Certifikimi i ndërmjetësve në pasuritë e paluajtshme, çelet faza e shprehjes së interesit

0
152

Ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme që duan të marrin certifikim do të duhet të paraqesin dokumentet e nevojshme.

Ministria e Drejtësisë tashmë ka hapur një fazë tjetër shprehje interesi për certifikimet e reja sipas ligjit të vitit “Për profesionin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme”, i cili vendosi rregullimin e një profesioni që më herët nuk kishte një kuadër ligjor specifik.

Kjo më pas u shoqërua edhe me një urdhër konkretisht nr. 187, datë 4.5.2022, “Për përcaktimin e rregullave të hollësishme mbi paraqitjen dhe trajtimin e shprehjeve të interesit, si dhe në verifikimin e plotësimit të kritereve ligjore të personave që kërkojnë të certifikohen si ndërmjetës të pasurive të paluajtshme”.

Sipas ministrisë kandidatët për ndërmjetës të pasurive të paluajtshme duhet të paraqesin shprehjen e interesit dhe të dokumentacionin shoqërues, brenda brenda 15 ditëve dorazi apo me postë.

Në listën e dokumenteve kandidati duhet të paraqesë një kërkesë për shprehje interesi për certifikimin si ndërmjetës i pasurive të paluajtshme. Po kështu kopje të mjetit të identifikimit. Së treti certifikatë familjare dhe po kështu një kopje të njësuar të diplomës së arsimit të mesëm të lartë, të lëshuar nga një institucion arsimor i akredituar në Republikën e Shqipërisë ose diplomë të lëshuar nga një institucion arsimor i huaj, të njohur e të njësuar nga ministria përgjegjëse për arsimin .

Sipas listës në dosje duhet të përfshihet edhe një vërtetim nga prokuroria që nuk është nën hetim për veprat penale në fushën e pastrimit të parave, të financimit të terrorizmit apo të armëve të shkatërrimit në masë. Po kështu vërtetim nga gjykata që nuk është nën gjykim për veprat penale në fushën e pastrimit të parave, të financimit të terrorizmit apo të armëve të shkatërrimit në masë.

Dokumenti i shtatë i nevojshëm është vetëdeklarim i gjendjes gjyqësore të kandidatit dhe për personat e lidhur me të por edhe vetëdeklarim që nuk ka dënim me masë administrative gjobë ose masë administrative, që detyron subjektin të ndalë një sjellje të caktuar, praktikë pune apo biznesi, si dhe të mos e përsëritë në të ardhmen, për shkelje të legjislacionit në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave, të paktën jo më herët se 6 muaj nga data e paraqitjes së kërkesës.

Ministria specifikon se duhet të paraqitet gjithashtu certifikatë për përfundimin me sukses të programit të detyrueshëm të trajnimit për kandidatët për ndërmjetës të pasurive të paluajtshme(me urdhrin e ministrit të Drejtësisë nr. 619, datë 23.11.2022, “Për përzgjedhjen e institucioneve trajnuese për realizimin e programit të detyrueshëm të trajnimit për kandidatët për ndërmjetës të pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar me urdhrin nr. 162, datë 9.2.2023, “Për një shfuqizim në urdhrin nr. 619, datë 23.11.2022, të ministrit të Drejtësisë, ‘Për përzgjedhjen e institucioneve trajnuese për realizimin e programit të detyrueshëm të trajnimit për kandidatët për ndërmjetës të pasurive të paluajtshme’”, ka vendosur se institucioni, i cili do të zhvillojë trajnimin e detyrueshëm për kandidatët për ndërmjetës të pasurive të paluajtshme, është KU B-i (Kolegji Universitar i Biznesit);

Po kështu dokument që provon zotërimin e gjuhës shqipe, të lëshuar nga autoritetet kompetente, sipas legjislacionit në fuqi (për shtetasin e huaj). Monitor