NATO-ja njoftoi se 200 ushtarë britanikë kanë mbërritur në Kosovë të premten, për ta përforcuar misionin e saj paqeruajtës Kosovë, KFOR, pas sulmit vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit muajin e kaluar dhe rritjes së tensioneve në rajon.
“Zhvendosja e trupave është një hap i matur për t’u siguruar se KFOR-i i ka forcat që i nevojiten për ta përmbushur mandatin e saj të OKB-së për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe për ta siguruar lëvijen e lirë për të gjithë njerëzit në Kosovë”, tha NATO-ja në një njoftim për media.
Britania e Madhe vendosi të dërgojë trupa shtesë në kontingjentin e saj në Kosovë, i cili ka tashmë 400 ushtarë britanikë, me kërkesë të komandantit suprem të Aleancës për Evropën, SACEUR, gjeneralit amerikan Chris Cavoli.
Vendimi i NATO-s për shtimin e trupave paqeruajtëse në Kosovë vjen rreth dy javë pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit, më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Në luftimet që pasuan pastaj në manastirin e fshatit u vranë tre sulmues serbë. Policia e Kosovës e gjeti dhe e konfiskoi një arsenal të jashtëzakonshëm armësh në Banjskë dhe përreth në ditët pas sulmit. Pak ditë pas sulmit, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ngritën shqetësime se Serbia po zhvendoste trupa ushtarak përgjatë kufirit me Kosovën. Kjo u mohua nga Serbia.
Më 3 tetor, Shtëpia e Bardhë tha se Serbia ka filluar t’i tërheqë trupat nga kufiri me Kosovën.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Kirby. Serbia i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”.
Përgjegjësinë për sulmin në Banjskë e mori Millan Radoiçiç, ish-kryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit. Më 3 tetor, Radoiçiçi u arrestua, u mor në pyetje dhe u urdhërua të mbahej në paraburgim policor deri në 48 orë, para se të lirohej një ditë më vonë, por pa pasaportë dhe me ndalesë për të shkuar në Kosovë. KFOR-i ka aktualisht rreth 4.500 trupa në Kosovë nga 27 shtete të NATO-s dhe shtetet partnere./REL