BallinaSport“Muçi një yll që më tronditi”, Egbo nxjerr sekretet: Këmbëngula që të...

“Muçi një yll që më tronditi”, Egbo nxjerr sekretet: Këmbëngula që të mësonte anglisht, e penalizoi…

Ernest Muçi po bën bujë te Legia dhe ka mundë si që të thyejë rekordin e transferimeve të “Ekstraklasa”, pasi tashmë është nën shënjestrën e klubeve të ligave më të forta. Po a është një surprizë shpërthimi i tij? Një nga mediat polake, “WP SportoweFakty” pyeti trajnerin që i dha Muçit shansin për luajtur titullar te Tirana.

Emanuel Egboja është një ish-portier i kombëtares së Nigerisë, i cili pasi la vendlindjen e vazhdoi karrierën në Shqipëri. Fillimisht si lojtar, pastaj si trajner. I lidhur prej vitesh me klubin Tirana, filloi si trajner portierësh dhe më pas u gradua trajneri i parë.

Në sezonin 2019-2020, Egbo udhëhoqi FK Tiranën në kampionatin kombëtar, duke u bërë trajneri i parë nigerian që fiton një ligë në Europë. Ai ishte gjithashtu i pari që i dha Ernest Muçit, aktualisht një yll në rritje i Legia Varshavës, një shans në futbollin e të rriturve. Egboja vazhdon të ndjekë ecurinë e ish-lojtarit të tij dhe beson se Muçi mund të ketë një karrierë vërtet të madhe.

Dhe ndoshta ai do të thyejë edhe rekordin e transferimeve të “Ekstraklasa” (që mbahet nga Kacper Kozlovski, i cili kaloi nga Pogon me Brighton për 11 milionë euro). Siç pranon Egboja në një intervistë për “WP SportoweFakty”, ai ndonjëherë interesohet për Ernestin me mikun dhe agjentin e tij, gjithashtu nigerian, i cili jeton afër… Krakovës.

Ju e njihni prej vitesh Ernest Muçin. E prisnit një shpërthim të tillë të talentit të tij?

Në një masë të madhe po. Kam kaluar shtatë vjet te FK Tirana dhe e pashë me sytë e mi përparimin e tij. Për shkak se ai u rrit me ne, kaloi disa vite në ekipet tona të të rinjve. Talenti i tij ishte i dukshëm. Përveç kësaj, binte në sy jo vetëm te ne. Ernesti thirrej rregullisht për të përfaqësuar Shqipërinë në kategori të ndryshme moshash. Ishte e qartë se ai kishte një shans të mirë për të ndërtuar një karrierë të madhe. Dhe ajo që ne shohim tani te Legia është një provë tjetër e kësaj që po them.

I ndiqni paraqitjet e tij te Legia?

Sigurisht. Veç kësaj, do të ishte e pamundur të mos e ndiqnim, sepse mediat në Shqipëri janë shumë të interesuar se si po shkon Muçi në Poloni. Paraqitja ndaj Aston Vilës pati një jehonë të madhe edhe në Shqipëri. Trajneri i Kombëtares ishte në ndeshjen e Varshavës, gjë që u theksua edhe nga mediat shqiptare. Kjo tregon se Silvinjo po e ndjek nga afër.

Trajneri e thërret në Kombëtare, por Muçi praktikisht nuk luan…

Po, është vetëm çështje kohe. E vetmja gjë që Ernesti ka nevojë në këtë situatë është durimi. Aktualisht, lojtarët tanë kryesorë janë në formë shumë të mirë dhe Shqipëria po ecën mirë. E thënë në mënyrë klasike: askush nuk e ndryshon formacionin fitues. Megjithatë, është gjithashtu e vërtetë që në Shqipëri, mes gazetarëve dhe tifozëve, ka gjithnjë e më shumë mbështetës që Muçi të marrë më shumë minuta në Kombëtare. Dhe së shpejti do t’ia dalë.

Ju e njihni Muçin në detaje. Në sytë tuaj, cili është avantazhi i tij më i madh?

