Një efektiv i forcave “Shqiponja” është plagosur mbrëmjen e kësaj të mërkure në rrugën “Hysen Xhura” në zonën e ish-Kinostudios në Tiranë. Efektivi Edlir Alleshi u qëllua nga një person në një operacion për ndalimin e personave që qarkullojnë të armatosur.
Raportohet se autor i ngjarjes është Klerent Bozhanaj, rreth 42 vjeç. Atij i është bërë thirrje për të ndaluar, por ka hapur zjarr në drejtim të forcave të policisë dhe është larguar me një makinë. Efektivi është qëlluar me 2 plumba në bark.
Ai i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka deklaruar se gjendja shëndetësore e efektivit të repartit “Shqiponja” Edlir Alleshi që mbeti i plagosur me armë gjatë ndjekjes së një të dyshuari është përmirësuar. Balla i bëri thirrje autorit që të dorëzohet.