulmi ishin “zgjedhjet lokale” në katër komuna, me një pjesëmarrje nga 2 deri në 3 %, dhe katër “kryetarë” komunash që “qeverisin” krevatin ku flejnë dhe nevojtoren ku dhjesin. Edhe kaq “qeverisje” e bëjnë me ndihmën e KFOR-it. Ky është rezultati i sukseseve politike të Albin Kurtit.
Edhe një Ministër i Aleksandër Vuçiç, nuk do të kishte punuar më mirë në interes të Serbisë. Merreni me mend ku e ka sjellë punën Albin Kurti; izolim dhe sanksione përëndimore për Kosovën. Asgjë më shumë nuk ka dashur Serbia. Dhe sigurisht që ata i janë falenderues Albin Kurtit.
***
Opozita në Kosovë ka futur kryet mes kambëve nga frika se mos Albini e çon përsëri vendin në zgjedhje. Një opozitë anemike, e trembur nga populizmi, e paaftë të përballojë propagandën bajate të një tradhëtari. E kompleksuar dhe e frikësuar, ajo nuk është në gjendje as të organizojë rezistencë qytetare. Dhe nuk kanë faj, se trimat dhe të zgjuarit janë ose në varre ose në hapsane.
“Bravo” Albin Kurti. Bukur ia punove Kosovës!