Teknika dhe gjuajtja me të dyja këmbët. Gjithashtu fakti që praktikisht nuk ka nevojë për vrull apo vrapim për të goditur fort. Ai mund ta bëjë atë pothuajse menjëherë dhe nga vendi, në ecje. Dhe ato golat e bukur që shënon në Legia? Nuk ka rastësi në këto situata. Të tillë gola i ka shënuar kur e “drejtoja” unë te FK Tirana. Gjeni në internet golin e shënuar nga gjuajtja e lirë në derbin e kryeqytetit, të cilin e fituam 5-1. Ishte një gol i mrekullueshëm. Gjithsesi, ai shënoi dy gola në atë ndeshje. Dhe të mendoj që në atë ndeshje luajti vetëm 14 minuta!

Sapo përmendëm avantazhet e Muçit, por çfarë duhet të përmirësojë ky lojtar?

Në teori, duhet të them “loja në mbrojtje”. Por varet pak se çfarë pret trajneri prej tij. Dikush mund të dëshirojë përmirësim në këtë drejtim. “Ok”, e kuptoj këtë, por nga ana tjetër, duhet t’i bëni vetes një pyetje: a do të ketë ai forcë, imagjinatë dhe dhunti të mjaftueshme për të luajtur kaq efektivisht përpara, duke shtuar përgjegjësitë mbrojtëse? Mendoj se varet nga trajneri individual dhe pritshmëritë e tij ndaj Ernestit.

Dëgjoj që ju si trajner i parë e keni lejuar të luante më shumë me kohë të plotë. Si ishte saktësisht?

Ishte menjëherë pas emërimit tim si trajner i parë i FK Tiranës. Më parë kam qenë trajner portierësh, por pasi u shkarkua kryetrajneri, u emërova në atë detyrë. Në ndeshjen e parë mposhtëm në derbi rivalin tonë të përjetshëm, Partizanin dhe në ndeshjen jashtë fushe kundër KF Laçit zgjodha Muçin që në minutën e parë. Ishte një situatë interesante. Para kësaj ndeshjeje, fizioterapisti m’u afrua dhe me shqetësim në zë më njoftoi se kishim një problem, pasi sulmuesi ynë kryesor, Ngoja, kishte një problem. Ishte dëmtuar. Nuk u shqetësova fare për këtë, sepse besoja te Muçi.

Aq shumë? Ai ishte atëherë 18 vjeç.

Po shumë. Rrugës për në ndeshje, ishim në autobusin e klubit, i dërgova një mesazh në “WhatsApp” duke e pyetur nëse ishte gati. Ai u përgjigj po. Mbaj mend që në atë ndeshje binte shi dhe për shkak të avantazheve të Ernestit, doja ta përdorja më shumë në një fushë të mirë. Kështu që vendosa që do të luante ai kur të shihja gjendjen e fushës. Për fat të mirë, shiu nuk e penalizoi shumë, ndaj vendosa ta aktivizoj që nga fillimi. Dhe ishte tronditje! Por aq pozitive sa nuk e imagjinon. Fituam 2-1 dhe të dy golat i shënoi Muçi. Këto ishin golat e tij të parë në Kategorinë Superiore, (ligën shqiptare).

U habitët që nga Tirana, Muçi kaloi te Legia? Kjo për Poloninë dhe jo për një ligë më të mirë?

Jo plotësisht. Përveç kësaj… Siç mund ta shihni, ishte zgjedhja e duhur. Sepse kush e di se çfarë do të kishte ndodhur nëse ai do të kishte shkuar direkt në një ligë më të madhe? A do të ishte zhvillimi i tij po aq harmonik sa te Legia? Unë nuk jam i bindur. Sipas mendimit tim, është më mirë të ngjitesh hap pas hapi, sesa të hidhesh drejt e në majë. Kur ecën ngadalë, e vlerëson më shumë rrugën që ke bërë. Flas dhe vazhdoj të flas për Poloninë në kontekstin e Ernestit me agjentin dhe mikun tim që jeton në Poloni. Pikërisht në Lanckorona, në Voivodeshipin e Polonisë së Vogël. Ky është John Chibuzo Nwankpa, ish-futbollist dhe tani menaxher.

