Nga Dashnor Visha Kreu i deges nr.6 PD Tirane
Grupimi i Foltores, i veshur me kostumin e IM pësoi katastrofën e radhës në përballjen për Bashkinë e Kukësit. Emri Vatën e njoh personalisht, jemi miq e dashamirës mes njëri-tjetrit. Si kandidat nuk ke çfarë i thua dhe nuk ke ku mund ta kapësh për asgjë.
Djalë fisnik, me vlera e parime, demokrat i orëve të para, intelektual e profesionist, familjar model e dinjitoz, i formuar dhe i edukuar si rrallë kush, praktik e komunikues, shok e mik me një staturë për t’u admiruar. Kurrë nuk me ka ardhur me keq ndonjëherë për ndonjë mik e shok sa për Emriun sot, pas disfatës së thellë në rezultatin për kryeqytetarin e Kukësit.
Sic njoh dhe kam paralelisht me Emriun pafund miq e shokë kuksianë e lumjanë të besës e burrnisë që as nuk shiten e as nuk blihen me para e me asgjë tjetër.
Po në të vërtetë sot nuk ka humbur Emri Vata:
Sot ka humbur në Kukës makuteria dhe imoraliteti politik i një grupi hajdutesh e xhaketash të vjetra që të futur nën pelerinën e hajnisë së Ilir Metes nuk bënë gjë tjetër veçse u vërdallosën në një fushatë turistike nëpër kafet dhe resorantet më të mira të Kukesit duke pozuar me dy gishtat lart pa harruar që me ato dy gishta jua kishin vjedhur nga xhepi mundin dhe kontributin e demokratëve kuksianë prej 3 dekadash.
Harruan që kuksianet kanë memorie të fortë dhe nuk ta falin kollaj vjedhjen dhe nëpërkëmbjen, nuk ta falin mundin e djersën, angazhimin e përkushtimin prej dekadash për liri e meritokraci.
Sot ka humbur në Kukes besimi që demokratët e Kukesit kishin tek drejtuesit e tyre politik, besim te cilin këta të fundit e kanë shkelur me pazaret dhe imoralitetin e tyre politik nën siglën e PL të drejtuar nga IM, ish spiun i regjimit diktatorial, kampion i korrupsionit dhe imoralitetit politik në Shqipëri.
Sot ka humbur në Kukes bashkimi mekanik i një grupi deputetësh që për interes të mandatit të tyre 2025-2029 bënë sikur i lanë pas shpine dhe harruan sharjet e degjenerimet reciproke ndaj njëri- tjetrit.
Sot ka humbur në Kukes vendosja e interesit personal të një grup deputetësh të salduar mekanikisht me njëri- tjetrin mbi interesin e demokratëve kuksianë, ku një pjesë prej tyre e panë Kukësin nga brenda për herë të parë në jetën e tyre në këtë pseudofushatë.
Sot ka humbur në Kukes kriza e besimit që ka kapluar demokratët e Kukësit e të mbarë Shqipërisë.
Sot ka humbur në Kukës mungesa e shpresës që ky grup deputetësh kultivuan prej vitesh me keqmenaxhimin e besimit, vlerave dhe parimeve që mbartin kuksianët.
Sot në Kukes ka humbur grupimi i foltores, rithemelimi i pa themeluar, BF, bashkimi që nuk fiton, kasta e vjetër, pa program dhe ide, pa vizion e moral, pa alternativa të qarta, që e ka parë Kukësin e Shqipërinë vetëm për të përfituar e pasuruar veten e të afërmit e tyre.
Humbja e Emri Vatës sot nuk është humbja e tij personale, pasi ai thjesht pranoi të ecte mbi një terren të panjohur të realitetit toksiko-politik, të krijuar nga molepsja e kohës me gjynahe mbi demokratët, por është humbja e imoralitetit politik që ka kapluar një grup interesaxhinjsh.
Sot fatkeqësisht humbën demokratet Kuksiane e nesër demokratët në mbarë Shqipërinë nëse nuk dilet dot nga mendësia e drejtimit nga politikanë që ju ka kaluar me kohë afati i skadencës .
Kjo nuk është humbje, por një mesazh i qarte politik nga qytetarët e Kukësit për politikën e vjetër e të pamoralshme.
Ndaj sot në Kukës ra këmbana e alarmit për demokratët e Kukësit e të mbarë Shqipërisë.
Nëse dhe sot nuk gjendet pak forcë e moral për reflektim, e nesërmja do te jetë me hakëmarëese ndaj papergjegjshmërisë suaj.