Një tjetër plan kriminal nga Laert Haxhiu dhe banda e tij, është zbardhur nga i penduari i drejtësisë, Artan Tafani.
Tafani ka deklaruar se Haxhiu ka pasur në shënjestër edhe njerëz të drejtësisë, konkretisht një prokurore e SPAK, një ish-prokurore të Lushnjës dhe një avokat.
Dëshmia e Artan Tafanit, i penduar tashmë i drejtësisë, ka arritur të zbardhë dhe atentatin që po planifikohej nga prokurores së SPAK Doloreza Musabelli, nga grupi i Haxhiut.
Tafani, ka deklaruar se po thurej planin për ‘të hequr qafe’ Musabelliun si dhe avokatin Adriatik Doga dhe ish-prokuroren e Lushnjës, Merita Selimi.
Ai sipas dëshmisë së siguruar nga News24, mësohet se ka deklaruar se Haxhiu ka dashur “të sulmojë Doloreza Musabelli, pasi ishte prokurorja e çështjes së tij në SPAK”, ndërsa sipas tij, “kjo prokurore kishte dënuar me burgim të përjetshëm shokun e Laertit Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin”.
“I kemi ndjekur. Laerti ka dashur të sulmojë Doloreza Musabelli, pasi ishte prokurorja e çështjes së tij në SPAK. Kjo prokurore kishte dënuar me burgim të përjetshëm shokun e Laertit Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin. I kemi mbajtur nën vëzhgim dhe familjet e tyre. Laerti, pretendonte se nuk kishte lidhje me ngjarjen dhe se kjo prokurore po i bënte gropën. Atij ju fiksua që ta vriste prokuroren ose ndonjë njeri të afërm të familjes
I kemi bërë foto prokurores, burrit avokat dhe fëmijëve. Laerti tha se fotot e fëmijëve duhet më parë t’ia nisnim burrit të prokurores për të parë se çfarë ndikimi dhe reagimi do sillte”, ka deklaruar i penduari Tafani.
Ndërkohë pas dëshmisë së tij, janë kërkuar masa shtesë për mbrojtjen e prokurores Musabelli dhe pritet reagim nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Selimi ishte prokurorja që hetoi Laert Haxhiun, Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin për masakrën e vitit 2017 në Lushnjë, ku mbeti i vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën Bujar Turku dhe Marjus Xhepexhiu.
Pas dy viteve hetime, Selimi shpalli mos kompetencën duke sjellë dosjen ndaj tre të pandehurve në SPAK. Prokurorja e Lushnjës në muajin Korrik 2023 u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (Vetting).
Çështjen e mori Doloreza Musabelli, prokurore në SPAK, ku aktualisht ka dënuar me burgim të përjetshëm Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, ndërsa ka ende në fazë gjykimi Laert Haxhiun.