NGA QEMAL ÇEJKU
Atë që kishte zoti në dorë, e bëri. Bëri Shqipërinë një vend brilant me ujë e male, me bregdete e fusha, por çfarë ne kishim në dorë për të bërë sa dhe si e bëmë?! Shkatërruam çdo gjë dhe sot po e kthejmë vendin tonë në vend me ikje masive të njerëzve dhe me pasurim të një dore të zezë!
Sistemi arsimor në Shqipëri me plot gojën është “shthurur” dhe për më tepër është kthyer në biznes me zgjatime aksionesh të politikanëve. Ndryshe nuk ka si shpjegohet fakti që hapet një shkollë jopublike dhe merr pjesë kryetari i bashkisë, deputetë, drejtues të institucioneve të larta arsimore. Dikush mund të thotë se jemi në rregull pasi sot arsimi është alternativë që vjen në të gjitha mënyrat, mjafton që të zbatohet ligji për arsimin, kurrikula dhe procedurat efektive që bën të funksionueshëm sistemin arsimor. Por nëse shikojmë me shifra se si arsimi publik ulet frikshëm çdo vit; ikin jashtë, braktisin fare shkollën, dalin në punë për gjendjen e keqe ekonomike të familjeve të tyre,… dhe ndërkohë rriten këto shifra tek arsimi jopublik, kjo do të thotë shumë pasi e pranojnë apriori të gjithë aktorë e autorë që sistemi arsimor publik është në kolaps. Çfarë ka ndodhur që jemi në këtë gjendje?!
Referuar periudhës që nga viti 2013 se si kanë luajtur me sistemin duke bërë eksperimente të padala dhe të pamiratuara nga ekspertët (mësuesit në sistem dhe specialistët e mirëfilltë), të papilotuara që pas 2 apo 3 vitesh janë kthyer në pikën zero përsëri, (nuk dua t’i përmend më pasi kemi thënë e stërthënë me qindra herë), themi që vërtet jemi për të qarë. Është kthyer arsimimi në matës të klasave shoqërore të dallueshme; kemi pjesën elitë që fëmijët e tyre i dërgojnë jashtë në universitete me emër, pastaj vjen klasa mbimesatare (nga gjendja ekonomike) që fëmijët e tyre i dërgojnë në shkolla amerikane, angleze, gjermane, italiane e spanjolle, por me seli e biznes në Tiranë më së shumti e më pak në rrethe, shkolla që qenkan elita e arsimit sot.
Dua të pyes këto shkolla me emra të mëdhenj: A nuk punojnë me kurrikul si ato në shtet, dhe për më tepër mësuesit nga i marrin ata, apo ata që dalin nga sistemi punësohen (dhe mirë bëjnë)? Ku është ndryshimi këtu? Sigurisht ndryshimi është thelbësor: në kushtet e infrastrukturës, të transportit të nxënësve dhe mësuesve. Krahasimin duhet ta bëjnë institucionet arsimore në vend, kur jepet provimi i maturës (nëse bëhet si duhet), sa nga nxënësit mbajnë po ato nivele si vlerësimi vjetor.
Ja pra që sistemi arsimor është në kolaps sepse është krijuar perceptimi që arsimi në Shqipëri është kot fare, fëmijën ose dërgoje jashtë, ose në shkolla e kolegje private ose të paktën sille në Tiranë apo në qytete të mëdha, pasi në zonat rurale nuk ka mësim , nuk ka mësues dhe nuk ka as drita e kushte minimale. Kjo për fatin tonë të keq është perceptim i drejtë, pasi janë dyndur qytetet dhe janë boshatisur zonat rurale (fshatrat). Rast studimi është fshati Shtepez në Gjirokastër, pasi dhe pse fshati ka 120 familje ne kemi vetëm një nxënës në klasën e parë.
A ka formulë statistikore që të mbush mendjen? Ose ndryshe ne paskemi marrë fund, e gjithë rinia dhe familjet e reja kanë ikur nga ai vend. Unë dyshoj se arsimin e kanë bërë biznes jo të ndershëm politikanët me aksione dhe pronarë të tyre. Të gjithë i dimë emrat e atyre që sot zotërojnë shkolla jopublike dhe me prapashtesën amerikane, angleze etj., etj.
Për të mos folur pastaj për të famshmen shkollë të drejtorëve që nuk zbulon domosdoshmërisht më të aftët, por nxit karrierizmin e blerë me lekë dhe demoralizon të aftin që nuk ka mundësinë ekonomike ta vazhdojë atë shkollë. I afti është aset dhe duhet të zërë vendin që i takon nëse duam të ecë ky vend.
Mësuesi pastaj duhet motivuar dhe paguar për çdolloj pune që bën (kujtojmë këtu që komisionet në shkolla mbulohen nga mësues të aftë dhe me vlerësim “shumë mirë”, por nuk marrin kurrë shpërblim për punën ekstra).
Duajeni Shqipërinë duke bërë punë e politika njerëzore! Historia dhe populli do t’ju damkosë me njollën e shpopullimit masiv jo vetëm të sistemit arsimor, biznesi e leku do t’ju zënë grykën para atyre që po u zini grykën me pangopësinë tuaj prej zullumqari.