NGA LUTFI DERVISHI
Pensionistët, tani fund fukarallëkut!
Lajmi se pensionet do të rriten me 8% ka lënë pa gojë armatën e 700 mijë pensionistëve. Në një lëvizje të papritur deputetët që mezi arritën të dyfishojnë rrogat e tyre, befasuan të madh e të vogël me rritjen e paprecendtë që pritet t’u bëhet pensioneve.
Nëse pensioni mesatar në qytet është 17 mijë lekë në muaj (170 mije leke) me rritjen e MADHE që pritet të ndodhë në muajin tetor, çdo pensionist, çdo muaj të vitit, do të ketë 13 mijë lekë më shumë.
Për ata që mendojnë se është pak dhe nuk mund të bësh asgjë sot me 13 mijë lekë, u duhet kujtuar se janë çdo ditë 450 lekë më shumë.
Tani që me këtë rritje çdo pensionist i dha fund fukarallëkut pyetja është si mund të përdoren këto lekë me efikasitet aq më tepër kur kemi familje që kanë dy pensionistë dhe shuma ditore arrin plot në 900 lekë. Të vjetra vërtet, por 900 lekë ama.
Ekspertët ofrojnë disa këshilla praktike për këtë situatë të pa zakontë që pritet t’i zerë 691 mijë pensionistët e Shqipërisë.
Aventuara ditore. Me 450 lekë secili pensionist mund të udhëtojë si zotni në urban dhe nuk ka nevojë të ecë në këmbë si në vajtje ashtu edhe në kthim. Tashmë gjysmën e rrugës mund të udhëtojë si mbret në autobuz. Por duhet nxituar sa pa u rritur çmimi i biletës urban. Me çmimin e sotëm të biletës, pensionisti kursen edhe 50 lekë. Me 50 lekëshi mund të shfaqet si filantrop dhe t’ia falë një lypësi (nëse ai e pranon 50 lekëshin)
Me 450 lekë në ditë mund të blejë çdo ditë nga një fidan peme dhe po gjeti vend mund të mbjellë një pemë dhe i vetëm pa ndihmën e askujt dhe pa i shtrirë dorën kërkujt brenda 2700 vitesh mund të krijojë i vetëm një pyll orbital prej 1 milionë pemësh. Kuptohet që pensionisti nuk do jetojë kaq gjatë, por mund ta lë amanet që brez pas brezi secili pensionist i familjes të mbjellë pemë. I lë famljes një emër të mirë dhe një nismë që turpëron çdo kryebashkiak të planetit.
Investim në real estate. çmimet e banesave vërtet janë rritur shumë, por me 450 lekë në ditë, për 120 mijë euro mund të blesh një garsoniere të mire 45 metra kudo në Tiranë. Mrekulli apo jo? Për këdo që ngre vetullat dhe të bëjnë hesap duke të thënë se duhen 1000 vjet për t’i mbledhur këto para i duhet kujtuar se edhe Roma nuk u ngrit në një ditë. Ideja që ne i duam gjërat sot, tani, menjëherë, në këtë çast, në këtë moment na ka marrë në qafë si popull e si komb. Duhet të kultivojmë pak durimin strategjik. Gjërat e mira duan kohë. Dhe e mira pret.
Ditës kur e pi kafenë turke në shtëpi për të kursyer po i vjen fundi. Me 450 lekë çdo ditë mund të rrufisësh një kafe një herë në dy ditë në lokal dhe të kalosh dy orë duke ëndërruar për gjëra të mrekullueshme si ulja e çmimit të bukës, ilaçeve, energjisë, etj, etj.
Familje milioneri. Nëse 450 lekëshin e lë në bankë në llogarinë e kursimit, brenda vetmë 10 viteve mund të gjenerohet 1 milionë lekë dhe nipi yt mund të jetë krenar se falë gjyshit mund ta quaj veten milioner. Me këto 1 milionë lekë vërtet nipi nuk mund të blej makinë, shtëpi apo pasuri, por mund të jetë krenar se do ta quaj veten milioner.
Pra me 450 lekë në ditë, mundësitë për pensionistët janë të pafundme. Vetëm duhet vrarë mendja si duhen futur në punë 13 mijë lekë në muaj.