BallinaAktualitetTelefonat e koduar/ Policia pret pastrimin nga hetimet e SPAK

Telefonat e koduar/ Policia pret pastrimin nga hetimet e SPAK

spot_img
spot_img

Deri kur prokurorët e SPAK të vendosin se është koha për të vepruar me dosjen “Metamorfoza 2”, shefat e policisë që janë në shërbim të krimit mbeten në pritje. Sado absurde të duket një gjendje e tillë në polici, pohimi vjen nga Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, që ishte thirrur për raportim në Komisionin e Çështjeve Evropiane. Balla konfirmoi atë që përflitet prej kohësh nën zë, se edhe ai vetë është në pritje të një vendimi, që kush del në përgjimet e aplikacionit SKY ECC apo të telefonave Encro, apo kush i ka përdorur këto pajisje, do të përjashtohet nga policia.

“Çdo punonjës policie shteti që rezulton që ka pasur akses në rrjetet e komunikimit qoftë EncroChat apo SkyECC do përjashtohet nga Policia e Shtetit edhe nëse në atë komunikime rezulton se s’ka aktivitet kriminal. Vetëm fakti që ka aksesuar në një rrjet të tillë, por lidhet ne kodin etik” tha Balla.

Një burim pranë Ballës tha për Lapsi.al se kjo është arsyeja që ministri i ri nuk ka bërë asnjë lëvizje në polici që pas emërimit në detyrë. Balla ka preferuar të presë rezultatet e hetimit të SPAK, për të bërë zhvendosjet e shefave të policisë. Në këtë mënyrë shmang edhe akuzat që do t’i pasonin për implikim me krimin, që edhe kështu nuk i mungojnë.

Ministri po pret finalizimin e punës së prokurorëve të SPAK për dosjen e përgjimeve nga Europol dhe së shpejti pret të marrë në dorë listën me emrat e policëve që bashkëpunonin me krimin.

“SPAK po zhvillon hetime mbi bazën e të dhënave nga Europol, besoj se së shpejti do të kemi zhvillime, jo vetëm do të vetëpastrohet policia, por edhe vetë shoqëria” tha Balla.

Përgjimet e zbuluara nga Europol mendohet se përbëjnë një nga dosjet më voluminoze, që ka mbërritur ndonjëherë në vendin tonë. Gazetarët e France24 raportuan vitin e kaluar se përgjimet e arkivuara ishin rreth një miliard mesazhe. Gjuha e parë e përdorur mes organizatave kriminale ishte anglishtja. Gjuha e dytë, gjuha shqipe.

Disa ditë më parë, në një takim off record me gazetarët, shefi i SPAK, Altin Dumani foli për përpjekjet e avokatëve për t’i zhvlerësuar përgjimet, por edhe ai vetë i konsideroi ato të ligjshme. “Deri kur u regjistrua ky procedim, flitej se zyrtarë e drejtues kryenin korrupsion, apo ishin të përfshirë në krim, por s’kishte veprime konkrete. Sot është fakt që janë të arrestuar. Kemi shumë punë për të bërë, lidhur me këtë çështje”,- i tha Altin Dumani gazetarëve.

Çfarë zbuloi dosja Metamorfoza për policinë 

Për të kuptuar se në çfarë nivelesh është e korruptuar policia e shtetit shërbejnë përgjimet e dosjes “Metamorfoza” që çoi në arrestimin e biznesmenit Pëllumb Gjoka, prokurorit Xhevahir Lita, vrasësit Behar Bajri dhe ish-drejtuesit të operacionales Oltion Bistri.

Transkriptet ofruan një panoramë të përmbysur në raportet e policisë më krimin. Një dëshmi e rrallë e komunikimit është ai mes Behar Bajrit dhe Pëllumb Gjokës. Të dy bënin llogaritë për ndarjen e komisariatit, mes shefave të policisë që punonin për ta, dhe shefave që punonin për palën tjetër.

“Në orën 22:39 shtetasi Behar Brajoviq duke përdorur TIV9E3 komunikon me përdoruesin 7142D9, i identifikuar si shtetasi Pëllumb Gjoka. Diskutojnë në lidhje me një person me emrin “Luli” që ka shkuar për të vizitur Beharin pasi ka dalë nga burgu. Behari shprehet që ai nëndrejtorin dhe Shefin e Komisariatit i kishte të vetët.

Pëllumbi shprehet që, ato kanë nëndrejtorin dhe shefin e Komisariatit ndërsa ne kemi shefin e Krimit të Organizuar dhe e kemi informacionin 10, që ata nuk e dine dhe ti mos i thuaj”.

Në Shkodër, edhe ish-shefi i krimeve Ardit Hasanbegaj ishte vënë në shërbim të Pëllumb Gjokës. Madje sipas përgjimeve të SKY, pozitat e biznesmenit ishin të tilla që pasi kishte porositur vrasjen e urdhëronte shefin e krimeve të mos merrej shumë me hetimin e saj.

Një tjetër “surprizë” që dëshmon për korrupsionin në polici ishin bisedat mes Pëllumb Gjokës dhe ish-shefit të policisë Oltion Bistro gjatë kohës që ky punonte në Tiranë dhe përpiqej të mbante larg policët nga kazinoja e biznesmenit për 1500 euro në muaj. Në bisedë përmendeshin përpjekjet e ish-ministrit Lleshaj për të mbyllur kazinotë dhe pazaret e Bistrit me kolegët.

Bistri i shkruante GjokësS’do as Ardi se i thashë (Ardi Veliu). Bile dhe për këtë më çau ka*in. I thashë e le punën e s’e heq se i kam dhënë llafin. 

Në një tjetër komunikim Bistri i shkruan Gjokës: Nesër mos e hap. Këto 2-3 ditë, mos i thuaj njeriut. Po 2-3 ditë. Nesër ka aksion nga Operacionalja në zonën time. Të lutem mos e diskuto me asnjë se më prish punë shumë. Po mora vesh që do të vijnë aty te ty do të të them vetë. Mirë është mos të jetë hapur. Nesër në darkë mbylle, ose më saktë nesër në darkë do bëhen kontrollet. 

Lista e policëve nën pagesat e Ervis Martinajt

Edhe Ervis Martinaj, ish-bosi i lojërave të fatiti nuk i ka kursyer paratë për shefat e policisë që e ndihmonin në aktivitetin e tij. Madje Martinaj, gjatë kohës që ishte shpallur në kërkim shoqërohej gjithnjë nga një efektiv i operacionale, i quajtur Jeton Lami. Ishte pikërisht Lami që mendohet se shërbente si njeriu i kontaktit mes Martinajt dhe policëve që ishin në listë-pagesën e tij.

Fill pas shkarkimit, ish-drejtori i policisë së shtetit, Gledis Nano foli për dekonspirimin e aksioneve nga kolegët e korruptuar në polici. Në një media franceze ai tha se ishin 14 kriminelë të arratisur para operacionave të policisë.

“Ka pasur rrjedhje të informacionit, mund të ketë ardhur nga vetë ato që kanë kryer investigimin ose nga ekipet operacionale”, ka thënë Nano, duke shtuar se nuk dihej nga cilët persona vinte ky dekonspirim.

Disa ditë më parë, një familjar i Martinajt dorëzoi në SPAK kodet e aplikacionit SKY, me shpresë së mund të zbulojë diçka mbi zhdukjen e tij. Mendohet se këto mund të shërbejnë për të kuptuar kontaktet e tij në polici.

Çfarë janë telefonat Encro

EncroChat ishte një shërbim tjetër telefonik i koduar që përdorej gjerësisht nga rrjetet kriminale. Një telefon Encro kushtonte rreth 1 mijë euro për sa kohë që shërbimi ishte ende funksional. Për 1 mijë e 500 euro mund të paguhej funksionimi i telefonit për 6 muaj në të gjithë botën.

Serverat e EncroChat ishin të vendosur në Francë dhe u zbuluan nga policia franceze në vitin 2016, duke zbuluar qindra milion mesazhe.

EncroChat ishte një nga shërbimet më të mëdha të komunikimit të koduar në botë dhe vlerësohet të ketë pasur 60,000 përdorues në të gjithë Evropën. Nga një njoftim i Eurojust, deri në vitin e shkuar ishin regjistruar rreth 6 mijë e 558 arrestime në të gjithë botën.

Encrochat ofroi një rrjet të sigurt komunikimi. Përdoruesve iu jepej një pajisje celulare e modifikuar posaçërisht e quajtur EncroPhone, e cila nuk mund të përdorej për të bërë thirrje telefonike zanore. Telefoni vinte i gatshëm, ku ishin ngarkuar paraprakisht aplikacione të mesazheve private, të cilat mund të dërgonin mesazhe me tekst dhe foto tek përdoruesit e tjerë të Encrochat.

Pajisjet përmbanin mekanizma të tjerë sigurie, të tilla si ajo që lejonte fshirjen e të dhënave të telefonit nga distanca. Të dhënat e telefonit bllokoheshin, nëse një kod kalimi 15-shifror nuk ishte futur saktë. Celularët funksiononin nëpërmjet sinjalit ëi-Fi, në vend të rrjeteve të telefonisë celulare. Veçori të tilla si kamera, mikrofoni dhe GPS ishin të çaktivizuara për siguri të shtuar.

Këto masa sigurie e bënë telefonin Encro shumë popullor në mesin e personazheve të famshëm, njerëzve të pasur dhe bandave të krimit të organizuar, të cilët vlerësonin sekretin dhe anonimitetin që ofronte platforma.

Kriminelët ndiheshin mjaft të sigurt për të biseduar lirshëm për gjithçka: emrat e klientëve, dërgesat e drogës dhe madje edhe atentatet. Dhe besimi i tyre ishte i kuptueshëm, duke pasur parasysh atë që EncroChat kishte për të ofruar:

Telefonat kishin një buton “fshiji të gjitha” që do të fshinte të gjitha bisedat e ruajtura në rast arrestimi ose urgjence tjetër. Asnjë mesazh nuk ruhej në serverët qëndrorë, kështu që ato nuk mund të kapeshin dhe deshifroheshin më vonë.

Përdoruesit e EncroChat paguanin mijëra dollarë në vit, për të përdorur këtë shërbim. Një vlerësim nga policia franceze tregoi se 90% e përdoruesve të EncroChat ishin të përfshirë në aktivitet kriminal.

Në fillim të qershorit 2020, përdoruesit e Encrochat morën një mesazh me tekst duke thënë se të dhënat e tyre nuk ishin më të sigurta. Përdoruesit u këshilluan që të hidhnin menjëherë EncroPhone-in e tyre. Mesazhi thoshte se serverët e tyre ishin sekuestruar nga “entitetet qeveritare”. Encrochat më pas mori vendimin për të ndërprerë operacionet përgjithmonë.

Sistemi i mesazheve të koduara erdhi për herë të parë në vëmendjen e Xhandarmërisë Franceze në vitin 2017, pasi telefonat Encro zbuloheshin vazhdimisht në posedim të të arrestuarve.

Ata zbuluan se EncroChat funksiononte nga serverë me bazë në Francë dhe arritën “të vendosnin një pajisje teknike” që i lejonte të hynin në mesazhet e koduara të dërguara përmes rrjetit të kompanisë. Hetuesit ishin në gjendje të vendosnin pajisjen dhe të regjistronin të gjitha bisedat për muaj të tërë në kohë reale.

Çfarë është SKY ECC

Sky ECC ishte një aplikacion i sigurt mesazhesh, dikur i vlerësuar nga baronët e krimit të drogës, por që u dekriptua nga policia franceze në vitin 2021. SKY ECC u dekriptua në Francë pasi ky ishte ishte shteti ku ishin vendosur serverat e aplikacionit.

Hetuesit në Belgjikë, Francë dhe Holandë kanë shqyrtuar një gamë të madhe mesazhesh të dërguara mes bandave të fshehta të kontrabandës së drogës dhe filluan arrestimet në fund të vitit të kaluar.

“Ishte sikur ishim ulur në tavolinë me kriminelët”, tha Catherine De Bolle, drejtoreshë ekzekutive e Europol, agjencia e koordinimit të policisë së BE-së, për France24.

Më shumë se një vit e gjysmë më vonë, detektivët në të dy anët e kufirit bien dakord se hetimi i Sky ECC shënoi një pikë kthese në luftën kundër bandave të drogës.

Eric Snoeck, drejtor i përgjithshëm i Policisë Gjyqësore Federale të Belgjikës, i tha AFP se autoritetet kanë në dorë më shumë se një miliard mesazhe Sky ECC.

“Është një punë që është në vazhdim dhe do të duhen vite për t’u përfunduar” u shpreh ai.

Shumica e figurave të larta të krimit, që u arrestuan vitin e kaluar jetonin në Dubai. Ballkani Perëndimor ka qenë një pikë e nxehtë për bandat. Pas anglishtes, gjuha më e zakonshme e përdorur në Sky ECC ishte shqipja, zbuluan hetuesit./Lapsi.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular