29 dhe 30 shtator, 5 orë në ditë ndalohet qarkullimi në Rrugën e Arbrit në hyrje të Tiranës
***
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar sot (28.09) se në datat 29 dhe 30 shtator 2023, do të ndalohet qarkullimi i mjeteve në rrugën e Arbrit nga ora 9 paradite deri në orën 14 në segmentin rrugor nga “Fundjavë Ndryshe” deri te “Shkalla e Tujanit”.
Këto dy ditë, gjatë këtyre 5 orëve, nuk do të lejohet qarkullimi i makinave në këtë segment, ndaj lajmërohet udhëtarët të riprogramojnë kohën e udhëtimit jashtë këtyre orareve ose të përdorin rrugë të tjera lidhëse.
Gjatë këtij intervali kohor do të punohet për shtrimin e shtresave të tjera të asfaltit në këtë segment.
Autoriteti Rrugor Shqiptar kërkon mirëkuptimin e përdoruesve të mjeteve dhe të banorëve, për të marrë masat e nevojshme, për të evituar qarkullimin në këtë segment të Rrugës së Arbrit, përgjatë këtyre orëve, të premten dhe të shtunën.
Ky njoftim i ARRSH bie ndesh me premtimet e drejtorit të saj, Evis Berberi, i cili gjatë një vizite në tunelin e Murrizit në fund të muajit Maj 2023 deklaronte në prani të zv.Kryeministres Belinda Balluku se “nuk do të ketë më bllokime të rrugës, përveç bllokimit të një korsie me gjatësi deri 50 metra”.
Me sa duket, tashmë është standard i krijuar që, të tjera gjëra thuhen para kamerave dhe të tjera gjëra i njoftohen publikut.