Në karakter, Ernesti duket shumë i qetë, madje edhe introvert…

Nëse do të më duhej të gjeja fjalën e duhur, do të thosha “modest”. Kështu është rritur dhe kështu sillet. Megjithatë, jam i kënaqur edhe me një gjë. Se, ndër të tjera, e inkurajova të mësonte anglisht. Dhe tani po shpërblehet. Dihej se ai kishte aftësi aq të mëdha sa që largimi i tij nga Shqipëria ishte vetëm çështje kohe. Kjo është arsyeja pse anglishtja është kaq e rëndësishme. Sepse po, gjithmonë mund t’ju përkthejnë të gjitha, por për mendimin tim, njohja e gjuhës shkurton ndjeshëm distancën midis trajnerit dhe lojtarit. Të kuptuarit se çfarë kërkon trajneri është çështje themelore për lojtarin.

Herët a vonë Muçi do të largohet nga Legia. A jeni dakord që koha më e mirë për ta shitur është vera e 2024-ës? Dhe fakti që ai mund të thyejë rekordin e Premier Ligës polake, që është 11 milionë euro?

Duke filluar me pjesën e dytë të pyetjes. Unë jam trajner, ndaj nuk më takon mua të flas për shumat. Nuk e di nëse Muçi do të shkojë për 10 apo 20 milionë euro… Një gjë e di: në situata të tilla jo gjithçka varet vetëm nga aftësitë e lojtarit, por edhe nga komponentët e tjerë. Për shembull, kombësia, në kuptimin që dihet se një futbollist nga Anglia, Spanja apo Franca vlerësohet automatikisht më lart se një futbollist i një vendi me më pak tradita ose një ligë më të ulët në renditje. Ka shumë komponentë. Sa i përket afatit të transferimit, këtë duhet ta ndiejë edhe vetë Ernesti. Nuk ka dyshim për këtë: ndeshje të tilla, si ato kundër Aston Vilës, e rrisin ndjeshëm vlerën dhe njohjen, të paktën në tregun anglez.

Keni punuar edhe me Jurgen Çelhakën. Ai ende nuk po shkëlqen te Legia si Muçi. Sigurisht, është një pozicion tjetër, por thjesht nuk luan siç pritej…

Çelhaka dhe Muçi ishin lojtarë të U-19-ës kur vendosa t’i përdor. Çelhaka, madje ka luajtur më shumë me mua sesa kam aktivizuar Muçin. Ula kapitenin e ekipit në pankinë, sepse Çelhaka përshtatej me filozofinë time të lojës. Ai është një lojtar i orientuar drejt detyrave, luan në një mënyrë të thjeshtë. Para së gjithash, mbron dhe rikuperon topin.

E kuptoj, por, siç e përmenda, pyesim veten pse Legia po performon nën pritshmëritë?

Ndryshe nga Muçi, Çelhaka nuk dinte asnjë gjuhë të huaj kur u largua nga Shqipëria. Kjo është një çështje. Së dyti, ai u largua shumë herët nga Shqipëria. Për mendimin tim, ai duhet të kishte qëndruar këtu në Shqipëri edhe një vit. Por ai është një lojtar i mirë që mund të bëjë më shumë për ekipin e tij në mbrojtje se shumë lojtarë të tjerë. Dobësia e tij është se nuk ka një pasim të mirë. Megjithatë, ai mund të marrë topin dhe t’ia dorëzojë mesfushorit të dytë.

Por, duke parë potencialin e tij, a e shihni atë në një ligë më të mirë se Polonia apo ky është kulmi i aftësive të tij?

Para së gjithash, ai ka nevojë për më shumë lojë. Për mendimin tim, i duhen rreth dy sezone për të treguar anën e mirë. Diçka tjetër është Muçi. Ai është gati të largohet nga Polonia.

PANORAMASPORT.AL

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular